Gjosha: Shqipëria e vendosur për reformat që çojnë drejt integrimit

42
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, priti sot një delegacion të Komisionit për Çështje Europiane në Senatin e Çekisë. Gjatë fjalës së saj Gjosha, informoi delegacionin për mbarëvajtjen e reformave të cilat shërbejnë se pari për zhvillimin e vendit. Ministrja Gjosha, theksoi se Shqipëria është e vendosur të ecë përpara me procesin e integrimit dhe të plotësojë të gjitha kushtet e kërkuara nga Komisioni Europian.
Përfaqësuesit e delegacionit çek u interesuan veçanërisht për reformën në Administratën Publike dhe atë në Drejtësi, duke nënvizuar rëndësinë e këtyre reformave për procesin e integrimit. Ata shprehën vlerësimin për masat e marra nga qeveria për mbarëvajtjen e këtyre reformave. Ministrja Gjosha, shprehu dakordësinë për rëndësinë e këtyre reformave duke informuar delegacionin se qeveria shqiptare është e vendosur t’i çojë deri në fund këto reforma. 
“Ne kemi hedhur një sërë hapash përpara për secilën prej këtyre reformave, ajo në Administratën Publike veçanërisht ka marrë vlerësime edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ndërkohë që jemi të ndërgjegjshëm se pa reformën në drejtësi procesi i integrimit nuk do të bënte përpara, ndaj jemi të angazhuar që bashkë me të gjithë aktorët të çojmë përpara këtë reformë”, tha Ministrja Gjosha. 
Delegacioni çek, shprehu gatishmërinë për të ofruar ekspertizë dhe ndihmë për Shqipërinë për hapat e mëtejshëm me procesin e integrimit. Ministrja Gjosha, u shpreh se çdo ndihmë dhe eksperiencë e ofruar nga vende anëtare që kanë kaluar përpara Shqipërisë procesin e integrimit, është tepër e rëndësishme dhe e mirëpritur.