Katundi socialist e ka ulur veten tek tepsia dhe timoni

441
Alma ÇUKA
Paskal Milo: Rama dhe Basha frikë nga rritja e LSI-së. Katundi socialist ka ulur veten tek tepsia dhe timoni
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale flet me detaje për mënyrën se si dy forcat e mëdha janë duke bërë politikë. Marrëveshjen e tyre e konsideron të errët. Rrëfen katër opsionet e koalicionit të mundshëm. Historinë 4-vjeçare të PS-së e quan dështim
Vetëm dhjetë ditë na ndajnë nga zgjedhjet Parlamentare të 25 qershorit. Të gjitha partitë duket se janë vënë në garë dhe po bëjnë bilancet e fundit. Secila prej tyre e ka të qartë numrin e votuesve që ka në të gjitha zonat. Por si do të jetë kurba e rritjes së partive në këto zgjedhje? Cila prej partive do të dalë forcë e parë? Si do të jenë të ndërtuara koalicionet paszgjedhore? Kujt i shërben retorika politike e përdorur në këto zgjedhje nga dy forcat e mëdha Politike PS dhe PD?. Të gjitha këtyre pyetjeve dhe të tjera shumë të rëndësishme i jep përgjigje kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo. Profesor Milo është shumë i qartë se në këto zgjedhje ndryshimin më të madh duhet ta japë rinia, gruaja, të gjithë qytetarët që për katër vite qëndruan në pritje të përmbushjes së premtimeve të mëdha të bëra në vitin 2013 nga lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas Paskal Milos, Rama ka dështuar në politik-bërje dhe për këtë arsye populli duhet ta ndëshkojë me votën e tij të lirë. Por ndërsa jep të gjitha alternativat e tij, Milo ka frikën e ndërhyrjeve brutale që dy forcat e mëdha mund t’i bëjnë votës së lirë të qytetarëve. 
Jemi dy javë para zgjedhjeve, në pjesën vendimtare të tyre. Si e shini këtë fushatë deri në këto momente?
Fushata e tanishme zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë, është nga më të veçantat por dhe më të çuditshmet në historinë e pluralizmit politik në Shqipëri. Kjo, për faktin se për herë të parë po ndodh që dy parti të mëdha politike bëhen bashkë për të përcaktuar edhe rregullat e lojës në mënyrë të paligjshme për zgjedhjet, bëhen bashkë për të luftuar partitë e tjera, për të skicuar një të ardhme bipolare për politikën shqiptare, për ta çuar Shqipërinë në emër të Integrimit Evropian të saj në drejtim të paditur

Ju besoni që kjo marrëveshje është bërë qëllimisht për të dëmtuar partitë e vogla dhe për të dalë pas 25 qershorit në bashkëqeverisje?
Bindja ime e plotë e mbështetur në analizën dhe përvojën time, është se marrëveshja Rama-Basha, e këtyre dy të ashtuquajturve kundërshtarë të egër dhe që papritur dhe pandehur u bënë dashnorët e zgjedhjeve gjoja të lira dhe të ndershme, është antidemokratike që nga mënyra se si u bë, jo thjeshtë natën, por shpejtësia dhe temat për të cilat u morën vesh, është me shumë mëdyshje. Së pari, është një zgjatim i marrëveshjes së vitit 2008, Rama-Berisha, që do të thotë, që duan të ndryshojnë dhe Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, gjithnjë në përputhje me interesat e tyre dhe për ta justifikuar para shqiptarëve këtë përçudnim. Flasin në emër të demokracisë, në emër të krijimit të shtetit dhe të funksionimit të tij, në emër të reformave të mëdha. Këta njerëz që tani flasin me këtë gjuhë, deri dje nuk kanë lënë gjë pa thënë e pa folur kundër njëri – tjetrit. Unë habitem se si do të mund ta gëlltisin socialistët këtë kapërcim tinzarik të Edi Ramës, këtë krushqi të tij me ata që nuk kanë lënë fjalë dhe akuzë pa bërë kundër tyre, ashtu sikurse në cilin xhep Lulzim Basha do të fusë gjithë atë fjalor dhe akuzash të pafund për kanabizimin e Shqipërisë, kriminalizimin, për dështimin e qeverisë Rama dhe shumë të tjera që ka thënë. Po Berisha që po hesht, çfarë do tu thotë nesër anëtarëve të PD-së . Si do ta justifikojnë këtë kthesë 180-gradëshe në marrëdhëniet midis tyre. Ose kanë qenë demagog dhe gënjeshtar të mëdhenj, ose tani po u dëshmojnë shqiptarëve se janë përsëri pehlivan të mëdhenj që nuk kanë as moral dhe as fytyrë për tu dalë shqiptarëve përpara. Pra, në cilindo drejtim që ti marrësh dalin se janë veçse njerëz të pangopur që luftojnë si bisha për pushtet dhe në emër të tij, sa urrehen, sa luftohen aq edhe për hir të ndarjes së tepsisë së pushtetit janë gati të shqyejnë të tjerët dhe në këtë rast, janë gati të sakrifikojnë dhe këtë demokraci të varfër dhe këtë shtet kukull të kanabizuar që kemi. 

