Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Të dy marrëveshjet e Kosovës mund të rinegociohen

496
Edhe pse Kosova nuk u pranua në UNESCO, kjo më shumë për faj të acarimit të politikës në Kosovë, prapëseprapë, as qeveria dhe as opozita nuk ka në nxjerrë mësime politike, por përkundrazi, të dy palët po tensionojnë në kulm politikën atje, saqë rrezikojnë gjithçka, të paktën për reputacionin e shtetit të ri të Kosovës. Prof. Dr. Lisen Bashkurti, njohës i diplomacisë ndërkombëtare, në intervistën për gazetën “Telegraf”pohon se, thelbi i konfliktit në Kosovë janë marrëveshja për asociasionin e komunave serbe midis Kosovës dhe Serbisë, si edhe marrëveshja për demarkacionin e kufirit territorial Kosovë-Mal i Zi. Prof. Bashkurti pohon se, “Kjo situatë e rëndë është kundër të gjithëve në Kosovë. Kjo situatë politike nuk është në favor të askujt në Kosovë… Ndaj Prof. Bashkurti shikon si zgjidhjen e vetme. “Mbasi të shterohen gjitha rrugët ligjore, pra, deri të Gjykata Kushtetuese, marrëveshjet mund dhe duhet të ri-negociohen. Por ri-negocimi të bëhet në mënyrë transparente dhe me bazë të gjerë demokratike vendimmarrëse, ku opozita të jetë palë dhe grupet e interesit të jenë të përfshira”. 
-Zoti Bashkurti, cili është thelbi i konfliktit politik opozitë-qeveri në Kosovë?
– Thelbi i konfliktit politik në Kosovë ka marrë përmasat e konfrontimit serioz, kryesisht për shkak të dy marrëveshjeve që qeveria e Kosovës ka firmosur kohet e fundit. Është marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE dhe marrëveshja për demarkacionin e kufirit territorial midis Kosovës dhe Malit të Zi. Qeveria insiston që këto marrëveshje janë korrekte, nuk cenojnë pavarësinë, sovranitetin dhe territorialitetin e Kosovës, ndërsa opozita i quan këto marrëveshje cenim serioz i pavarësisë, i sovranitetit dhe i integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Opozita e quan “zajednicen” bosnjizim të mundshëm të Kosovës, ndërsa marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e konsideron shitje e territoreve të Kosovës. 
– Ku gabon opozita dhe ku qeveria në qëndrimet politike që mbajnë ndaj njëra- tjetrës?
– Mendoj se qeveria e Kosovës ka gabuar seriozisht në procedurat e përgatitjes, negocimit dhe firmosjes së të dy marrëveshjeve. Qeveria e Kosovës është dashur të ishte më transparente, më e përgjegjshme dhe më gjithëpërfshirëse në procesin e përgatitjes, të negocimit dhe të firmosjes së marrëveshjeve. Është parim themelor demokratik që nga Uillsoni deri te parimet qeverisëse të BE që për marrëveshje me peshë dhe konsekuenca kombëtare dhe publike, qeveritë duhet të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse. Qeverisë së Kosovës i kanë munguar këto dy parime në procedurën e përpilimit, të negocimit dhe të firmosjes së dy marrëveshjeve të lartpërmendura. Nëse procedurat përpiluese, negociuese dhe firmosëse janë transparente dhe gjithëpërfshirëse ka pak dhe aspak mundësi për kontestime e ballafaqime politike. Nëse shkelen procedurat demokratike, atëherë priten, e madje arsyetohen kontestimet dhe ballafaqimet politike. 
Nga ana tjetër, opozita pavarësisht nga arsyetimi politik nacional e qytetar, sërish nevojitet të shmange mjetet violente dhe sidomos paralizimin e funksionimit konstitucional të parlamentit. Qëllimi fisnik i opozitës nuk mund të arsyetojë mjetet jo demokratike dhe jo konstitucionale. 
– Mendoni se në Kosovë, kështu siç zhvillohen ngjarjet, a ka në politikëbërjen kosovare koncepte demokratike të shtetndërtimit e shtetfunksionimit?
