Hafizi letër publike komisionit zgjedhor në Shkodër

481
Deputetja e Qarkut të Shkodrës Mimoza Hafizi, paraditen e sotme ngriti shqetësimet e saj në lidhje me proçesin e Referendumit të Partisë. Hafizi ka hedhur dyshime për manipulime të mundëshme të procesit, me argumentin se komisioni është ndërruar pak orë përpara nisjes së Referendumit dhe se ajo nuk ka mundur të njihet më antarët e komisionit zgjedhor. Po keshtu Hafizi ka thënë se nuk mund të monitorojë dot proçesin për shkak se nuk disponon listat zgjedhore, për shkak se nuk po arrin të kontaktoj me komisionin. Hafizi ka vendosur që ti dërgoje një letër publike Komisionit Zgjedhor të Partisë në Bashkinë Shkodër, ku i parashtron kërkesat e saj.
Më poshte po publikojmë letrën e plotë të Deputetes Mimoza Hafizi.
Kryetarit, Z. Kujtim Prroni
Kryetar,
Në vijim të bisedës sonë të sotme telefonike të orës 8e40, kam mbi tre orë në pritje të takimit ku desha të parashtroj kërkesat e mia. Meqë ora ecën dhe kërkesat e mia nuk mund të presin më, ju lutem t’i merrini në konsideratë si vijon:
Kërkoj të njihem në mënyrë zyrtare me përbërjen e re të komisionit tuaj, e cila është vendosur dje pasdite, siç ma konfirmuan nga zyra e organizimit e selisë së PS. Kërkoj të kem një fotokopje të shkresës zyrtare të emërimit.
Kërkoj të di se pse KZPB Shkodër nuk është mbledhur asnjëherë, të paktën deri dje pasdite.
Kërkoj të më jepet lista me adresat e të gjitha qendrave të votimit në Bashkinë Shkodër.
Kam mbi 24 orë që përpiqem ta kontaktoj KZPB Shkodër, me qëllim për të akredituar vëzhguesit e mi për procesin e referendumit në Bashkinë Shkodër. Në momentin e tanishëm sigurisht ky akreditim s’mund të ketë më vlerë. Në mungesë të vëzhguesve, kërkoj që në fund të procesit të pajisem me fotokopjen e listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit, me nënshkrimet e votuesve, për të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë Shkodër.
Mbetem në pritje të plotësimit të këtyre kërkesave të ligjshme.
Mimoza Hafizi
Sigal