Prof. Dr. Afrim Krasniqi: Janë shtuar ministrat, deputetët dhe zyrtarët e lartë me mjekër, për t’u dukur …Rilindas

704
Politologu Prof. Dr. Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike, në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon se poltiika jonë është gjithnjë e tensionuar dhe konfliktuale, jo për problemet që shqetësojnë qytetarët, por sepsekjo buron nga marrëdhënia midis politikës dhe burimeve, ku klane dhe persona duan pushtetin, për të kontrolluar këto burime. Ndaj, shtohen të varfërit dhe pakësohen politikanët e varfër. Pasoja, pohon Prof. Dr. Krasniqi, është se “Shqipëria sot nuk ka shoqëri qytetare, vota e fjala nuk kanë vlerë”. Prof. Krasniqi thotë se deputetët e inkriminuar janë emërimi dhe sponsorizimi personal nga vetë lideri politik. Duke u shrpehur ëpr reformat, Prof. Krasniqi shprehet se “Qytetari që nuk ka faturë në rrugë arrestohet, kurse politikanët e korruptuar që gjenden me shumicë në parlament imunizohen”. 

-Zoti Krasniqi, ju si e shpjegoni që politika jonë është gjithnjë e polarizuar, e tensionuar, dhe në fund, nuk kemi asnjë produktivitet në dobi të progresit?
– Janë tipare të një vendi pa përvojë në demokraci dhe pa institucione që garantojnë funksionin normal të demokracisë. Të mësuar, që fati ynë të varet nga vullneti i liderëve të veçantë dhe klaneve të tyre, ne vijojmë të presim zgjidhje nga vullnetet personale dhe jo nga institucionet, që qëndrojnë mbi këto vullnete. Elementi i dytë ndikues është marrëdhënia midis politikës që kërkon dominim dhe burimeve të kufizuara në dispozicion. Duke qënë vend i vogël dhe i vërfër ekonomikisht, invidë e klane pranë tyre e duan pushtetin për të kontrolluar të vetme këto burime. Nuk ka burime për të gjithë, ndaj nuk ka edhe konsensus. Lufta për këto burime, shumica abuzuese me pushtetin dhe kapacitetet ekonomike, përbën edhe thelbin e konfliktit politik permanent në Shqipëri. Ajo që mbetet, interesi publik e shtetëror, është dytësor për këtë model të klasës politike, dhe ndaj, progresi është minimal, numri i qytetarëve të varfër vijon të rritet, kurse numri i politikanëve të varfër vijon të ulet. 

– Përse në politikën e tensionuar mungojnë çështjet e përditshme që shqetësojnë popullin, si rritja e varfërisë, shtimi i popullsinë, shkaqet e largimit masiv të shqiptarëve azilkërkues në Europë?
– Sepse asnjëra prej tyre nuk është kartë elektorale dhe se palët politike nuk kanë dallime në qëndrimet e tyre, as kur ishin në pushtet dhe as në opozitë, në trajtimin e këtyre cështjeve. Varfëria është produkt konsensual, abuzimi e korrupsioni janë produkte konsensuale, emigrimi është produkt konsensual, është çështje e mënyrës sesi elita politike drejtuese me konsensus të heshtur dhe kompromise të fshehta kanë vendosur të ushqejnë e drejtojnë me rotacion një sistem të padrejtë, të kalbur dhe korruptiv politik dhe administrues. Nëse politika do bëhej qytetare, nëse do kishte moral dhe integritet, nëse fjala e vota do kishin vlerë, atëherë qytetarët do ishin më të pavarur, më të fuqishëm, më imponues dhe problematikat që i shqetësojnë ata do ishin axhendë prioritare politike. Shqipëria sot nuk ka shoqëri qytetare, vota e fjala nuk kanë vlerë, moraliteti politik konsiderohet tallës dhe démodé, ndaj edhe politika imponon gjithçka, nuk jep llogari dhe nuk ka mekanizëm kontrolli.

