Ilir Meta:“Për Kryeministër nuk kemi marrëveshje me Ramën”

506
Sigal

Intervista e  Ilir Meta, Kryetarit të LSI-së dhënë për emisionin “Prizëm” në  televizionin” AlbanianScreen”

– Z. Meta, Rikthimi juaj në kampin e majtë e bën garën më të vështirë apo ngjall ndonjë pikëpyetje të mbështetësit tuaj?

– Jam i bindur se mbështetësit eLSI-së rriten çdo ditë dhe aq më tepër kur në këto zgjedhjet, për herë të parë,LSI-ja do të jetë pjesë e procesit të administrimit të zgjedhjeve, duke pasur komisionarët e saj, duke pasur numëruesit e saj. Është e sigurt që gjithë kjo mbështetje në rritje do të reflektohet me besnikëri edhe në rezultatet përfundimtare.

-Publiku ka filluar të mendojë se PS dhe LSI, edhe pse janë aleatë kanë edhe një “por”. Ka ndonjë “por” sipas jush?

– Mendoj se kjo aleancë ka disa objektiva të qarta. Bazohet në disa parime të bëra publike edhe në marrëveshjen e Shkodrës. Ndërsa çështje edhe më specifike, si kjo që edhe ju përmendët, nuk janë çështjet më të rëndësishme dhe janë lehtësisht të zgjidhshme.

A ekziston problemi i Kryeministrit?

– Fakti që ekziston një debat ku është angazhuar edhe një pjesë e lidershipit të PD-së dhe një pjesë e analistëve më pranë maxhorancës aktuale se cili do të jetë Kryeministri nga e majta tregon bindjen e plotë se Kryeministër nuk do të jetë më Berisha pas 23 Qershorit. Ndërsa se kush do të jetë nga e majta, kjo do të jetë në respekt me votën e qytetarëve shqiptarë dhe është një çështje që Kushtetuta e zgjidh në mënyrë të qartë.

Nëse PS është e para nga votat e shqiptarëve, do të jetë Kryeministër Edi Rama apo jo?

– Ne nuk kemi asnjë dispozitë përjashtuese për askënd, sepse nuk kemi përse të paragjykojmë cilindo. Gjithçka do të vendoset në respekt me votën e qytetarëve shqiptarë. Për ne më e rëndësishme është që të hyjmë në një perspektivë të re për të gjithë vendin dhe e majta të tregojë të gjithë kapacitetet e saja për mirëqeverisje dhe për t’u përballur me probleme shumë të mprehta ekonomike dhe sociale. Ky është angazhimi ynë kryesor.

– Fushata juaj, e PS-së dhe LSI-së, është e veçuar. Ka ndonjë problem këtu apo është një zgjidhje taktike?

Mendoj se nuk ka asnjë gjë të panatyrshme po të kemi parasysh që sistemi është vetë i tillë, ku çdo forcë politike bën fushatën e saj. Edhe PSD bën fushatën e saj, edhe PDS po ashtu, edhe PBDNJ. Pavarësisht se forcat politike janë në një koalicion të përbashkët dhe kanë një objektiv të përbashkët, përsëri secila parti kërkon të arrijë maksimumin e votave të saj. Por kjo në fund fare është në funksion të suksesit të përbashkët të gjithë koalicionit. Pra, më duket mëse normale dhe më se e natyrshme për më tepër në rast se kemi një mospërputhje në atë që ndodh në kampin e djathtë apo te maxhoranca aktuale. Kjo ndodh për arsye se pothuajse të gjithë kryetarët e partive aleate të PD-së janë në listat e saj.

Ka zëra se mbështetësit tuaj dhe të PS-së në bazë z. Meta nuk e shohin njëri-tjetrin si aleatë. Ka direktiva nga ju dhe z. Rama për këtë?

– Direktivat nga ana eLSI-së janë për të bërë një fushatë mjaft konstruktive dhe pozitiviste në tërësi dhe aq më tepër në raport edhe me partitë që janë në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Unë mendoj se kandidatët tanë janë në përgjithësi një shembull i një fushate tepër pozitive, larg ngacmimeve të panevojshme dhe me karakter lokal.

– Mbetet  divergjenca  PS-LSI për çështjen e taksës progresive?

– Mendoj se vetë PS është e prirur për të vlerësuar me objektivitet dhe realizëm edhe këtë çështje. Por këtu nuk shtrohet problemi për taksën progresive, pro apo kundër saj, sepse çështja është më komplekse. Objektivi kryesor duhet të jetë rritja ekonomike e vendit dhe politika e taksave duhet të jetë në funksion të rritjes ekonomike të vendit, rritja e prodhimit në funksion të uljes së importeve dhe në funksion të rritjes së eksporteve për të pasur një ekonomi më konkurruese dhe më dinamike dhe që rritet në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme. Shqetësimi që ne kemi shprehur dhe që mendoj se është mjaft i rëndësishëm për tu pasur në konsideratë është që Shqipëria duhet të ndjekë edhe një politikë të taksave në raport me sipërmarrjet dhe me investitorët, e cila nuk e bën atë më pak atraktive se sa vendet e tjera të rajonit. Pa rritur investimet e huaja do ta kemi të vështirë ta zhvillojmë ekonominë tonë. Në këtë drejtim mendoj se ne kemi prioritete shumë të qarta dhe e shohim politikën e taksave të funksion të këtyre objektivave shumë të rëndësishme.

