Helsinki Amerika: Votimet pa kandidatë alternativë, jo legjitime

565
Sigal

Flet për VOA, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit Robert Hand: Kriza e 30 qershorit është për të ardhur keq. Votimet e njëanshme do të kenë probleme për të ardhmen. Qeverisja problematike, mungesa e dialogut, sulmi mbi mediat, zhgënjimi për shkarkimin e ministrit të Jashtëm dhe pse e shoh të vështirë kryesimin e OSBE-së në 2020

Robert Hand, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit intervistë  për Zërin e Amerikës

Disa prirje të qeverisë shqiptare janë shqetësuese

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand, thotë se kriza e shumëfishtë në Shqipëri ndodh në një moment kritik për vendin, ndërsa Bashkimi Evropian pritet të marrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit dhe në një kohë që Shqipëria pritet të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së vitin e ardhshëm. Vendi në këtë moment ka nevojë për një udhëheqje të përgjegjshme politike, shton ai.

Kryesimi i OSBE nga Shqipëria në 2020 shumë e vështirë

-Zëri i Amerikës: Zoti Hand, Si i shikoni ju këto zhvillime në Shqipëri?

-Robert Hand: Lufta politike mes partive, ose mes udhëheqësve të partive, zhvillohet pa marrë parasysh nevojën për përparimin e vendit. Dhe e gjithë kjo ndodh në një moment tepër kritik, kur Bashkimi Evropian pritet të marrë në tetor vendimin për të hapur ose jo negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një moment tjetër po aq kritik është fakti se Shqipëria po bëhet gati të kryesojë OSBE-në vitin e ardhshëm. Ky është një post i rëndësishëm, nuk është diçka simbolike, ku thjesht vë emrin në krye të listës së 57 vendeve anëtare. OSBE-ja merret me konfliktin në Ukrainë, me agresionin rus, merret me konfliktet që egzistojnë në mbarë rajonin, merret me nxitjen e demokracisë në vende si Rusia por edhe në vendet e tjera të Azisë Qendrore. Arritja e suksesit në 2020 do të ishte shumë e vështirë në se vendi që ka kryesinë do ta ketë mendjen tek mosmarrëveshjet e veta të brendshme, në vend që të përfaqësonte Evropën për të ofruar zgjidhje për problemet me të cilat ndeshet rajoni në tërësi.

30 Qershori, për të ardhur keq

-A mendoni se zgjedhjet e fundit të 30 qershorit janë legjitime?

-Pati debat për datën dhe se çfarë duhet bërë, për shkak edhe të mungesës së gjykatave dhe nuk pati kohë të mjaftueshme për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje, pra nuk kishte alternativë tjetër veç bërjes së tyre. Është për të ardhur keq, pasi në se ato janë legjitime apo jo, nuk pati kandidatë alternativë në zgjedhje dhe për rrjedhojë ato janë më pak legjitime. Ky do të jetë një problem për të ardhmen.

-Situata e tanishme është edhe një lloj pasoje e reformës në drejtësi për të cilën këmbëngulën Shtetet e Bashkuara. Në këtë kontekst a mendoni se Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen më të angazhuara?

– Nuk mendoj se duhet të luajnë rol ndërmjetësues. Shqiptarët duhet të largohen nga praktika e të kërkuarit ndihmë nga të huajt për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet e brendshme. Po, mendoj se Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur për reformën dhe vetingun e gjyqtarëve, që çoi në mosfunksionimin e gjykatave, kanë luajtur një rol në këtë drejtim. Por mendoj se reforma dhe vetingu ishin të nevojshëm. Ndërkohë vendi ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme politike për të ecur përpara, deri në krijimin e një sistemi të besueshëm drejtësie, që do të zgjidhte mosmarëveshje të kësaj natyre. Ndërkohë u takon politikanëve të jenë të hapur për dialog dhe të arrijnë një zgjidhje, që vendi të ecë përpara në këtë kohë kritike.

Qeverisja problematike

-Cili është mendimi juaj për qeverisjen e kryeministrit Edi Rama?

-Në mandatin e dytë, kur vjen tek viti i gjashtë, fillojnë dalin zhvillime, që janë problematike. Megjithatë disa prirje të kësaj qeverie janë shqetësuese. Është shqetësuese nisma lidhur me median në internet dhe masat që mund të merren kundër portaleve të lajmeve, pasi mund të jenë vendime arbitrare nga një ent administrativ. Po ashtu është shqetësues problemi i korrupsionit që është i kudo-ndodhur në Shqipëri.

-Si e shpjegoni prirjen që është vënë re në Shqipëri në këto 30 vitet e fundit. Një vend i dalë nga diktatura vazhdon të priret drejt udhëheqësve të fortë, personaliteteve të forta dhe jo drejt demokracisë brenda partive.

– Ajo që mund të them është se sa më shumë hapje dhe sa më pak vendimmarrje nga lart poshtë që të ketë, aq më shumë do të përfitonte Shqipëria dhe populli shqiptar. Është diçka për të cilën unë do të vazhdoj të ngul këmbë.

Është zhgënjyes shkarkimi i ministrit të Jashtëm

-Ju përmendët rolin e Shqipërisë kur të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së, vitin e ardhshëm. Cilat pritet të jenë sfidat me të cilat do të ndeshet Shqipëria.

– Mund t’ju them se vitin e kaluar, kur dëgjuam për herë të parë që Shqipëria propozoi të kryesonte OSBE-në në vitin 2020, unë u tregova jashtëzakonisht mbështetës. Dhe unë mendoj se ajo mund ta bënte këtë shumë mirë. Ajo ka një trup diplomatik shumë profesional, ministri i Jashtëm që po e mbështeste këtë ide, ishte kompetent, ai kishte shumë vite përvojë. Por ishte shumë zhgënjyes fakti që brenda një muaji pasi OSBE-ja u pajtua me idenë, në ministrinë e jashtme pati ndryshime. Ju e dini: tani ka një pikëpyetje nëse kjo përvojë është ende aty për të arritur ta shtyjë përpara OSBE-në.