Fatos Klosi: Të veprojmë si gjermanët, të mësohet kush ka qenë Bashkëpunëtor i Sigurimit!

434
Sigal

Të Majtët e të Djathtët akuza nëri-tjetrit për deputetë e funksionarë të përfshirë në klane kriminale. Projektligji për pastërtinë e figurave, prej një viti ‘fle’ në Parlament

 Kohët e fundit po flitet sërishmi për hapjet e dosjeve. Por lind pyetja çfarë do fitojë populli nga hapjet e dosjeve?  A do të dënohet dikush që ka pasur dosje? A do të ndihmojë ekonominë dhe politikën hapja e dosjeve dhe miratimi ligjit për pastërtinë e figurave? A ka politikanë me dosje në parlament dhe çfarë masash mund të merren ndaj tyre? Përse nuk u miratua projektligji i dorëzuar në Parlament para një viti për pastërtinë e Figurave!? Ja dhe prononcimi i Fatos Klosit për “Telegraf” lidhur me këtë problem: ”Jemi të vonuar për hapjen e dosjeve. I ka kaluar koha dhe nuk do të ketë asnjë impakt as në politikë as në jetën shoqërore… Edhe në qoftë se do dalë që ndonjë deputet ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ai thjesht do thotë më fal, ajo kohë ka qenë dhe nuk kam bërë krim. Nuk ka ligj që ta ndalojë të jetë politikan apo ta fus në burg meqenëse ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Pas kaq vjetësh kjo është më shumë një lojë, një ide që mund të shërbejë për të qetësuar më shumë ndonjë shpirt të trazuar… Megjithatë, unë jam për sistemin gjerman të hapjes së dosjeve. Me këtë sistem merret vesh kush ka qenë dhe për kë është folur dhe për më tej çdo njeri të marrë vesh të vërtetën çfarë është thënë për të. Të qetësojë veten, pasi kurrë s’ka pasur ligj për bashkëpunëtorët. Madje, as Komisioni Bezhani. Ajo ishte një farsë presioni, por që nuk nxori, asgjë në dritë. U pa që dhe Komisioni Bezhani nuk funksionoi në kohën dhe si duhet. Edhe ky komision ishte nën ndikimin dhe presionin e politikës. Për asnjë politikan nuk tha asgjë, dhe po ata politikanë janë edhe sot. Por ndryshimi është koha, që me kalimin e saj i ka zbutur së tepërmi të ashtuquajturat dosje të bashkëpunëtorëve. Sistemi gjerman që pretendohet, do të jetë një sistem shpirtëror, por kurë ndëshkues. E them prapë që nuk ka asnjë ligj, as për dënim, as për mos pjesëmarrje në politikë për bashkëpunëtorët”.

….

Politikanët përbaltin njëri-tjetrin për inkriminim, por janë kundër ligjit për “Pastërtinë e Figurave”

 Teksa akuzat e ndërsjella të politikanëve e shtetarëve të lartë shqiptarë si ‘spiunë sigurimi’, ‘të inkriminuar si pjesëtarë apo drejtues bandash kriminale’ vazhdojnë për gati një dekadë e gjysmë, teksa partnerët Euro-Atlantikë kërkojnë vazhdimisht të inkriminuarit nga politika e strukturat më të larta të shtetit, është një fakt skandaloz që nxjerrë zbuluar falsifitetin, demagogjinë dhe përfitimet e klaneve të dy krahëve të politikës shqiptare që vijnë direkt apo indirekt nga aktiviteti kriminal apo dobësia e qëllimshme e shtetit: Projekt-Ligji për “Pastërtinë e figurave”, i paraqitur në Parlament para më shumë se një viti, por që ka zënë pluhur në sirtarët e tij!

