Opozita shqiptare zbarkon në Tiranë

553
PD, sot mitingu, çadra nuk do të mbyllet

Partia Demokratike pritet të organizojë një miting masiv në bulevardin kryesor të Tiranës, pas 12 javësh protestë në atë që cilësohet si Çadra e Lirisë. Prej 18 shkurtit demokratët kërkojnë ngritjen e një qeverie teknike, si kusht për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu, PD dhe aleatët nuk janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në garën e 18 qershorit, ku Partia Socialiste e aleatët e saj shprehen të vendosur për të garuar. 

Kryetari demokrat, Lulzim Basha, u shpreh se në protestën e sotme në orën 12:00 do të jenë bashkë maturantët, sipërmarrësit e vegjël, fermerët, të përndjekurit e pensionistët. “Bashkohen me ne, të zhgënjyerit dhe të mashtruarit, vëllezërit dhe motrat tona, të majtë, socialistët e ndershëm shqiptarë që bashkë me ne do t’i thonë ndal krimit, ndal drogës, që njësoj si ne duam një Shqipëri që qeveriset përmes votës së qytetarëve, dhe jo përmes diktatit, drogës dhe krimit. Që po aq sa ne dhe me të drejtë, më shumë se ne duan ta pastrojnë të majtën shqiptare nga kriminelët, nga trafikantët, nga dallkaukët, dhe kështu së bashku ballë për ballë nga formacionet tona të vërteta politike, por vetëm në synimin tonë për një Shqipëri evropiane, të bëjmë garën e ndershme, të alternativave që do të mundësohet vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha. Ai shtoi se me protestën do të bashkohen intelektualët, akademikët, sportistët, artistët, truri dhe shpirti i kombit. “Elita e vërtetë e kombit e cila sot rri mënjanë me sytë përdhe, sepse është zëvendësuar nga kriminelët, nga trafikantët, nga oligarkët barkderra dhe pushtetarët e korruptuar me në krye Edi Ramën”, nënvizoi Basha.

Për kreun demokrat, “forca e bashkimit, drejtësia e kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, premtimi i Republikës së Re, që është republika ku fatin do ta kenë në dorë qytetarët dhe askush tjetër, janë arsyet, motivet, të cilat me bekimin e Zotit të madh, do të mblidhen shqiptarët në këtë bashkim, në këtë rrugëtim, në ditën e parë të Republikës së Re, realitetit të pakthyeshëm që nuk ka krim, drogë e oligarki ta ndalë”. “Ndaj me vendosmëri, me paqe dhe gëzim në zemrat tona, me besimin e patundur që sjell forca më e madhe e një shoqërie, inkurajimi më i madh i një kombi, që është bashkimi më i madh rreth vlerave: Mirë se vini, vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja, qytetare dhe qytetarë, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, të shtunën në orën 12.00, në sheshin e historisë, në sheshin e vlerave, në sheshin e të ardhmes sonë evropiane!”, bëri thirrje Basha. 

Partia Demokratike ka deklaruar se do të organizojë sot një nga protestat e saj më të mëdha, ndërsa kryetari Lulzim Basha u shpreh se çadra në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk do të hiqet. Gjithashtu parashikohet që protesta të ketë një kohëzgjatje më të madhe, ndërsa detajet do të zbulohen nga vetë Basha gjatë paradites së sotme. Në të njëjtën kohë, vetë PD-ja mësohet se ka marrë masat e saj për të garantuar një protestë paqësore, duke organizuar një trup të posaçme me të rinj për të kontrolluar respektimin e rendit publik. Gjithashtu, forcat e policisë janë vendosur në gatishmëri për të garantuar zhvillimin normal të protestës së Partisë Demokratike. 
Sigal