Ilir Meta: Shqipëria është në Evropë dhe do të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar

492
Sigal

Në mënyrë të veçantë, unë doja të theksoja se rezultati i angazhimit të kësaj maxhorance të re, kuLSIka një rol të rëndësishëm dhe domethënës, ka qenë progresi i vendit, i evidentuar mjaft qartë, i cilësuar domethënës dhe në mënyrë të vazhdueshme i inkurajuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ku vlerësimi më i saktë dhe më i qartë u dha nga propozimi, rekomandimi zyrtar dhe i mirëmbështetur i KE-së drejtuar Këshillit të vendeve anëtare të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Ndërkohë, që është për të ardhur keq, që me eksperiencën e tij të gjatë në politikë, Berisha  mund të ishte shumë më i përmbajtur dhe shumë më konstruktiv, sepse ne kemi qenë koherentë, kemi qenë koherentë, kur kemi qenë në koalicion me PD-në. Jemi edhe sot koherentë që jemi në koalicion me PS-në. Kemi qenë gjithëpërfshirës duke synuar edhe më parë për të vlerësuar dhe inkurajuar opozitën e dikurshme për të qenë pjesë e këtij procesi. Kemi qenë dhe jemi edhe sot mjaft vlerësues dhe të hapur e bashkëpunues me opozitën që këtë përgjegjësi të madhe për integrimin evropian të vendit ta ndajmë së bashku.

Deri një ditë përpara se Partia e Lirisë në një vend shumë të nderuar, mik dhe aleat si Holanda, e cila është jo vetëm forca kryesore opozitare, por e cila edhe kryeson në sondazhet më të fundit atje, e cila ka në program jo futjen e Shqipërisë në BE, por ka nxjerrjen e Holandës nga BE-ja, ku disa nga drejtuesit e saj, për fat të keq, ndoshta edhe të painformuar, por ndoshta edhe për arsye politike, përdorin edhe një retorikë kundër vendeve si Shqipëria, që s’ka asnjë lidhje me realitetin, duke i akuzuar si vende islamike, që nuk i duhen Evropës dhe ku përfaqësuesit nga më të lartë të saj kanë bërë të qartë se si mund të hyjë në Evropë një vend që është anëtar i Konferencës Islamike, firmën për të cilën e ka hedhur z. Berisha. Dhe që natyrisht nuk i lejohet një politikani me kaq përvojë që të bëjë këtë kërcim pindarik brenda dy ditësh. Pra dëgjuam nga shtatori deri një ditë përpara se Parlamenti holandez të vendoste veton për Shqipërinë, sepse kështu i ka procedurat Evropa, nuk i caktojmë ne, në gjuhën që statusi ishte kontribut vetëm i PD-së dhe i qeverisë së saj. Ne na kishte përjashtuar fare, që kishte qenë në koalicion katër vjet po ia bënte dhuratë maxhorancës dhe Edi Ramës. Dhe menjëherë, sapo ndodhi kjo gjë, gjithçka u kthye në të kundërt. Madje, për herë të parë zbuloi që Holandën e bëri skeptike Edi Rama, Ilir Meta, e kështu me radhë. Ndërkohë, që harron se zv.ministri i tij në kohën kur ky ishte Kryeministër kërkoi shpalljen “non-grata” të Ambasadorit të nderuar të këtij vendi në atë kohë. Inkoherenca të tilla janë të dëmshme dhe kërcime të tilla pindarike, kur bëhet fjala për një çështje kaq të rëndësishme, janë të papranueshme. Ne do të vazhdojmë reformat sikurse është shprehur edhe Kryeministri Edi Rama, sikurse është shprehur shumë qartë edhe Ministrja e Integrimit, sikurse është shprehur Ministri i Jashtëm, sikurse jemi shprehur të gjithë, sepse ne reformat i bëjmë në radhë të parë për qytetarët shqiptarë.

Së dyti, Shqipëria është në Evropë dhe do të jetë pjesë e Europës së Bashkuar në të ardhmen dhe me kontribute të veçanta dhe të spikatura. Dhe kjo është një çështje e padiskutueshme dhe e pakthyeshme.