Si e konsideron deklaratën e Ramës që thotë se nuk do që tepsinë ta ndajë në pjesë dhe timonin do ta drejtojë vetë?
Është hera e parë në historinë elektorale të Shqipërisë, jo më të Partisë Socialiste që kryefjala e fushatës elektorale është tepsia dhe timoni. Imagjinoni se sa poshtë ka rënë katundi socialist, që në vend që të shpalos programin elektoral të PS, në vend që të bëjë bilancin e arritjeve dhe dështimeve në raport me katër vite më parë, tërë ditën nëpër mitingje të ndryshme u tregon shqiptarëve timonin dhe tepsinë të cilat i do të gjitha për vete, gjoja në emër të bërjes së shtetit, të atij shteti që për katër vjet ai e kishte në dorë dhe në vend që të shkonte përpara shkoi mbrapsht, u kriminalizua më keq, u kanabizua totalisht, sa që jemi vendi i dytë në botë për nga tregtia e kanabisit, jemi shteti ku 56 % e shqiptarëve duan të arratisen, vijmë pas Sierra Leones, vendit të njohur afrikanë në botë. Pra këtë shtet kush e bëri të tillë, mos e bëmë ne që ishim në opozitë, apo ata që e kanë qeverisur këto katër vite, apo që u trashëgua dhe nga qeverisja e Partisë Demokratike. Dhe këta të dy të dështuar të mëdhenj të qeverisjes së vendit, tani u drejtohen përsëri shqiptarëve sikur janë pastruar në laboratorin e parajsës dhe u shfaqen shqiptarëve si shenjtor dhe u kërkojnë të gjitha votat.
A mund të kemi një përmbysje në këto zgjedhje, ashtu sikundër ndodhi në Kosovë?
Shqiptarët, unë besoj se do t’u japin një mësim të mirë dy partive të mëdha politike, të cilat janë tallur për 26 vjet me ta. E besoj këtë, sidomos nga ato segmente të shoqërisë shqiptare që nuk manipulohen, nuk mashtrohen, shiten e blihen. E shpresoj këtë nga ata shqiptarë që nuk janë pak që kanë identitet dhe personaliet vetjak, që nuk e nxjerrin në pazar, që nuk e shesin për një thes miell. E besoj te rinia shqiptare që ka një formim bashkëkohor Evropian, që nuk do gënjehet nga karamelet elektorale të pushtetit apo dy partive të mëdha. E besoj te shqiptarët e mençëm të cilët përvoja ju dikton reflektim të madh dhe serioz, për ti thënë ndal rrjedhës negative që po e çon vendin drejt krijimit të një regjimi autoritarist, që do të jetë shëmbëlltyra e keqe e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Duket se këtu është mbështetur edhe slogani juaj “Ndryshimi do guxim”?
Pikërisht, se pas një analize të thelluar që i kemi bërë situatës së vendit me shumë objektivitet dhe realizëm, ne kemi arritur në përfundimin se Shqipëria mund të ndryshojë nëse populli do guxoj të veproj, të reflektojë, t’u japë atë notë të merituar keqqeverisjeve shumëvjeçare të Shqipërisë, qoftë PD dhe PS. Është rasti që shqiptarët të shkunden dhe të guxojnë të thyejnë tabutë e vjetra në votimet në rresht. Është rasti që shqiptarët të guxojnë të mendojnë si evropian me mendësi dhe kulturë evropiane si bënë mjaft zgjedhës evropian në muajt e fundit. Është rasti që të guxojnë të rinjtë të thyejnë kufijtë tradicional të politikës së vjetër shqiptare. Të guxojnë gratë e të rejat e këtij vendi, që të mos shkojnë më, pas burrave të fortë të politikës shqiptare dhe është rasti të guxojnë të gjithë njerëzit e thjeshtë dhe të ndershëm për t’i dhënë Shqipërisë shansin, që të ndryshojë dinjiteti i njeriut. Të mos shndërrohet në një lëndë amorfe, apo dhe në një plastelinë në duart e politikanëve të kriminalizuar, të korruptuar që janë me shumicë që i pamë në kuvendin e kaluar të Shqipërisë dhe që ka rrezik t’i shohim përsëri atje që të flasin gjoja në emër të popullit dhe të mos bëjnë gjë tjetër veç atë ç’ka ka bërë një pjesë e mirë e tyre, të mbrojnë vetëm interesat personale dhe të klaneve.

