Ilir Meta: Politika të mos hapë plagë të reja, Çamëria dhe paradoksi i ligjit të luftës me Greqinë

456
Sigal

Gazeta Telegraf/

Kryetari i Kuvendit
sqaron pozicionin e tij për çështjen e Çamërisë

Kryetari i Kuvendit,
Ilir Meta deklaroi të enjten se “çështja çame është plaga më e thellë në
historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe si e tillë kërkon një
klimë tjetër për të cilën duhet të punojnë të gjithë në mënyrë konstruktive”.
Kryeparlamentari zgjodhi foltoren e Kuvendit për t’iu përgjigjur të gjitha
aludimeve pas vizitës së tij në Greqi. Për të theksuar rëndësinë e Shqipërisë
si faktor stabiliteti në rajon, Meta zgjodhi një frazë nga fjala në Kuvend, e
Kryetares së Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini sipas së cilës:
“Europa ka nevojë për Shqipërinë si një partnere e rëndësishme në stabilizimin
e një rajoni që përshkohet nga tensione të rrezikshme dhe përshtjellime
nacionaliste”. “Ndër gjërat kryesore për të cilat Europa, Amerika, NATO dhe
bota demokratike ka nevojë për Shqipërinë është në radhë të parë aftësia e saj
për të qenë faktor stabiliteti në këtë rajon të trazuar historikisht. Unë e
mbështes politikën e ‘zero’ probleme me fqinjët si një tentim, sepse më duket e
pamundur që të mos kemi asnjë problem me fqinjët. Nuk pres të kemi probleme me
Zelandën e Re sepse nuk na lidh puna, as me Australinë e vende të tjera.
Natyrisht që probleme do të kemi me fqinjët për tregti, për çështje dhe
interesa të ndryshme dhe këto problem duhet të përpiqemi t’i zgjidhim”.

Tabutë e politikës
shqiptare

Kryetari i Kuvendit u
shpreh se si politikan ka vetëm tre tabu: stabilitetin e Shqipërisë, integrimin
europian dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon, pra marrëdhënie të
fqinjësisë së mirë dhe Shqipërinë si shembull për bashkëpunimin rajonal”. “Janë
të treja të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën”, shtoi ai. Duke u ndalur te
vizita në Greqi, Kryetari i Kuvendit u shpreh se ajo u zhvillua në një situatë
jo shumë të qëndrueshme ekonomike dhe politike, por u shpreh shumë i kënaqur
për këtë vizitë, edhe pse ka ndodhur në një moment jo shumë pozitiv në kuptimin
e atmosferës, deklaratave, kundërdeklaratave të faktorëve të ndryshëm, publik e
jopublikë lidhur me çështjen çame. “Kam dëgjuar këtu se nuk është ngritur
çështja çame, jo vetëm kaq, por këtu kam dëgjuar se ka qasje të ndryshme me
ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Bushati, në një kohë kur deklarata ime në
përgjigje të pyetjes së gazetares greke pas takimit me ministrin e Jashtëm të
Greqisë ka qenë shumë e qartë se për çështjen çame kemi qasje të ndryshme. Në
fakt ka qenë diplomatike si përgjigje sepse qasjet ishin të kundërta”, theksoi
Meta. Ai shprehu keqardhjen edhe për aludimet se “ai është shprehur se çështja
çame i takon së shkuarës, pra nuk është një çështje aktuale dhe si e tillë nuk
është një çështje që duhet zgjidhur”. “Unë jam shprehur në mënyrë shumë të qartë
që në historinë e vjetër të dy popujve që dominohet nga bashkëjetesa dhe
bashkekzistenca ka edhe disa plagë të cilat dhëmbin edhe kur i përkëdhel dhe jo
më kur i shpon. E kam thënë në mënyrë të qartë që këto plagë duhet t’i kurojmë
dhe shërojmë me kujdes e qetësi në mënyrë konstruktive, në mënyrë që të na
dhembin sa më pak, por të mos krijojmë plagë të reja. Kjo është një sfidë shumë
e madhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe në marrëdhënien tonë me
të gjitha vendet në rajon”, tha më tej Meta. Po ashtu sipas tij, “kërkohen edhe
shumë hapa të tjerë për zgjidhjen e disa çështjeve, apo disa plagëve që janë më
të lehta se çështja çame”.

