Komisioneri i BE uron Metën për postin e ri “Mund të sigurosh të ardhmen europiane të Shqipërisë”

496
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, z. Dimitris Avramopoulos i ka dërguar mesazh urimi z. Ilir Meta pas zgjedhjes së tij President i Republikës së Shqipërisë.
Në letrën e tij z. Avramopoulos shpreh bindjen se përvoja dhe përkushtimi i z. Meta ndaj vlerave evropiane do të udhëheqë Shqipërisë drejt të ardhmes më të mirë.
“I dashur Ilir, urime për zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë! Jam mëse i bindur se përvoja juaj, urtësia juaj, përkushtimi juaj ndaj vlerave evropiane dhe udhëheqja juaj do ta çojë Shqipërinë drejt një të ardhmeje shumë më të mirë”, thotë z. Avramopoulos, teksa thekson se rajoni ka nevojë për udhëheqës të cilët duhet të ndërtojnë marrëdhënie miqësie e bashlëpunimi me të gjitha vendet e Ballkanit.
“Gjatë kësaj kohe, kur populizmi dhe nacionalizmi janë në rritje, rajoni ynë ka nevojë për udhëheqës të cilët do të ndërtojnë marrëdhënie të forta miqësie, bashkëpunimi dhe paqeje me të gjithë popujt në rajon. Nuk mund të lejojmë që Ballkani të ‘ballkanizohet’ dhe duhet të shmangim çdo kthim në të kaluarën e tij të errët. E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të jetë përveçse ajo evropiane. Dhe ju mund ta siguroni këtë. Ju dhe vendi juaj do të keni gjithmonë mbështetjen dhe miqësinë time. Urimet më të mira! Përzemërsisht Dimitris Avramopoulos, Komisioneri i BE për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë”, shkruhet në mesazhin drejtuar z. Ilir Meta.
Sigal