Partizan Myftari/”Armiqtë” tanë të fryrë dhe zemërimi ynë i heshtur…

476
Sigal

Fushata elektorale nuk bëhet mes partive, kandidatëve si një fushatë normale, por bëhet mes dy palëve armike

Janë të lodhshëm!

Fushata elektorale e radhës nuk bëhet mes partive, kandidatëve si një fushatë normale, por luhet si të bëhet mes dy palëve armike… Fantazia e tyre i ngjan atyre gjahtarëve të rëndomtë që u është shkrepur mendja për të shkrehur një çifte dhe shkojnë pyll për gjah edhe pse nuk mund të jetë sezoni i vrasjes… Politikanët tanë tashmë të diplomuar për vlerat e tyre të pa aftësisë po shkëlqejnë çdo ditë edhe me një psikologji primitive urrejtje midis tyre… Me sa shihet kjo është një tam – tum i vjetër i trashëgimisë sonë mbi vlerat reciproke të kundërshtarit, mbi vlerat e domosdoshme të një sistemi, mbi natyrën e komunikimit jashtë fushës së urrejtjes primitive. Gjuha e ashpër e fushatës elektorale më shumë se sa të pasurohet simentikisht me një shtrat komunikimi frutdhënës ka një shfrenim të tepruar egoist e armiqësor…  Më çuditi argumenti i kandidatit për deputet në Skrapar të zotit Fidel Ylli… Nuk flas për gjera abstrakte, për një përmbytje emocionale mbi luftë kundërshtarësh, por mbi thelbin esencial të një fushate etike e plot kulturë shtruar në simetrinë reale të problemeve. Zoti Ylli i lumtur për rikandidimin e tij në Skrapar, pas prezantimit nga zoti Shalsi (një prezantim klasik qesharak) kur skraparllinjtë e njohin më mirë vet zotin Fidel Ylli si djalë me origjinë skraparase. Prezantimi i Shalsit (me shalë të zgjatura fjalësh) pati edhe një çast “mbretëror”, ku Partia Socialiste po prezantonte kandidatin më të mirë të kohërave të saj. Të kohërave të shkuara dhe të atyre që do të vinë…

Emocional, jo?!…

Salla gjëmoi nga duartrokitjet dhe Fidel Ylli u përlot prej emocioneve të mikpritësve… Pasi dëgjova fjalët e Shalsit po prisja reagimin, fjalën e kandidatit Ylli… Ai vinte nga kryeqyteti, ku gjërat jo vetëm mund të kenë sens të dyfishtë, por domosdoshmërish, mendoj unë, sjellin ligjërisht edhe etikën që i mungon në shumë raste provincës…

Më befasoi!

Jo thjeshtësia e përcjelljes. As etika e një djali lindur e rritur në Tiranë, por ngërçi i tij se si do t’iu shpjegonte skraparllinjve të tij (edhe skraparllinjve të mi) kompromisin “historik” mes PS dhe LSI….

Ky kompromis, edhe pse PS e legjitimon me sondazhe, me këshilla e vlerësime situatash politike, shumë qytetarëve të ndershëmve u ka mbetur si një thikë mbas shpine për dy arsye:

E para. Rreshtimi për gati katër vjet me maxhorancën e Berishës me votat e së majtës si një shou politik, si një lëvizje e re në skenën politike (Në fakt të gjitha llogaritë nën rrogoz zbuluan remarrshe të egra politike, matje fuqie midis Ramës dhe Metës, ndarje e nën rrogoz e paralizuar e kabineteve ministrore dhe vënia në provë e zonave të influencës. Jo të zonave elektorale, por të individëve të paskrupull që janë në politik vetëm për interesat e tyre kriminale dhe përdoren rregullisht si zare të një loje sa të rëndomtë por aq edhe të turpshme. Kjo skemë dështoi.

