Luan Rama: I ftova përfaqësuesit e PD dhe të PS të ruanin kohezionin e marrëveshjes, por nuk më dëgjuan

85
Prononcimi për median i Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama

Rama, si përfundim Komisioni ad-hoc do të kalojë vetëm listën me 67 kandidatë, që kanë marrë rekomandimet pozitive dhe nga ONM-ja. Çfarë ndodhi dhe cili ishte shqetësimi i opozitës, pse nuk u morën parasysh kërkesat e saj?
Në fakt u bë një diskutim i gjatë dhe i detajuar në komision në lidhje me vendimmarrjen e komisionit, përsa i përket gjykimit dhe vlerësimit për të gjithë ata që kanë kandiduar për institucionet e Vetting-ut.

Unë personalisht parashtrova idenë e gjykimit mbi bazën e një konsensusi pasi në të trija listat edhe në dy listat që kanë rekomandime negative nga ONM-ja kishte dhe ka emra që mund të vlerësoheshin për t’u përfshirë në listën e parë, pra në listën e miratuar. Sepse për fat të keq edhe gjatë seancave dëgjimore rezultoi që Avokati i Popullit dhe ONM-ja kanë aplikuar dy standarde apo “double-standard”, sepse nëse një pjesë të kandidatëve i kanë penalizuar le të themi duke dhënë rekomandim negativ për shkak të të ashtuquajturit konflikt interesi, sepse dikush ka vëllanë apo motrën apo bashkëshortin apo bashkëshorten, që punon në sistemin e drejtësisë, të njëjtin standard nuk e ka respektuar për disa emra të tjerë, të cilët megjithëse janë në të njëjtat kushtet ligjore të konfliktit të interesit, nëse mund ta quajmë kështu, sepse edhe kjo është një çështje që ha diskutim, janë përfshirë te lista e parë, pra te lista e miratuar.

Gjithsesi, edhe gjatë punës së këtij komisioni dolën në pah defekte dhe mangësi të ligjit në fakt dhe në këto kushte vajtja në votim krijoi pastaj mospajtim midis palëve me gjithë insistimin tim që edhe në këtë komision përfaqësuesit e PD-së apo të opozitës dhe të PS-së duhet të ruanin frekuencat e marrëveshjes së madhe të arritur midis Kryeministrit dhe z. Basha, nuk ia dola dot t’i mbaja bashkë. Nga kjo pikëpamje nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveçse t’ia lëmë radhën dy komisioneve të tjera që do të bëjnë vlerësimin përfundimtar për të gjithë kandidatët.

Por realisht dua të them dhe më vjen keq që kandidatë me integritet dhe me vlera, që realisht mund t’i bënin mirë procesit, janë penalizuar për arsye subjektive.

Mendoni se mund të prishet marrëveshja për Vetting-un nga kjo që ndodhi sot?
Nuk besoj, nuk ka arsye, sepse marrëveshja ka në fondamentin e vet një natë shumë interesante bashkëpunimi dhe nuk ka arsye, që për çështje të kësaj natyre të mund të prishet.

Rama subjektive përse dhe kush është treguar subjektiv në penalizmin e kandidatëve?
Më lejoni ta shpjegoj edhe një herë atë që thashë, sepse duhet t’ju kërkoj ndjesë që nuk e kuptuat thelbin e arsyetimit tim dhe po e thjeshtëzoj: dikush që ka vëllanë, apo burrin ose motrën që punon në sistemin e drejtësisë, është konsideruar nga Avokati i Popullit ose ONM-ja në kushtet e konfliktit të interesit sepse do të vlerësojë, do t’i gjykojë, etj., njeriu me të cilin kanë lidhje të afërta familjare.

Ndërkohë që vetë ligji për konfliktin e interesit dhe ligjit për Vetting që ne e kemi miratuar ka parashikuar se si kapërcehet ky problem, sepse parashikon zëvendësues në grupet, në trupat përkatëse siç ndodh edhe kur shqyrtohet edhe një çështje në organet e drejtësisë, pra në gjykatë, dikush që ka lidhje të afërt me personin që gjykon tërhiqet.

Por gjithsesi është thënë për shkak të perceptimit që ka publiku për besueshmërinë e procesit, etj. Ndërkohë persona me të njëjtat kushte janë kaluar tek lista e parë, që është lista e pranuar, lista e bërë nga Avokati i Popullit, por për të cilën nuk ka rekomandim negativ as ONM-ja.

Pra, dikush që ka vëllanë apo burrin i jepet rekomandim negativ, dikush tjetër që ka prapë vëllanë, burrin ose motrën në sistem nuk jepet rekomandim negativ. Kjo është shprehje flagrante e aplikimit të dy standardeve, e subjektivizmit dhe papërgjegjshmërisë në përzgjedhje.

Pse nuk e përdorët mekanizmin e votës, me 4 vota t’i kalonit në listën e parë personat që ishin në të njëjtat kushte me konflikt interesi?
Sepse këta persona për të kaluar nga lista C në listën A duhet të merrnin pesë vota. Nuk u arrit konsensusi, sepse unë insistova nëse kemi dhe ndajmë të njëjtin vlerësim për vlerat që përfaqësojnë kandidatët do të ishte mirë që komisioni të votonte në bllok, emër për emër me 6 vota. U bë një provë, nuk u bënë pesë vota për të bërë kalimin dhe pas kësaj përfaqësuesit e opozitës e quajtën procesin selektiv dhe u larguan nga mbledhja.

Me sa kuptojmë, shqetësimi juaj për çështjen e personave me konflikt interesi që janë përjashtua ose jo është i njëjtë me atë të opozitës, kush nuk i bëri pesë votat?
Të mos paragjykojmë. Unë flas për atë që them unë dhe mos më sillni referenca çfarë thonë të tjerët, edhe një herë po e them: në listën e miratuar nga Avokati i Popullit dhe që është certifikuar dhe nga ONM-ja ka njerëz që janë në të njëjtat kushte me ca të tjerë që ONM-ja për rrjedhojë ose jo dhe Avokati i Popullit nuk i kanë kaluar. Kjo do të thotë që kemi qëndrim me dy standarde ndaj të njëjtit fenomen.

Këtë shqetësim ndau me ne dhe Partia Demokratike, po Partia Socialiste nuk e kishte këtë qëndrim?
Më vjen mirë që edhe PD-ja ka ndarë të njëjtin shqetësim, pasi ky në vlerësimin tim është një qëndrim parimor ndaj procesit të përzgjedhjes dhe procesi i përzgjedhjes rezultoi të ketë defekte dhe mangësi.