– Kosova ka demonstruar aftësi të larta shtetformuese dhe qeverisëse në këto shtatë vite të pavarësisë. Ky konstatim pozitiv është jashtë çdo dyshimi. Këtë e provon progresi shtetformues dhe njohja ndërkombëtare. Gjithashtu, aftësinë shtetformuese e provon qartësisht fakti që Kosova ka arritur të prodhojë paqe brenda multietnicitetit të saj dhe paqe në rajon me politikën ndaj fqinjëve. Kështu, shteti i Kosovës ka hedhur poshtë ndërkombëtarisht me prova tezën e vjetër dhe të re të Serbisë se, “Kosova e pavarur do ishte spastrim etnik i pakicës serbe në Kosovë dhe krizë Ballkanike”. Tanimë kjo teze serbe ka rënë poshtë nga realiteti i Kosovës politike. Kjo është meritë kryekëput e shtetit të Kosovës. Problemet e Kosovës sot lidhen më shumë me aspektin e funksionalizimit të demokracisë parlamentare dhe të qeverisjes së modelit Evropian. Dy kritika kam për parlamentarizmin në Kosovë dhe për qeverisjen në Kosovë. Mendoj se parlamenti i Kosovës po funksionon si klub partiak dhe drejtuesit e parlamenti po sillen si drejtues partish politike. Ky funksionim dhe kjo sjellje ka rrënuar besimin ndërmjet deputetëve. Kur bie besimi ndërmjet deputetëve, bie besimi në popull tek parlamentarizmi. Dhe kur cenohet besimi te parlamentarizmi cenohet rëndë demokracia në vend. Ndërsa lidhur me qeverinë, mendoj se ka pasur sjellje autokratike, totalitariste dhe imponuese me fuqinë e kartonave. Kjo sjellje është shumë e gabuar. Në demokraci thonë etërit e saj qeverisë opozita, në kuptimin se çdo qeveri respekton, konsideron dhe përfshin sa më shumë opozitën në punët e qeverisjes së vendit. Qeveria e Kosovës është treguar shpërfillëse ndaj opozitës, duke përdorur dhunën e kartonëve. Në kushtet e dhunës së kartoneve, opozita ka braktisur sjelljen demokratike. Për aksion-reaksion, të dy palët kanë cenuar rëndë rendin kushtetues dhe parimet demokratike parlamentare dhe qeverisë. 
– Në cilin mulli të politikës çon ujë ky acarim i skajshëm politik në Kosovë?
– Kjo situatë e rëndë është kundër të gjithëve në Kosovë. Kjo situatë politike nuk është në favor të askujt në Kosovë. Po dëmtohen marrëdhëniet e shtetit me qytetarët, po dobësohet besimi te politika dhe lidershipi, po bie reputacioni i qeverisë, po tronditet respekti për opozitën, por dëmtohet stabiliteti politik, po gërryhet kohezioni social-ekonomik dhe përbaltoset pa të drejtë imazhi ndërkombëtar i shtetit më të ri në botë, Kosovës. Pozita dhe opozita lypet të mbajnë sytë te interesat kombëtare dhe te nevojat e qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm kundrejt njëra-tjetrës. Referimi te interesi kombëtar dhe nevojat qytetare është ilaçi më i mirë për afrimin e palëve nga kontrontuese në kompromis. 
– Çfarë mund të bëhet konkretisht për marrëveshjet e kontestuara?
-. Të dy marrëveshjet nuk mund të hidhen poshtë, sepse janë firmosur nga institucionet kushtetuese për politikë të jashtme, që është qeveria e Kosovës, por as nuk mund të ratifikohen pa një konsensus të gjerë parlamentar, që kërkon opozita, sepse lidhen me interesa të gjëra kombëtare dhe qytetare. Mbasi të shterohen gjitha rrugët ligjore, pra deri të Gjykata Kushtetuese, marrëveshjet mund dhe duhet të ri-negociohen. Por ri-negocimi të bëhet në mënyrë transparente dhe me bazë të gjerë demokratike vendimmarrëse, ku opozita të jetë palë dhe grupet e interesit të jenë të përfshira. 
– Cilat janë pasojat politike për vetë Kosovën në arenën ndërkombëtare, nga këto konflikte të acaruara politike brenda saj?
– Në një shtet të vjetër dhe në një demokraci të konsoliduar këto dukuri janë të njohura dhe ndërkombëtarisht të pranueshme. Por Kosova është shteti ri dhe krizat e dëmtojnë në themel. Kosova është demokraci e brishte dhe krizat e tronditin në tërësi. Në këtë situatë sui generis aktorët politikë e institucionalë në Kosovë lypet të jenë më të përgjegjshëm. Gabimet me pasoja në imazhin ndërkombëtar, nuk korrektohen si gabimet politike të brendshme. Gabimet e brendshme në demokraci i korrigjon sovrani më votën e qytetarëve të lirë. Gabimet ndërkombëtare i korrigjon faktori ndërkombëtar që nuk varet nga qytetarët e Kosovës. Është kjo arsyeja që dëmtimi i imazhit ndërkombëtar krijon stereotipa negative politike që mbeten shumë gjatë në memorien e shteteve, organizatave ndërkombëtare, popujve dhe mediave botërore. Pasojat e veprimeve të politikanëve të ditëve të sotme të Kosovës të jeni të sigurt që do krijojnë pasoja që do të paguhen nga shumë gjenerata të ardhshme qytetarësh dhe politikanësh të Kosovës. Prandaj, vijoj të apeloj për demokraci, tolerancë dhe kompromis në qarqet politike, parlamentare dhe qeveritare të Kosovës. 
Sigal