Prof. Dr. Lisen Bashkurti:“AK-ja vijon konstante dhe radikale të jete pjese e frontit opozitar”

478
Sigal

Numri 2 i AK-së, Prof. Dr. Lisen Bashkurti, që është edhe kryesuesi i listës së AK-së në Qarkun e Durrësit, në intervistën për “Telegraf” zbardh për herë të parë të vërtetën e largimit të Pashaj e Ballës nga AK-ja dhe  rolin që luajti Kreshnik Spahiu.

– Zoti Bashkurti, pak ditë më parë AK-ja bëri një Kongres me të vërtetë madhështor. Cilat janë objektivat elektorale të Kongresit për AK-në?

– Kongresi i AK-së ishte konventa elektorale, që miratoi programin elektoral, bëri disa përmirësime në organet kryesore drejtuese dhe amendime statutore. Gjithashtu, në Kongres u prezantuan 140 kandidatët për deputetë të AK-së. Kongresi u karakterizua nga një unitet e solidaritet i lartë, nga mbështetje e fuqishme e vendimit politik për të dalë të vetëm në zgjedhje, si dhe pati një entuziazëm të jashtëzakonshëm, çka reflekton optimizëm të lartë për fitoren e AK-së në zgjedhjet e 23 Qershorit.

Zoti Bashkurti, a pajtoheni se kohët e fundit AK është përballur me një situatë politike të vështirë?

– Kohët e fundit është krijuar përshtypja më tepër virtuale e mediatike, sesa reale, sipas së cilës AK-ja është përballur me një krizë politike të brendshme. Mund të them se, pavarësisht disa tërheqjeve të lira, që disa kolegë kanë bërë nga AK-ja, sërish ajo që më së shumti po karakterizon procesin politik në AK janë prurjet e mëdha, anëtarësimet masive, aktivitete të pambarim qytet më qytet, komunë më komunë, lagje më lagje e shtëpi më shtëpi. Kufizimi i hapësirës mediatike për AK-në nuk është aspak element pozitiv për mediat tona. Por, çdo e keqe e ka një të mirë. Ky kufizim mediatik na ka bërë të shumëfishojmë aktivitetet në terren me njerëzit. Praktika politike elektorale edhe në Perëndim ka dëshmuar se takimet me njerëz janë më efikase se çdo gjë tjetër.

– Është rastësi që shumë drejtues të AK-së u larguan nga AK-ja, pikërisht, pasi Kreshnik Spahiu refuzoi bashkëpunimin me PS-në?

– Natyrisht, mosarritja e marrëveshjes për koalicion me PS-në ka pasur ndikimet e veta të disa eksponentëve të AK-së. Por, ndikime ka pasur edhe në eksponentë të vetë PS-së. Tek të dy palët ka pasur pritshmëri të ndryshme nga ajo çka rezultoi. Por në politikë jo çdo negocim përfundon me marrëveshje domosdoshmërisht. Ajo që mbetet themelore dhe këtë dua t’ia them të gjithë liderëve të opozitës, është fakti që AK-ja vijon në mënyrë konstante, madje me radikale të jetë pjesë e frontit opozitar, vijon të jetë për rotacion politik, për një qeveri që të vijë nga opozita, por me personalitete të papërfshira e të papërfolura për krime e korrupsion.

– Përse nuk bëhen transparente shkaqet e ngjarjet që ndodhën në AK, sepse kështu të jepet përshtypja që intrigat politike që mbizotërojnë në partitë e deritanishme, janë protagonistë edhe në AK.

– Nuk di të ketë asnjë lloj terri informativ, apo mungesë transparence në AK. Madje, mund të them se kemi transparencë deri në tejdukshmëri. AK-ja është tërësisht forcë e hapur. Si e tillë, ka dinamikat  e saj të natyrshme me hyrje, me prurje të shumta, por edhe me ndonjë largim, që gjithashtu nuk duhet konceptuar si “krizë”, por dukuri dinamike në demokraci.

– Përse AK-ja dhe FRD-ja, nuk u munduan të krijonin një alternativë të tretë, meqë të dyja janë opozitare edhe ndaj PD-së, por edhe ndaj PS-së?

– Tanimë jemi në mesin e fushatës elektorale. AK dhe FRD po  luftojnë të vetme në garë. Për këtë arsye, mendoj, se është mirë që këto forca të reja të provohen nga vota e sovranit. Legjitimimi nga sovrani është kusht sine qua non në demokraci. Pas zgjedhjeve do shikohen e do konsiderohen qëndrimet politike të të dy këtyre forcave lidhur me qeverinë e re.

– Nëse AK-ja fiton mandat në Kuvend dhe këto do të jenë përcaktues në shumatoren qeverisëse, ju mund të rigjeni mundësinë e bashkëpunimit me PS-në, apo do të jeni opozitarë?

– AK-ja do të përfaqësohet në parlamentin e ardhshëm. Vota e saj do jetë për rotacion dhe për një qeveri nga opozita. Por përbërja e qeverisë dhe drejtimi i saj do të përcaktohen nga principet që AK-ja ka për mirëqeverisjen e vendit, pa korrupsion, krim dhe pa militantizëm e amatorizëm. Gjithsesi, kjo ngelet për t’u gjykuar pas zgjedhjeve dhe varësisht nga masa e përfaqësimit të AK-së në Parlament.

– Elektoratit tuaj, ua keni përcaktuar qëndrimin e strategjinë paszgjedhjeve?

