Kryebashkiakët e PS-së, para drejtësisë

440
Sigal

Hetimet anti-korrupsion  fillojnë nga kryebashkiakët socialistë

 Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm kallëzime penale ndaj ish-ministrave të qeverisë së shkuar, por edhe ndaj kryebashkiakëve aktualë, madje të socialistëve. Gjikën e pason edhe Kryebashkiaku i Pogradecit, ndaj të cilit i është rikthyer dosja për hetim në prokurori.  Kërkohet ndjekje penale për kreun e Bashkisë së Pogradecit , Artan Shkëmbi dhe dy nënkryetarët e kësaj bashkie. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë  kallëzim penal për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike të parashikuara nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal, për Kryetarin aktual të Bashkisë Pogradec,  dy nënkryetarët dhe tre drejtues të tjerë të kësaj bashkie. Sipas KLSH: “Auditimi i zhvilluar në këtë bashki, evidentoi se në zonën e qendrës së qytetit janë dhënë një sërë lejesh sheshi dhe ndërtimi në mungesë të Planit të Përgjithshëm Rregullues dhe të Studimit Urbanistik Pjesor të qendrës së qytetit të miratuar në KRRTRSH, veprime këto të kryera në kundërshtim me Ligjin nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën” dhe me  vendimin e KRRTRSH nr. 3, datë 21.8.2002 “Për dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrat e qyteteve”.  Nga auditimi i procedurave të e prokurimit në këtë bashki, janë konstatuar veprime të kundraligjshme që kanë sjellë dëme të konsiderueshme në lekë. Ato kanë të bëjnë me shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publike si tenderi me objekt “Rikonstruksioni i stadiumit dhe ambienteve rreth tij”, për të cilin është skualifikuar pa të drejtë ofertuesi me ofertën ekonomike më të vogël në vlerën 3,429,652 lekë e cila përbën dëm ekonomik si dhe përsa i përket zgjedhjes së procedurave të prokurimit në kundërshtim me Ligjin 9643, datë 20.12.2006 si tenderi me objekt “Rikonstruksioni i Shëtitores 10 Dëshmorët e Pojskës” etj.

 Dosja kundër Kryebashkiakut Gjika, transferohet në Tiranë

Dosja në ngarkim të Kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe shtatë të bashkëpandehurve të tjerë, të akuzuar për falsifikim dhe shpërdorim të detyrës, transferohet në Tiranë. Prokuroria e Vlorës depozitoi pak ditë më parë në Gjykatën e Lartë një kërkesë, për transferimin e dosjes penale në ngarkim të Kryebashkiakut Gjika, duke kërkuar që procesi gjyqësor ndaj tij të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës. Gjykata e Lartë pranoi dje kërkesën e Prokurorisë, duke e transferuar dosjen në Gjykatën e Tiranës. Kërkesa për transferim erdhi pas seancës së parë gjyqësore të këtij procesi të zhvilluar në Gjykatën e Vlorës më 15 nëntor, ku u vu re një prani e lartë e mbështetësve të Gjikës jashtë gjykatës, të cilët kanë dashur të futen edhe në seancë.