Si e keni parë retorikën politike të pjesës së parë të fushatës ku ka dominuar një arrogancë, një gjuhë e ashpër, sulm i drejtpërdrejtë si nga PD dhe PS ndaj LSI . Pse gjithë kjo urrejtje e grumbulluar?
Do ta ndaj përgjigjen në dy pjesë. Në të parën dua të nënvizoj që retorika me tepsi, me timon, me Rilindje e me Republikë të Re, është për nga niveli kulturor më e dobëta dhe më e ulëta që mund të ketë pasur ndonjëherë në Shqipërinë pluraliste. Kjo tregon, jo vetëm fshehje nga problemet e mëdha nga të cilat vuan Shqipëria, jo vetëm një taktikë mashtruese për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, jo vetëm përpjekje për të fshehur dështimet dhe për të mashtruar këdo që do mundin, por e shoh edhe si një varfëri mjeruese të mungesës së ideve të programeve dhe alternativave bindëse për shqiptarët. Ky është tipari që dominon fushatën elektorale të dy partive të mëdha aktualisht. Për sa i përket sulmit frontal të aleancës PS-PD kundër LSI kam këto komente. Nëse një aktorë politik, në këtë rast një parti politike, cilado qoftë, nuk përfaqëson rrezik për një parti tjetër, nuk ka pse goditet as pse sulmohet. Është fare e thjeshtë. Logjika fëminore ta imponon një sjellje të tillë, por kur sheh një strategji të mirë organizuar të dy partive të mëdha, që deri dje kryqëzonin shpatat e tyre, kundër një partie të tretë, nuk ka si të mos lindin dyshime që gjithë kjo kryqëzatë anti LSI vjen nga fakti që të dy partitë e kanë frikë atë, se ndryshe nuk ka kuptim pse do harxhojnë kaq shumë frymë, energji, fjalor, ecejake kundër saj, është fare normale. Pse nuk sulmohen partitë e tjera të vogla me emër dhe mbiemër, por vetëm LSI?. Përgjigje tepër e thjeshtë, se kanë frikë prej saj dhe duan që ta asgjësojnë, ose ta minimizojnë rolin e saj. Sigurisht që unë nuk jam avokat i LSI, por vetëm i Demokracisë Sociale, por kur e bëjnë këtë me LSI që deri dje e mbanin në sqetull dhe bashkëqeverisnin, bashkëvendosnin, imagjinoni se çfarë mendojnë për partitë e tjera. Kur u duhen për dekor ose për t’u marrë votat i mbledhin, i marrin nën kujdes dhe kur nuk u duhen siç është në rastin aktual, atëherë me një të rënë të lapsit, kërkojnë t’i asgjësojnë. Pra, jemi në një fushatë që mund ta quaj fare mirë, kryqëzatë antidemokratike kundër pluralizmit politik në Shqipëri, ku gjoja, në emër të ndërtimit të një sistemi bipolar duan të bëjnë një sistem bipartizan, dy parti, me qëllim që të alternohen herë njëra, herë tjetra në pushtet. Sigurisht që ka në botë sistem bipolar dhe bipartizan. Por ato sisteme në vende demokratike nuk janë imponuar me ligj. Ka qenë populli me votën e tij të lirë që ka përcaktuar se cilën alternativ do mbështesë dhe cilën do të çojë në shtëpi. Por këtu në Shqipëri si dikur në komunizëm vullneti politik i popullit nuk përfillet. Çdo gjë vendoset nga lart. Në këtë rast e vendos një dyshe e dyshimtë, në një natë të dyshimtë, Rama dhe Basha. Pikërisht këtu qëndron rreziku i tyre për demokracinë, sepse këta të dy, po të vazhdojnë në rrugën që kanë nisur, do të jenë pretendentët për të shtruar fronin e diktaturës personale në Shqipëri nesër.

