Ilir Meta: Presim ndryshime, por ato janë në dorë të Ramës

418
Dekriminalizmi, reforma në drejtësi, çelja e negociatave dhe ekonomia janë disa nga prioritetet e LSI, siç theksoi edhe kryetari i LSI Ilir Meta në kryesinë e LSI. Ilir Meta në kryesinë e LSI theksoi angazhimin total të LSI për të realizuar sa më shpejt dhe me konsensus procesin e dekriminalizimit, në mënyrë që të çrrënjoset një herë e mirë çdo lloj ndikimi kriminal në politikën e vendit. “Jo vetëm kaq, por edhe për të vendosur standarde të larta të integritetit të përfaqësuesve publikë të qytetarëve shqiptarë. Ndaj vlerësojmë faktin, që ky proces tashmë ka hyrë në trasenë e konsensusit dhe jemi mjaft të interesuar që ky proces të përfundojë sa më shpejt, pasi të dyja draftet janë më shumë se 90 për qind të tyre të përafërta dhe shpresojmë që diferencat të kapërcehen me konsensus. Nëse jo, kemi rënë dakord për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias dhe për të pranuar çdo vendim të tij”, tha z. Meta. Më tej, Lideri i LSI-së Ilir Meta theksoi se reforma në drejtësi është më e rëndësishmja dhe se synohet një ndryshim rrënjësor i sistemit të drejtësisë, gjithnjë në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit dhe të goditjes shembullore të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.“Po kështu, çelja e negociatave me BE-në mbetet një prioritet kryesor, i cili natyrisht mund të arrihet vetëm pas kalimit me sukses të dy sfidave që përmenda më parë”. Duke u ndalur te çështjet ekonomike dhe që kanë të bëjnë me buxhetin, Kryetari i LSI-së u shpreh se gjithçka duhet realizuar në funksion të përmirësimit të situatës ekonomike, e cila padyshim që paraqet sfida të jashtëzakonshme.

Ilir Meta: Përmirësim i sistemit zgjedhor
Njëkohësisht në këtë drejtim do të doja të theksoja edhe rëndësinë që ka raporti i ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Është e rëndësishme që ky raport të shërbejë si një platformë për të përmirësuar sistemin tonë zgjedhor dhe njëkohësisht për të zbatuar të gjitha ato rekomandime të cilat janë mjaft të vlefshme dhe të dobishme në mënyrë që të mos kemi asnjë shqetësim për zgjedhjet e ardhshme. Dhe të gjitha këto sfida kërkojnë një angazhim të mëtejshëm, një hapje të mëtejshme të gjithë strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim anembanë vendit dhe unë kam besim në angazhimin dhe në përkrahjen e tyre për t’i përballuar me sukses këto sfida dhe këto prioritete që unë theksova në fillim të kësaj fjale dhe të këtij takimi.- tha kryetari i LSI, Ilir Meta. 

Meta: Ndryshimet janë në dorë të Ramës
Kryetari i LSI, Ilir Meta, i pyetur për ndryshimet e mundshme në qeveri, u përgjigj: Ne gjithmonë kërkojmë impulse të reja qeverisëse, kërkojmë standarde më të larta të qeverisjes. Për sa i takon ndryshimeve, ia kemi lënë iniciativën gjithmonë Kryeministrit, kur ai e gjykon të arsyeshme.

A i ka këto impulse qeveria deri më tani apo duhen rinovuar?
Në qoftë se ju jeni të kënaqur me impulset e deritanishme, unë nuk do të isha shumë i lumtur për vlerësimin tuaj. Unë besoj se gjithnjë ka nevojë për impulse gjithnjë e më të gjalla dhe më të fuqishme.

A do të kemi ndryshime në qeveri?
Kjo është pyetje që i takon Kryeministrit Rama.
Sigal