– A synoni ju karrigen e kreut të Partisë Socialiste?

– Absolutisht nuk ekziston ky synim, sepse unë  kam themeluar një forcë politike siLSI-në dhe shikoj kontributin tim në të ardhmen në funksion të kësaj force.

– Ka në shtyp të publikuar një mesazh të Ramës dërguar njerëzve, në të cilin ai zbulon një sondazh të brendshëm të PS. Nuk besoj se nuk ju ka bërë përshtypje, madje dhe ju ka shqetësuar. Sipas sondazhit rezulton se PS merr 18 vende, 13 i merr PD dhe 1 FRD. Ndërsa LSI asnjë vend. Ju ishit në dijeni të këtij mesazhi dhe si e pritët?

– Nuk i kam kushtuar asnjë rëndësi, as lajmit, as mesazhit, as identifikimit, për arsyen e thjeshtë, sepse ne kemi sondazhet tona, më të mira që bëhen në Shqipëri, nga një prej ekspertëve më të mirë në botë. Dhe e dimë shumë mirë se ku jemi ne dhe se ku janë të tjetër. Dhe qetësia jonë gjithë këtë fushatë tregon pikërisht atë siguri që vjen nga puna e madhe që është bërë dhe që do të sjellë një sukses të jashtëzakonshëm tëLSI-së.

– Mund të na thoni ndonjë gjë nga sondazhet tuaja?

– Sondazhet tona tregojnë seLSI-ja, në të gjitha drejtimet, do të jetë një parti me tregues 2 shifror në zgjedhjet e 23 qershorit. Këtë do ta shikoni dhe do të më ftoni prapë pas zgjedhjeve.

– Çështja e këtij sondazhi nuk duhet anashkaluar. Ka ndonjë domethënie. A e dinit ju këtë mesazhin e Ramës. Kishit biseduar, a ka një domethënie tjetër. Sepse kur e sheh me syrin e parë, ky mesazh ju dëmton ju si LSI…?

– Nuk ekziston asnjë dëmtim ndajLSI-së  nga çdolloj mesazhi, dhe nga çdo lloj sondazhi që mund të porositet. Sepse unë thashë se, ne kemi sondazhe nga më të mirat. Unë kam komunikuar me zotin Rama gjatë këtyre ditëve për çështje të ndryshme, por nuk e kam menduar të komunikoj për një gjë të tillë. Çështje të tilla për mua janë të parëndësishme.

– Ju keni ndërmend të dërgoni mesazhe siç kanë dërguar zoti Rama, apo Kryeministri Berisha për publikun e gjerë, apo keni ndonjë metodë tjetër?

– Ma kanë sugjeruar por unë mendoj se një mesazh mund t’i shqetësojë, jo vetëm qytetarët që janë të lëkundur apo ata që nuk janë pranëLSI, por edhe ata që janë anëtarë apo simpatizantë tëLSI-së, nuk më duket diçka e dobishme. Më duket sikur u cenoj atyre privatësinë e tyre. Celulari është një raport mes një familjari, shoqërisë dhe jo politik.

– Nëse koalicioni i majtë nuk i fiton zgjedhjet, LSI do ta vërë në pikëpyetje të qenit në opozitë, apo do pranonte një ftesë tjetër nga PD?

– Kjo është e përjashtuar në mënyrë të qartë sepseLSI-ja duke vendosur koalicionin parazgjedhor ka vendosur dhe koalicionin paszgjedhor për katër vitet e ardhshme si në maxhorancë ashtu edhe në opozitë, bashkë me PS dhe bashkë me partitë e tjera të koalicionit opozitar.

Nëse e majta i fiton zgjedhjet, cili do të jetë posti i z. Meta në qeveri?

Kjo është një çështje fare e parëndësishme për mua. E rëndësishme është e para që e majta do të fitojë zgjedhjet, e dyta që kontributi i LSI-së do të jetë shumë i madh dhe historik në këtë fitore ashtu sikurse është çdo ditë, dhe e treta që Shqipëria duke nisur nga 24 qershori të mos ketë më as ndalesa dhe as vonesa në rrugën e integrimit evropian, duke e parë atë gjithmonë si rrugën e zhvillimit të vendit.

– A e shihni veten si Kryeministër së shpejti apo në një perspektiv më të largët?

– Kjo është një pyetje që natyrisht më sjell një situatë të këndshme për arsye sepse unë kam qenë kryeministër në një moshë fare të re, 30-vjeçare. Dhe në këto kushte asnjëherë nuk ka qenë një shqetësim, një stres, apo një ankth i imi rikthimi patjetër në atë funksion sepse mendoj që ai funksion në radhë të parë është një përgjegjësi dhe nuk është thjesht dhe nuk duhet të jetë thjesht një ambicie që duhet realizuar me çdo kosto.

– A do të prishej koalicioni për emrin e Kryeministrit?

– Jo, absolutisht. Koalicioni mund të prishej vetëm për çështje të integrimit. Për emrin e Kryeministrit nuk prishet qeveria.