Basha thotë se do të ndërtojë Republikën e Re i vetëm?
Basha për mendimin tim e ka humbur shansin që të qeverisë Shqipërinë, edhe nesër. Basha gaboi rëndë në momentin që u fut në rrjetën e Ramës. Për të dalë nga çadra u fut në pusinë që i ngriti kryetari i PS-së.

Kë shihni ju alternativën më të mirë në këto zgjedhje?
Vetëm një Parlament pluralist shqiptar me përfaqësues të denjë nga i gjithë spektri, mund të hapë perspektivën për Shqipëri Demokratike dhe Evropiane. Vetëm një parlament i tillë mund të bënte një reformë të shëndetshme Kushtetuese dhe Zgjedhore, për të vendosur përfundimisht kolona të palëvizshme të sistemit politik dhe elektoral në Shqipëri. Po qe se, parlamenti që do dal nga këto zgjedhje nuk do jetë pluralist në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por do të jetë një butafori e dy partive të mëdha dhe e disa emrave të përveçëm që do të hyjnë aty nga korridoret e errëta të listave të dy partive të mëdha, atëherë Shqipëria dhe shqiptarët të mos presin asgjë tjetër, veç ditë të errëta të stolisura ato me ngjyrat e reklamave të dy partive të mëdha ose të njërës prej tyre.

Si i sheh koalicionet paszgjedhore?
Patjetër që do bëhen, por jo ashtu si propagandohen sot. Për mua ka katër opsione për koalicionet e ardhshme. I pari, mund të jetë dhe do bëhen përpjekje që të jetë PS me ndonjë apo dy tre parti të vogla, që do të mund të përfaqësohen në parlament, plus ndonjë të blerë nga ndonjë parti tjetër. I dyti për mua do të jetë përsëri një rikthim në ngjalat e prillit të 2013, një koalicion midis PS dhe LSI. E shoh të mundshme, pavarësisht nga gjithë ky lumë sharjesh dhe akuzash reciproke, sepse pas 2009 deri 2013 deti i sharjeve ka qenë më i thellë dhe më i gjerë dhe erdhën u ulën dhe bënë qeverinë. Opsioni i tretë, është një qeveri LSI-PD. Edhe kjo është e mundur sepse në Shqipëri asgjë nuk është e pamundur. Dhe e katërta, më pak kredibël dhe jetëshkurtër mund të jetë ajo midis PS dhe PD.