Mbi Ligjin e Luftës

“Të gjithë e dimë se
një problem i rëndësishëm për fat të keq mbetet fakti që ligji i luftës është
ende në fuqi. Kjo është fare paradoksale, pasi ne jemi të dy vende anëtare të
NATO-s dhe Greqia e ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit theksoi se “këto çështje por edhe shumë të tjera, sikurse
janë të drejtat pronësore të shqiptarëve që kanë jetuar dhe janë dëbuar me
forcë nga Greqia, janë ngritur në mënyrë zyrtare në çdo takim, ku pozitiv ka
qenë fakti se ka vullnet për të dëgjuar, pavarësisht nga reagimi për këto
çështje”. Sipas tij, ajo që ka penguar zgjidhjen e shumë çështjeve janë
fushatat elektorale në Greqi dhe Shqipëri dhe klima që krijohet për shkak të
këtyre fushatave, që vënë në pozitë të vështirë qeveritë. Meta kërkoi që të
hiqet dorë nga përpjekjet për të kthyer çështje të tilla në çështje të fushatës
së ardhshme elektorale. “Kam vënë re një vullnet shumë pozitiv tek kjo qeveri
për shumë çështje, sidomos në drejtim të integrimit të emigrantëve, hapa që si
ka bërë asnjë qeveri tjetër më parë, dhe një vullnet sa më konstruktiv për të
ecur në mënyrë të qëndrueshme në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve
tona”, shtoi ai. Për zgjidhjen e çështjes çame, Kryetari i Kuvendit u shpreh se
“duhet të ecim përpara në mënyrë të mençur, pasi kjo është çështja më e
vështirë, për të cilën deri tani nuk kam parë ndonjë forcë politike në Greqi që
të jetë e gatshme për të diskutuar”. “Në raport me Greqinë është shumë e
rëndësishme që ne të sillemi në mënyrë europiane dhe ta paraqesim drejt këtë
çështje, jo si një sfidë ndaj Greqisë, jo për të demaskuar Greqinë, kjo nuk na
ndihmon sepse nuk e zgjidh çështjen. Çështja çame nuk mund të zgjidhet në
mënyrë të njëanshme, sepse po të ishte e tillë do ishte zgjidhur me kohë”, tha
Meta. Zgjidhja e çështjes çame, sipas tij “kërkon dialog, mirëkuptim dhe
mirëbesim, i cili duhet të ndërtohet çdo ditë dhe jo të vritet qoftë edhe pa
dashje, për shkak të padurimit me të drejtë të shumë prej përfaqësuesve të
këtij komuniteti të jashtëzakonshëm dhe me shumë vlera”. Duke i konsideruar
jetike marrëdhëniet me Greqinë, Meta tha se “duhet të ngrihemi në një nivel me
të lartë dhe të tregojmë që të drejtat që ne fitojmë nuk duhet t’i
shpërdorojmë”.

Raportet me Serbinë

Meta theksoi se “në
politikën e jashtme gabimet dhe emocionet, vetërrëmbimet, dëshirat për të bërë
patjetër një lajm, qoftë edhe të momentit, apo akoma më keq për të tërhequr
vëmendjen nga një çështje dhe për të kaluar në një çështje tjetër, aq më tepër
kur është me karakter patriotik, mund të sjellin pasoja të gjata të cilat
përsëri i vuajnë qytetarët dhe i vuajnë njerëzit, i vuajnë popujt dhe shumë pak
politikanët”. “Unë u takova me Djukanoviçin në 1997 dhe u sulmova se takova
njeriun e Millosheviçit dhe jam krenar me atë që kam bërë më pas me të për
marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. E ndihmova UÇK-në, dhe nuk kam
kërkuar asnjëherë medalje, lavdërime. Madje kur kanë dashur të më japin
medalje, nuk e kam pranuar se e kam patur për detyrë. Por pasi u çlirua Kosova
kam bërë gjithçka për përmirësimin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, dhe
Kosovë-Serbi, edhe pse jam sulmuar”, tha Meta. Duke  vijuar më tej, ai deklaroi se është akuzuar
pse ka hequr në mënyrë të njëanshme vizat me Serbinë. “Se ishte një marrëzi që
ata nuk donin t’i hiqnin, ndërkohë që pas 6 muajsh ne do të përfitonim nga
liberalizimi i vizave. Ne atë bëmë sepse treguam që jemi një hap përpara. Jam
akuzuar pse kam shkuar në Preshevë i shoqëruar nga një ministër serb dhe s’e
kam patur shqetësim sepse ka qenë diçka shumë pozitive, me qëllim që tani
shqiptarët të shkojnë atje të pashoqëruar nga askush”, përfundoi ai.