– Maxhoranca dhe opozita kanë qëndrimet e tyre diametrikisht të kundërta për kriminalizimin e politikës, por ajo që bie në sy është se as PS as PD nuk guxojnë të thonë kush është përgjegjës politikë për kriminalizimin e parlamentit. Përse ndodh kjo?
-Nuk janë aq shumë të kundërt, përkundrazi. Duket se ka pasur dhe ka konsensus për dhënie imuniteti politik për politikanët e korruptuar dhe për mbështetjen politike nga grupe e individë me të kaluar, apo të sotme kriminale. Nëse njëra palë do ishte ndryshe, pra do të impononte një model ndryshe në CV e kandidatëve dhe sjelljen politike, atëherë nën presion publik do imponohej e njëjta sjellje edhe tek pala tjetër. Fakti se palët pranojnë se njëra ka më pak e tjetra më shumë të inkriminura, pra që dy palët kanë të tillë, përbën dramën dhe zhgënjimin tonë më të madh. Nuk ka fyerje më të madhe për këtë vend, për qytetarët, intelektin, aspiratat, të djeshmen të sotmen dhe të ardhmen sesa të kemi kriminelë në parlament dhe në nivele vendimmarrëse. Nuk është faj, është krim ndaj vetë shtetit, ndaj demokracisë, ndaj interesave shtetërore dhe ndaj vlerave që ende besojmë se na bashkojnë me Evropën. Ata që janë përgjegjës nuk janë anonime, përkundrazi, janë liderit kryesorë politikë, prej të cilëve, paradoksalisht, sot po shpresojmë se do vijë zgjidhja. Ata dhe vetëm ata janë përgjegjës, pasi kudo në botë ka kriminelë, por asnjë politikan serioz dhe me integritet nuk i emëron ata deputetë përmes listave të mbyllura proporcionale, siç bënë shumica e kryetarëve të partive tona parlamentare në zgjedhjet e vitit 2013 dhe ato lokale 2015.

– Në ndryshimet kushtetuese që maxhoranca e opozita nuk prekin Sistemin Elektoral, i cili u dha mundësinë personave me rekorde kriminale të të bëhen deputetë. Mendoni se dekriminalizimi mund të bëhet pa u ndryshuar Kodi Zgjedhor?
– Procesi funksional i dekriminalizimit bëhet me vullnet politik, nuk ka nevojë për ndërhyrje ligjore dhe as kushtetuese. Nuk kemi të bëjmë me individë të panjohur, që vijnë në planetin tonë, na hyjnë në politikë përmes votës dhe sot kërkojmë mekanizma ligjore, sesi t’i pengojmë. Kemi të bëjmë me individë me të kaluar, ose të tashmë kriminale, që janë zgjedhur, promovuar dhe mbrojtur pikërisht për këtë cilësi, nuk janë produkt vote, por emërimi dhe sponsorizimi personal nga vetë liderit politikë. Ndaj zgjidhja nuk vjen nga KQZ dhe as ndonjë klauzolë ligjore, sa vjen nga nevoja për të ndryshuar mentalitetin personal të liderëve tanë politikë, produkt i të cilëve është politika dhe parlamenti i inkriminuar. Gjithësesi, kur kjo nuk mund të ndodhë opsioni i dytë është shpresa se përmes forcimit të ligjit mund të fillojë të gjendet zgjidhja. Dhe në këtë opsion, është jetike ndryshimi në Kushtetutë, pasi ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk mund të jenë dominuese ndaj parimeve, rregullave dhe klauzolave që gjenden në kushtetutën e Shqipërisë.
– Maxhoranca dhe opozita kanë divergjenca të mëdha edhe për reformën e drejtësisë edhe pse pretendohet se politika nuk do ndikojë në këtë reformë. Sa besueshmëri do ketë që reforma do të sjellë drejtësinë në shinat e drejtësisë? Reforma mungon, që politika të mos ndikojë në drejtësi?
– Sistemi i sotëm i drejtësisë, si gjithçka tjetër, nuk është produkt qytetar dhe as aksidental, – mbi të gjitha ai është produkt politik. Kriteri kryesor i promovimit në sistem përgjatë 25 viteve ka qenë kriteri politik. Çdo mazhorancë ka synuar votën e promovimin për gjyqtarët besnikë të saj, ndaj kemi rreth 12 dekrete presidenciale të refuzuar pa argument bindës në parlament, ndërkohë që në kupolën e lartë të drejtësisë gjenden të gjithë miqtë dhe avokatët personale të liderëve kryesorë politikë. Ndaj, një reformë serioze duhet të godasë sistemin aty ku është kalbur, tek komponenti politik i saj. Janë një sërë idesh e propozimesh të mira të cilat duhen përkrahur, siç ka pika që janë venë aty për shkak të interesave afatshkurtra politike dhe, duke pasur në konsideratë emra të vecantë gjyqtarësh, apo emra të veçantë të drejtuesve të institucioneve kushtetuese. Kjo e fundit është praktikë e gabuar, e papranueshme dhe është fyese të etiketohet reformë. Gjithësesi, pas hyrjes edhe të opozitës në proces dhe kalimit të drafteve tek Komisioni i Venecias, le të shpresojmë për më të mirën në kushtet ku ndodhemi, në klimën ku ndodhemi dhe me mundësitë që kemi, të cilat, gjithësesi, janë larg reformës ideale, që ka nevojë vendi dhe që meriton një shtet me potencial antërësimi në BE.

