Përvjetori i pavarësisë së Kosovës, Begaj: E ardhmja e kombit shqiptar do të jetë në familjen europiane. Provokimet në veri na treguan se nuk kemi më kohë për të humbur…

Presidenti Bajram Begaj ka deklaruar se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë republikën e Kosovës në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj.

Këtë deklaratë Begaj e bëri gjatë fjalës së tij në pritjen e organizuar pasditen e sotme nga ambasada e Kosovës në Tiranë, me rastin 15 vjetorit të Shtetit të Pavarur të Kosovës.

NOA

“Kosova, shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Ishte fillimi i një epoke të re, ku shteti i Kosovës u projektua si një shtet modern, demokratik, që shihte nga e ardhmja, me një vullnet të palëkundur euro-atlantik.

Republika e Kosovës, një shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj. Në këto 15 vite, Kosova ia ka dalë më së miri të respektojë e të nderojë zotimin që i bëri botës, përmes firmëtarëve të pavarësisë, se ishte dhe do të jetë një faktor për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.

Lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme. Jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet dhe fitoret, dhimbjet dhe sukseset, i kemi të përbashkëta.

Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj. Partneriteti ynë strategjik duhet thelluar edhe më tej, në dobi të shteteve tona, të kombit tonë”, deklaroi Begaj.

Ai theksoi se situata e krijuar së fundmi gjatë provokimeve të rënda në veri të Kosovës, ishte një tregues i qartë se nuk kemi me kohë për të humbur në përpjekjet për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane.

“Mbështetja e pakursyer nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  për ne dhe për të gjithë Ballkanin, është një garanci sa politike po aq dhe gjeografike se e ardhmja e vendeve të rajonit nuk është ajo e luftërave dhe ndasive, por e dialogut dhe bashkëpunimit.

Aplikimi i Kosovës në procesin për anëtarësim në BE si dhe kalimi i propozimit për liberalizimin e vizave, na riforcuan bindjen se e ardhmja e kombit shqiptar do të jetë ajo e të qenurit bashkë në familjen e madhe evropiane.

Agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe tentativat për ta shtrirë konfliktin edhe në rajonin e Ballkanit, na bëjnë të kuptojmë akoma më mirë sot, se sa e rëndësishme është për faktorin shqiptar në Ballkan, të jetë i njëhsuar në qëndrimet e tij.

Situata e krijuar së fundmi gjatë provokimeve të rënda në veri të Kosovës, ishte një tregues i qartë se nuk kemi me kohë për të humbur. Shqipëria mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të duhet të fokusohet tek njohja e ndërsjellë dhe respektimi i minoriteteve.

Në këto 15 vite, Shqipëria ka parë me krenari lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës. Jam plotësisht i bindur se dhe në vitet në vijim, Shqipëria do të shohë me po aq krenari rrugëtimin euro-atlantik të shtetit të Kosovës; rrugëtim i cili do të përmbushë ëndrrën e çdo shqiptari brenda dhe jashtë trojeve tona”, u shpreh presidenti.