Kreshnik Çollaku: Grupimi politik që e drejton PS-në, ka tendencë anti-europiane

557
Sigal

Ish-zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku, në intervistën për “Telegraf”, pohon se, përgjegjësi i vetëm i dështimit të marrjes së statusit, është grupimi politik që drejton PS-në. Sipas zotit Çollaku, alternativa ka, populli duhet të zgjedhë kë rrugë duhet të ndjekë për t’u integruar në BE.

–  Zoti Çollaku, kemi ne analiza realiste për mundësitë tona për afrimin me BE apo jo?

 – Besoj se po, pasi integrimi në BE konsiderohet nga shqiptarët si prioritet kombëtar. Besoj ky orientim është një inteligjencë strategjike kombëtare, që përputhet fort me identitetin tonë kombëtar, por dhe si një mënyrë racionale dhe pozitive për të rregulluar e më së fundi zgjidhur çështjen tonë kombëtare.

– Kemi ne analiza gjeostrategjike mbi matjen e efektivitetit të politikës sonë të jashtme apo jo?

– Besoj se ka përpjekje serioze. Por, gjithashtu, duhet pohuar se ka dhe shumë ujë të ndenjur në këto analiza që shndërrojnë propagandën apo sloganet në analizë. Unë besoj veçse publiku  ka filluar të bëhet selektiv dhe di të zgjidhë në mes analizave dhe propagandës. Sidomos, është  fat i madh që rinia po bëhet cilësisht selektive në këtë drejtim.

– Politikëbërja jonë (maxhoranca dhe opozita e  djeshme dhe e sotmja) a kanë bërë ato reforma që e afrojnë Shqipërinë në BE?

– Në rast se shikohet përpara sigurisht mbetet ende shumë për të bërë. Por, nëse për ndershmëri historike, vlerësohet realisht starti nga u nisëm apo na kishin degdisur 50 vite regjimi komunist, ajo, çka kemi bërë, është e pabesueshme dhe e pakrahasueshme më shumë vende afër nesh.

– Refuzimi edhe për herë të tretë nga BE-ja,  a  duhet pare edhe si mosbesim i Brukselit në vullnetin e klasës politike shqiptare për të ecur përpara në procesin e integrimit?

– Është gabim të përgjithësohet dhe përgjithësimi është në çdo rast i gabuar e nuk ndihmon të zgjidhen problemet. Çdo gabim ka një përgjegjës. Dhe përgjegjësi ka emër. Në këtë rast është mëse e qartë se statusi kandidat i vendit është vonuar, apo bllokuar për shkak të strategjisë politike nga grupi që drejton PS-ja . Dje në opozite, duke bllokuar, mosdhënë konsensusin për tre ligjet. Sot në maxhorancë, duke degraduar vrullshëm standardet demokratike në vend dhe për më tepër, duke dëshmuar hapur një tendencë euroskeptike dhe duke lidhur vendin me fuqi ekonomiko-politike të Lindjes, disa syresh edhe anti-perëndimorë. Ky është një problem i madh.

– Por a ekziston vërtet ky vullnet politik dhe a duhet parë si “problem shqiptar” që buron nga vullneti politik?

– Vullneti politik ekziston e nuk mund të akuzohet krejt klasa politike për këtë. Unë besoj se jo e majta në tërësi, por grupimi politik që e drejton atë sot ka shenja të qarta të një tendence antieuropiane. Kjo situatë do shkaktojë një dëm në interesat kombëtare, që do na duhen dekada ta korrigjojmë.

– Me këtë shkallë korrupsioni, ne a mund të bëhemi pjesë e BE-së?

– Sigurisht, korrupsioni është një problem madhor te ne. Luftë ndaj tij nuk do të ketë fund ndonjëherë. Fatkeqësisht në Shqipëri korrupsioni ka kaluar trajtat e mafiozitetit politik apo ekonomik. Ne sot kemi një maxhorancë të krijuar në bazë të shitblerjes së votave  dhe kjo është faza më e lartë dhe e rrezikshme e korrupsionit, pasi në mënyrë të qartë del nga trajta e korrupsionit ordiner dhe futet në fazën e aktivitetit mafioz, e parapolitik.

– Mos vallë,  BE-ja kërkon nga Shqipëria të fillojë arrestimi  i “peshkaqenëve” dhe jo i “cironkave”, duke filluar nga  ministrat dhe kryeministrat, sikurse tha edhe zoti Vuljaniç?

– Lufta ndaj korrupsionit ka vetëm një mjet, forcimin e shtetit ligjor, forcimin e institucioneve e pavarësia e tyre. Korrupsioni nuk luftohet me shou, sado audiencë të ketë ai. Por në një vend kur pushteti buron nga aktiviteti i hapur mafioz parapolitik, forcimi i institucioneve, apo sistemeve, që mund e duhet të luftojnë korrupsionin, bëhet e pamundur, madje vetë institucionet rrezikohen nga fuqia e mafies ekonomike politike e shndërruar në qeveri.

–  A duhet  të mbahet një takim publik midis Ramës dhe  Bashës për çështjet e integrimit?

– Do isha në favor të çdo takimi që prodhon diçka pozitive për vendin dhe kundra çdo lloj takimi i karakterit kozmetik. Rëndësi ka vullneti politik dhe në bindjen time, në rastin e z. Rama duket qartë një vullnet i ndryshëm në ecjen mbarë të gjërave në këtë. Përderisa ky vullnet të mos ndryshojë në kahun e duhur, atëherë dhe takimet butaforike nuk ndihmojnë.

– Sa vërtetësi ka që Europa nuk është gati të zgjerohet këtej nga ne për arsye fetare, kulturore dhe ekonomike e sociale?

– Unë kam bindjen se nuk ka qëndrime të tilla në Bruksel.  Në të kundërt, Brukseli nxit, mbështet dhe ndihmon. Qëndrimi refuzues i tij këtë radhë është më i rëndi se çdo herë tjetër. Nuk ka kushte më, d.m.th nuk është refuzim teknik, por mirëfilli politik. Dhe besoj se motivet e refuzimit politik të Brukselit janë të rënda. Motivi parë është se në këto tre muaj kanë qenë dëshmitarë të një degradimi të vrullshëm të standardeve demokratike në Shqipëri nga ana e qeverisë tonë. Dhe e dyta se kanë perceptuar në mënyrë të qartë qëndrime të afërta të qeverisë shqiptare me fuqi të Lindjes, lidhje të forta ekonomike në proces me këto fuqi, të cilat në mënyrë të qartë kanë kundërshtuar zgjerimin e BE-së dhe aplikimin e standardeve demokratike.