Mblidhet për herë të dytë tryeza, ja për çfarë do të diskutohet

494
Sigal

Ditën e sotme është mbledhur sërish Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore, i  përbërë nga dy bashkë drejtuesit Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, ndërsa nga opozita përfaqësuesit Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi.

Mësohet se tryeza do të mbahet me dyer të mbyllura dhe në fund të saj pjesëmarrësit do të dalin në një deklaratë për mediat.

Po ashtu përfaqësuesit politikë kanë dhe ekspertët e tyre që janë përcaktuar pas arritjes së marrëveshjes dhe që do të merren me hartimin e Reformës Zgjedhore në Këshillin Politik.

Në marrëveshjen e gjerë politike për reformën zgjedhore në Shqipëri, palët politike angazhohen për kryerjen e saj deri në 15 mars të këtij viti.

Marrëveshja është konkretizuar në një dokument të firmosur nga përfaqësues të PS, PD dhe LSI ku palët  marrin përsipër të bashkëpunojnë, negociojnë dhe kryejnë reformën zgjedhore. Palët kanë rënë dakord që reforma të diskutohet dhe vendoset jashtë parlamentit, në tryezën politike të partive dhe produkti i saj konsensual të miratohet pa ndryshime nga Parlamenti. Marrëveshja thekson se reforma zgjedhore do të përfundojë jo  më vonë se 15 marsi i këtij viti.