– Po, një nga qëllimet kryesore të Kongresit që sapo mbaruam ishte pikërisht shpalosja publike e programit dhe e strategjisë elektorale të AK-së në këto zgjedhje dhe më pas.

– Si e shpjegoni, që njerëzit janë të zhgënjyer nga partitë politike, nuk kanë besim se ato (edhe PD, edhe PS) do të bëjnë diçka të mirë për të mirën e tyre, e megjithatë, u japin votëbesimin, vazhdimisht?

– Nuk është lehtë të ndryshosh mentalitetin e një populli me tradite demokratike e kulturë politike relativisht jo aq të zhvilluar. Gjithashtu, duhet mbajtur parasysh se propaganda mediatike dhe abuzimi mediatik trysnon tej mase dhe manipulon shumë mendjet qytetare, e sidomos në zonat rurale në Shqipëri. Por, nga takimet në terren dhe analizat politike që po bëj, më rezulton se në Shqipëri po bien bastionet, po ndryshojnë hartat elektorale, po ndodh një tektonikë politike e vërtetë, po tentohet për një mendim e qëndrim ndryshe. Në këto dinamika, mendoj se AK-ja po luan një rol mjaft të identifikuar dhe aktiv.

– A mund të arrihet demokratizimi i Shqipërisë dhe i shoqërisë, pa u demokratizuar së pari vetë partitë?

– Demokracia në Shqipëri është pa traditë. Edhe partitë politike, pavarësisht se kaluan dy dekada, mund të quhen sërish të reja.  Edhe së brendshmi, edhe së jashtmi, institucionet politike në Shqipëri vuajnë mungesën e traditës dhe të kulturës demokratike. Është një kosto që do ta paguajmë si popull e si vend. Natyrisht, kjo kosto sa vjen e po reduktohet. Presioni demokratik mbi partitë politike po vjen i fuqishëm nga shoqëria dhe nga mendimet e ndryshme, nga brenda vendit dhe nga faktorët demokratikë ndërkombëtarë.

– Sa optimist duhet të jemi, që zgjedhjet e 23 Qershorit do të ndryshojnë diçka në të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët?

– Mendoj se koha dhe vetë procesi po punon për ndryshim të madh e të thellë. Natyrisht, sikundër populli ynë thotë: “Nuk pritet lisi me një të rënë”, pra problematikat serioze të vendit, sidomos në sistemin politik, në institucione dhe në ekonomi,  janë sfida shumë të mëdha për çdo qeveri, që do të vijë pas 23 Qershorit. Sidoqoftë, ndryshimi politik i pritur do ngjallë më shumë shpresë, energji pozitive, solidaritet e kohezion në shoqërinë shqiptare, çka do nxitin ndryshime pozitive, padyshim.

– Rasti i KQZ-së dëshmoi që partitë e kanë të pamundur konceptin e kompromisit, për hir të interesave të mëdha, siç janë edhe zhvillimi i zgjedhjeve me standarde. Cila është “përse”-ja?

– Procesi zgjedhor nuk po shkon i lirë e demokratik. Kodi Zgjedhor po shkelet nga maxhoranca. Institucionet e menaxhimit të zgjedhjeve nuk po funksionojnë siç duhet. Ka kaos e mosfunksionim normal të procesit të zgjedhjeve. Nëse situata nuk ndryshon, mund të kemi konsekuenca negative shumë serioze për gjithë vendin.

– Që partitë parlamentare- më në fund- gjetën konsensusin për 3 ligjet, mund të shpresojmë se u ndërgjegjësuan për përgjegjësitë kolektive që kanë ato për fatet e integrimit?

– Më në fund ndodhi ajo që është përsëritur shpesh në politikën shqiptare. Unë e quaj këtë sjellje me shprehjen “Katër vite pa kokëçarje, katër orë me alarm”. Sidoqoftë, ishte pozitive, madje shumë pozitive arritja e konsensusit për miratimin e dy ligjeve dhe Rregullores së parlamentit shqiptar. Por kemi edhe një test serioz përpara demokracive Perëndimore, madje testin më serioz: Zgjedhjet e 23 Qershorit.

 Roli i Spahiut në largimet e Pashajit e Ballës

– Largimet e Pashajit dhe Ballës nga AK-ja, lidhen me  autoritarizmin e udhëheqësit Kreshnik Spahiu?

– Kreshnik Spahiu nuk ka asnjë element autoritarizmi në natyrën e tij njerëzore, por  edhe si lider. Unë punoj çdo ditë me të dhe e shoh në marrëdhëniet personale, në marrëdhëniet e tij me kolegët dhe në frymën me të cilën punohet në AK përgjithësisht. Kreshnik Spahiu është një lider i mirëfilltë qytetar nga karakteri, kultura dhe sjellja e tij politike. Mendoj se disa media e kanë epitetuar për arsye të pavërteta Kreshnik Spahiun si lider autokratik. Jo, jo, asnjë element autokracie, asnjë lloj fryme individualiste, apo mospërfillëse ndaj kolegëve e forumeve nuk ekziston tek Spahiu. Këtu ai ndryshon shumë nga liderët e tjerë të politikës shqiptare. Natyrisht, Kreshnik Spahiu është zgjedhur nga Kongresi direkt kryetar i AK-së. Ai përfaqëson një organ politik vendimmarrës në krye të AK-së.

Faleminderit!