Ne po shkojmë drejt diskutimit de miratimit të këtij projektbuxheti, i cili nuk është buxheti që të gjithë do të donim të bënim sipas dëshirave, premtimeve, kërkesave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë. Por mund të them pa asnjë diskutim se është alternativa më realiste për situatën mjaft problematike ku e katandisi vendin voluntarizmi dhe populizmi i ish-Kryeministrit Berisha. Nuk është e vërtetë që borxhi dhe deficiti u rritën në përmasa dramatike në këto tre muaj, sepse nuk kanë se si të rriten. E vërteta është që kjo qeveri me kurajo ka marrë përsipër të legalizojë borxhet e krijuara dhe të panjohura nga qeveria e mëparshme, që ishin një lak në fytin e biznesit, që sollën falimentimin dhe rrezikun e falimentimit të shumë e shumë bizneseve dhe rritjen e nivelit të kredive të këqija në sistemin bankar. Dhe ky është një hap i dhimbshëm, por një hap i domosdoshëm dhe realist për të stabilizuar situatën makroekonomike e financiare, për të ristrukturuar modelin e ekonomisë sonë dhe njëkohësisht për të garantuar ritme të qëndrueshme të rritjes ekonomike dhe për të ulur gradualisht si borxhin ashtu edhe deficitin përmes një programi mjaft transparent meFMN-në, por edhe me Bankën Botërore dhe partnerë të tjerë.  Ky projektbuxhet dhe paketa e re fiskale është produkt e një negociate mjaft intensive por edhe profesionale mes qeverisë dhe institucioneve më të rëndësishme botërore të financave,FMN-së dhe Bankës Botërore. Ai është edhe një përpjekje e përbashkët për të projektuar edhe një rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë.

T’i shohim për një çast qortimet e mundshme për paketën fiskale. Çfarë nuk shkon me të sipas kritikëve? Do të ishte ndokush kundër vendimet për heqjen e TVSH-së prej 10% për medikamentet, një akt që sjell çmime më të lira për pensionistët dhe qytetarët në përgjithësi? A mund të kundërshtohet akti tjetër për subvencionimin 10% të ushqimeve të shportës dhe energjisë për shtresat në nevojë, në mënyrë që ato të paguajnë më pak për bukën, vajin, orizin dhe energjinë? A mund të kritikohet vendimi për mbështetjen nga qeveria të fermerit shqiptar me vlerën prej 20% të TVSH-së për inputet bujqësore? Do të ngrihej dikush kundër heqjes së taksës për biznesin e vogël dhe uljen e tatimfitimit të biznesit të vogël me xhiro nga 2 deri në 8 milion lekë në vit, pra nga 10% të ulej në 7.5%? Ka edhe më shumë.

Natyrisht unë nuk jam aspak i lumtur të pranoj që rritja e tatimfitimit për biznesin e madh është një e keqe e domosdoshme. Në kushtet normale të ekonomisë së vendi një gjë e tillë sigurisht nuk do të duhej të ndodhte. Por ne nuk jemi në këto kushte. Partneriteti i ndershëm i qeverisë me biznesin qëndron në faktin se atij do t’i paguhen detyrimet e trashëguara.

Shqetësimi i shoqatave të biznesit është legjitim. Kam besim të thellë që do të luftohet që në burim evazioni fiskal. Do të formalizohet ekonomia duke rritur bazën e tatimpaguesve. Do të goditet fort korrupsioni dhe do të rritet performanca e administratës tatimore. Kjo administratë ishte kthyer në vitet e fundit në një instrument represiv për biznesin dhe duke qenë arbitrare ka rritur artificialisht de- fakto tatimin mbi fitimin në shifra të frikshme. Nëse nesër biznesi i ofrohet reduktim maksimal i burokracive të panevojshme dhe kjo gjë do të bëhet, nëse atij i shkurtohet koha dhe energjitë për të paguar në një dritare të gjitha detyrimet tatimore, kam bindjen e thellë se 15% i tatim fitimit të ardhshëm realisht do të jetë shumë më i vogël se 10% që de- juro i ka paguar deri më sot.