-A mund të quajmë reforma ligjet që ka ndërmarë qeveria për luftimin e informalitetit, ku penaliteti është parësor dhe mungon politika e informimit dhe e sensibilizimit?
– Detyra e çdo qeveria është përkushtimi për zbatimin e ligjit dhe në këtë sens, qeveria aktuale pjesërisht po vepron mirë. Përgjegjësia e çdo qeverie është që zbatimi i ligjit të jetë i barabartë, i drejtë dhe transparent dhe në këtë pikë qeveria aktuale po vepron keq. Aktet e qeverisë vijojnë të vuajnë nga qasje klienteliste, diferencuese dhe diskriminuese ndaj të varfërve, ndaj qytetarëve pa mbështetje, ndaj biznesit të vogël dhe ndaj atyre që janë kritik me të, ose që refuzon sistemin oligarkik ku ne ndodhemi. Ja një shembull: me ligj ne kemi të caktuar minimumin jetik për qytetarët dhe me Kushtetutë ngarkojmë qeverinë të mundësojë minimumin jetik për çdo qytetar. Në fakt, qeveria po kujdeset për pjesën e parë, por jo për përgjegjësinë që buron nga Kushtetuta. Për të më shumë rëndësi ka aplikimi i gjobave ndaj çdo biznesi e qytetari, sesa përgjegjësia e saj për të mundësuar jetesë normale dhe barazi konkurruese e përfaqësimi për secilin prej tyre. Shikoni ditët e fundit: vala e gjobave ka prekur biznesin e vogël, atë familjar, atë lokal, ndërkohë që qeveria vijon të promovojë biznesin e madh, shumë prej të cilëve janë borxhlinjtë më të mëdhenj të buxhtetit të shtetit. Ministrat flasin për mijëra punësime e biznese të reja, kur në fakt janë të njëjtit individë, që detyrohen të regjistrohen përsëri e përsëri, për shkak të natyrës policore e eksperimentale të tatimeve, doganave dhe sistemit abuzues administrativ. Ose, më tej, qytetari që nuk ka faturë në rrugë arrestohet, kurse politikanët e korruptuar që gjenden me shumicë në parlament imunizohen, promovohen dhe shumëfishohen. Kjo e bën sistemin të pabesueshëm dhe për pasojë, jo efektiv. 

– Pas 2 vjetësh qeverisje nga Rilindja, a mund të themi që kemi një ndryshim qeverisjeje, sic u pretendua?
– Gjërat jo serioze nuk meritojnë trajtime serioze. Ndaj përgjigjen po e jap me gjuhën që meriton. Të dukesh rilindas në kushtet e sotme ka dy mënyra: të jesh i ndershëm e të bësh punë të mira, ose të bëhesh me mjekër. E keni vënë re se kohët e fundit na janë shtuar ministrat, deputetët dhe zyrtarët e lartë me mjekër? Siç duket ata kanë zgjedhur rrugën e dytë! Fatkeqësisht.
– Faleminderit!
Sigal