Pse?
Sepse janë dy parti që kanë një det të thellë që i ndan dhe nuk mund të bashkëjetojnë për një kohë të gjatë. Armiqësia e vjetër dhe e re midis tyre dhe programet e synimet e klaneve oligarkike që ato mbrojnë, nuk do ti lenë që të bashkëjetojnë, sepse do kenë përplasje të llahtarshme interesash. 

Partitë e vogla nuk kanë komisionerë për numërimin e votave. Kush do e mbrojë votën e Partisë Demokracia Sociale në 25 qershor?
Është e vërtetë që partitë e vogla, përfshirë dhe Demokracinë Sociale nuk kanë numërues. Por kanë të drejtën, në bazë të Kodit Zgjedhor, të kenë vëzhgues për çdo tavolinë të numërimit të votave. Këtë të drejtë që ua jep, ligji partitë si Demokracia Sociale, do ta shfrytëzojnë maksimalisht. Ne kemi depozituar pranë KZAZ-ve listën e njerëzve, që do jenë si vëzhgues në emër të Demokracisë Sociale në procesin e numërimit të votave. Përveç kësaj ne kemi një marrëveshje që nuk është koalicion, me LSI, e cila merr përsipër, që të garantojë numërimin e saktë dhe mbrojtjen e votës që do jepet për Demokracinë Sociale në procesin e numërimit. 

Kujt do t’i shkojë vota e Demokracisë Sociale. Në fund të procesit si do të përkthehet kjo votë?
Askujt. Përkthehet si një votë që është dhënë për Demokracinë Sociale, për alternativën e saj. Një votë që do dëshmojë se Demokracia Sociale është një aktor i rëndësishëm që nuk zhbëhet, pavarësisht nga përpjekjet që bëjnë disa për ta zhdukur, ajo përfaqëson një shumicë shqiptarësh që kanë besim tek ajo. Kanë besim në alternativën e saj dhe si e tillë do t’u mbijetojë sulmeve dhe do vazhdojë të jetë një faktor politik modest i ekuilibruar dhe me mendësi evropiane.

Mendoni se do të përfaqësoheni me ndonjë mandat në këtë parlament?
Patjetër që do kemi, sepse po gjejmë në qarqe të veçanta të Shqipërisë mbështetje të fuqishme. Veçse, nëse kanë vendosur të mos bëjnë zgjedhje ose t’i vjedhin ato. Nëse kanë vendosur siç po ka disa shenja, që të ushtrojnë terror ndaj shqiptarëve votues, ndaj përfaqësuesve politikë të Demokracisë Sociale në qarqe të ndryshme dhe ndaj përfaqësuesve tanë, të caktuar si vëzhgues për procesin e numërimit. Kanë filluar të ndihen presione të frikshme nga pushteti dhe po krijohet një klimë terrori, aq sa njerëzit kanë frikë të identifikohen, se mos i shohin njerëzit e pushtetit, kanë frikë të japin firmën, t’u përmendësh emrin dhe kjo nuk është gjë tjetër, veçse një politikë terrori elektoral për fat të keq në Shqipërinë që pretendon të bëhet anëtarë e BE –së, në Shqipërinë që është vend anëtar i NATO-s, imagjinoni ku jemi dhe kush na udhëheq dhe kush pretendon të na udhëheqë.

Si i keni parë sondazhet e fundit? 
Manipuluese dhe mashtruese të atyre që i paguajnë. I kam parë dhe shqiptarët, siç bënë dhe shumë evropianë, do t’u dëshmojnë këtyre bizneseve të fëlliqura të sondazheve të opinionit publik, se u ka ardhur koha që të ikin e të mos mashtrojnë më. Qoftë në Britaninë e Madhe, qoftë në vende të tjera Evropiane dhe SHBA, u pa fare qartë, se këto kompani sondazhesh janë larg realitetit dhe nuk mund ta lexojnë vullnetin e zgjedhësve të lirë. 

