Kryemadhi: Protestat nuk do të ndalojnë në asnjë moment

506
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, deklaroi pas seancës së djeshme se Rama nuk shpëton dot nga përfshirja e tij në trafikun e drogës. “Ministrja e Drejtësisë iku me vrap, kur në fakt veprimi më qytetar që mund të bënte ishte dorëheqja, por veprimi ligjor që duhet bërë, ajo duhet arrestuar për shkelje të ligjit”, tha Kryemadhi. Ajo shtoi se sado që Rama të mundohet të largojë vëmendjen me histori nga më të ndryshmet apo dhe për të ringjallur, histerinë popullore apo për skena si regjisor apo si artist që mundohet t’i krijojë, nuk do ta shpëtojë dot. “Nuk do të shpëtojë dot nga mallkimi i 465 mijë shqiptarëve, të cilët kanë lënë vendin e tyre dhe janë larguar nga Shqipëria, sepse nuk kanë asnjë shpresë”, tha drejtuesja e LSI-së. Ajo përsëriti protestat do të vazhdojnë. “Protestat nuk do të ndalojnë në asnjë moment, nuk janë thjesht thirrja e qytetarëve në bulevard, janë nga më të ndryshmet. Keni protestat te minatorët, naftëtarët, te banorët e Fierit që janë kundër inceneratorit. Keni protesta te gjimnazistët, te studentët që janë për tarifa më të ulëta. Keni protesta te deputetët e kudo. Edhe te ata qytetarë të cilët quhen shtresa e mesme, por që Edi Rama i shkriu dhe i shkatërroi me taksat e larta”, nënvizoi Kryemadhi. Ajo shtoi se çdo ditë e më shumë urrejtja dhe mallkimet ndaj Ramës po shtohen, për shkak të asaj pasigurie që ka krijuar në Shqipëri. “Sot i kisha këpucët me takë të rëndë, mos u shqetësoni, çizmja është simboli, unë mendoj që çizmja më e rëndë që është çizmja e krimit të organizuar, e cila i ka rënë në kokë shqiptarëve, tashmë do të kthehet në çizme të çdo shqiptari që i bie në kokë Edi Ramës”, tha Kryemadhi. Ajo shtoi se data 18 dhjetor ka shënuar shkeljen e Kushtetutës, nxjerrjen nga shtrati Kushtetues të Parlamentit shqiptar.
Sigal