Përkohësisht, dështoi…

E dyta: ngjarja pas videos së përgatitur nga ish- ministri i tij, Dritan Prifti që u vlerësua si një skandal politik dhe rriti zemërimin e opozitës aq sa Berisha do t’i shpërblente me katër vdekje në mes të bulevardit dhe Meta do  t’i pagëzonte “kokë palarë”.

Kompromisi lindi mbi këto e pas këtyre…

Ky akt kulmor i qeverisjes me gjak, me vrasje  dhe me fyerje tregoi jo fuqinë e maxhorancës, por skllavërimin e saj si një pjesë e humbur, e degraduar, e krimbëzuar, e vemjuar, të moralit përballë vlerave të vërteta që i duhen jo vetëm një shoqërie të tranzicionit si jona, por edhe si gur themeltar, ku nis mirëkuptimi i madh i një shoqërie moderne civile.

Zoti Fidel Ylli për të qenë sa më origjinal u kujtoi bashkë patrioteve të tij se kompromisi ynë me LSI-në i ngjan atij faktit historik të Luftës së Dytë Botërore, ku rusët anglezët dhe amerikanët u bënë bashkë kundër armikut të përbashkët: Hitlerit.

Nënteksti kuptohet. Kompromisi ynë me LSI kundër armikut të përbashkët: Berishës.

Nëse Berisha shikohet si armik, natyrshëm edhe Berisha, Fidel Yllin me “Rilindjen” do t’i shoh si armiqtë rival. Ne votuesit, që e kuptojmë me pak vështirësi nuancën e armikut mes shqiptarëve na mbetet në dorë, në sy e në mendje zemërimi…

Jemi pak naiv, por sytë tanë në llogoren tjetër shikojnë ca shqiptarë kundërshtarë idesh, projektesh, mendimesh, por jo armiq.

Pse kjo gjuhë e hidhët?!

Edhe nga kampi tjetër Berisha pse i lodhur, i dërrmuar, i mbaruar moralisht, prej kohësh i ka hequr këpucët për kundërshtarët politik, prej kohësh ka veshur antiplumbin, prej kohësh kërcënon dhëmbët, prej kohësh zemërimit tonë, në emër të “Shtetit” ka vendosur përpara bajoneta urrejtjesh, tragjedi Gërdeci, vrasje 21 Janari…Ai, e ka “mbushur” kupën për të mos qenë aty ku është, por verbëria e tij është verbëri e stimuluar me një “legjitim” të egër “fituar” me dhunën e tij.

I paafti ynë nuk është armiku ynë. Nëse është i tillë, ku është ndryshimi i Berishës me Metën që bashkëqeverisën katër vjet?! Berisha ndau pushtetin me Metën për të qëndruar në pushtet….

Me llogarinë e thjeshtë të atëhershme pushteti mund të ndahej edhe midis Ramës dhe Metës!

Përse nuk ndodhi kjo?! Sepse Meta prej kohësh ka qenë aleat i fshehtë i Berishës dhe i porsaardhuri në PS (Rama) nuk i kishte dhënë provat se mund të ishin “aleatë seriozë” të pushteteve….

Pra, ëndrra për pushtet, për pushtetin e tyre, në çdo fushatë, pjell armiq mes nesh. “Armiqtë” tanë në të vërtetë nuk janë tanët por janë mes tyre për shkak se janë armiq të vlerave humane, të qeverisjes humane, të humanizmit të popullit… Koncepti i Lirisë në trurin e tyre është një formalitet juridik dhe në aktin e veprimit një banditizëm mbi zemërimin tonë të heshtur… Edhe këtë fushatë elektorale duart tona do të skuqen nga përplasjet mbi premtimet madhështore, por ata kanë hyrë në luftë mes tyre si armiq dhe si të tillë as “Ndryshimi” e as “Rilindja” nuk do të munden të ecin para nëse Atdheu nuk pushtohet nga Moralistët. Idealistët dhe të Ndershmit… Ata grinden për dyzet ditë, fryhen, por zemërimit tonë të heshtur nuk i dihet as ditëlindja, as mosha dhe as fuqia e dhimbjes.