Cila nga partitë mendoni se do ketë rritje në këto zgjedhje?
Rritje të ndjeshme do ketë LSI, rritje relative do të ketë PD , rritje do ketë Demokracia Sociale dhe ndonjë parti tjetër nga këto të përmasave tona. Ndërkohë që nuk parashoh rritje të PS-së.

Kemi parë Edi Ramën që flet për timon dhe për tepsi. Për programin e PS –së si mendoni?
E thashë pak më parë që përveç tepsisë dhe timonit nuk më ka mbetur gjë tjetër ndër mend nga fushata që po bën drejtuesi i PS. Ai qëllimisht i shmanget ballafaqimit të elektoratit me program, sepse ai me të cilin qeverisi Shqipërinë për katër vjet i dështoi dhe program tjetër nuk po shfaq dhe pse në raste të veçanta lëshon ndonjë premtim tjetër që duket se është absurd, si ai i pagës minimale prej 300 mijë lekësh të vjetra apo ndonjë gjë tjetër, që është riciklim i mashtrimit të radhës së kaluar. Nuk shoh dhe nuk ka realisht.

Po lidhur me shkarkimet e kryera nga ministrat teknikë, ku më të shumtën e rasteve sulmohen drejtorë dhe njerëz të propozuar prej LSI-së në poste të ndryshme? 
Ata njerëz që kanë zënë me qira të përkohshme disa zyra të shtetit në sajë të marrëveshjes Rama -Basha, mund të jenë të nderuar dhe respektuar në punët e tyre. Unë nuk kam asnjë të drejtë t’i paragjykoj, sepse nuk i njoh. Por, ata kanë marrë një mision tepër të vështirë nga njëra anë dhe të kompromentuar nga ana tjetër. Ata s’kanë as kohë, as mjete, as mundësi, që të kontrollojnë gjithë administratën dhe mënyrën se si ajo përdoret gjatë fushatës. E dyta, nuk janë të pavarur, asnjanës, që ta shikojnë procesin me paanësi. Ata janë përfaqësues të një force të madhe politike dhe që do bëjnë lojën e asaj force politik, e si po e bëjnë. Godasin në mënyrë selektive atje ku i urdhërojnë që të godasin dhe jo atje ku realisht ata duhet të përqendrojnë vëmendjen. Kjo është e dukshme. Kemi të bëjmë me një politikë selektive, për të krijuar një imazh të rremë dhe kemi të bëjmë me një shërbim indirekt që i bëhet partisë që i ka propozuar. 

Së fundmi doli edhe Nano në skenë dhe bëri thirrje qytetarëve të mbështesin Edi Ramën?
Nano do bënte mirë të vazhdonte të heshtte siç ka heshtur për gati 12 vjet. Sepse sa herë që ka dalë në këtë kohë, gjithnjë është keqpërdorur dhe është tërhequr në vetminë e tij pa kurorë lavdie.

Nëse do merrni mandate dhe do t’u kërkohej të ishit në aleancë, me kë do shkonit?
Të jeni të sigurt që ne do përfaqësohemi në Parlament. Për aleancat paszgjedhore, do shikojmë se cili do të na respektojë dhe cili do të jetë partner i denjë për të qeverisur Shqipërinë, me drejtësi dhe transparencë dhe jo siç është qeverisur deri tani. 

Unë e di që do jetë një qeveri koalicioni por nuk mund të them që tani se cili do ishte kryeministër.

Kë do donit të ishte?
Asnjë

Ben Blushin si e shihni?
Është në fillimet e tij si një lider i një force të re politike. Vetëm kaq. 
Sigal