Thjeshtë dhe shkurt: Ky projektligj, nëse do të ishte miratuar apo miratohet (gjë që ka pak gjasa të ndodhë), do të vinte në siklet shumë nga liderët e politikës e shtetarët shqiptarë që e kanë mbajtur dhe po e mbajnë peng Shqipërinë, i kanë vënë ‘postbllokun’ e bashkimit me Europën. Nëse nuk do i çonte para drejtësisë politikanë dhe shtetarë të inkriminuar, minimalisht, nuk do ishin më në politikë e funksione drejtuese, nuk do të vazhdonin të mbanin më peng Shqipërinë dhe shqiptarët. Pothuaj në çdo mbledhje Parlamenti, deri dhe në media, shumë deputetë dhe ish-ministra e ministra, me emra, janë akuzuar si ‘bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit’, si ‘njerëz të lidhur me bandat’, etj.. Dhe në mbledhjen e djeshme të Parlamentit u hodhën akuza kundër disa drejtuesve të lartë të policisë apo në sektorë të tjerë të rëndësishëm të emëruar nga e majta “si persona me figurë jo të pastër”, që vihen në funksione për përfitime personale në rrugë kriminale nga qeveria aktuale. Po dje, kur opozita ishte në pushtet përse nuk e miratoi Projekt-Ligjin për “Pastërtinë e figurave”?. Sigurisht, nuk i interesonte atëherë dhe sot, ashtu si dhe të majtës. Ndërkohë, përtej demagogjisë së deputetëve, ministrave e kryeministrave (dje dhe sot), pasojat i vuajnë qytetarët. Pasiguria, krimi, korrupsioni, varfëria ekstreme, u ka vështirësuar jetën si asnjëherë më parë. Për Fatos Klosin, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, me dosjet jemi të vonuar, duhet aplikuar hapja sipas modelit gjerman që të dihen bashkëpunëtorët e Sigurimit dhe aktiviteti i tyre.

Projektligji

Po çfarë përcaktonte në esencë projektligji për Pastërtinë e Figurave”, dorëzuar para një viti në Parlament, por që nuk duan ta miratojnë politikanët tanë të të dy krahëve. Në këtë projektligj, pasi u cilësohet se, “objekti i këtij ligji është përcaktimi i funksioneve shtetërore, mbajtja e të cilave është e papajtueshme, për arsye të veprimtarisë së funksionarit në të kaluarën e tij, për shkak të qenies anëtar, drejtues apo bashkëpunëtor në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit apo të ish-Sigurimit të Shtetit”, jepen dhe kategoritë e funksionarëve, për të cilët, detyrimisht duhet bërë verifikimi zyrtar i figurave. “Subjekte të verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë; ministrat, zëvendësit, sekretarët e drejtorët e drejtorive; anëtarët e KLD-së e gjyqtarët; Guvernatorët, zëvendësit e drejtorët; gjeneralë e kolonelë; anëtarët e Këshillave në qark e bashki; prefektë e kryevendorë; funksionarë të SHISH-it, SHIU-t e SHKB-së; ambasadorë, zëvendës e sekretar ambasadash, drejtues, kryeredaktorë të mediave audio-vizive, si dhe të mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 1000 kopje në ditë; drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati; Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe anëtarët e KKRT-së dhe  këshillave drejtues të mediave publike; rektorë, zëvendës rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.

Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare. Njëkohësisht dhe çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi”,- kërkohet në Projektligj.

Paradoksi shqiptar

Çfarë do të sillte hapja e dosjeve të Sigurimit sot si dhe miratimi i ligjit për pastërtinë e figurave. Ish-kreu i SHISH-it thotë se, tani pas 25 vitesh, hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve, nuk do të kishte ndonjë impakt të madh, por duhet të dihen bashkëpunëtorët dhe aktiviteti i tyre, e për këtë duhet aplikuar modeli gjerman. Ndërsa ligji për pastërtinë e figurave, mendohet që është i domosdoshëm. Por “thembra e Akilit” janë politikanë që kanë drejtuar vendin në këtë çerek shekulli. Ata, për interesa të tyre nuk e miratojnë këtë ligj, pasi nuk mund të mbajnë pranë të inkriminuarit, t’i emërojnë (detyrojnë dhe me presionin e dosjes) që të kryejnë shërbime apo aktivitet antiligjor me qëllim përfitimi. Nëse ky ligj do të ishte miratuar, minimalisht dhe atëherë kur u dorëzua në Parlament, sot nuk do të kishte akuza të opozitës “për emërime të inkriminuarish e trafikantësh në polici e institucione të tjera”, pasi aktiviteti i tyre i kompromentuar, do të ishte njohur zyrtarisht dhe askush nuk do të guxonte të bënte emërime të tilla.  Por politikës shqiptarë, nuk i ka interesuar dhe nuk i intereson një gjë e tillë, ndaj po mbajnë peng ligjet, zbatimin e tyre, duke bllokuar afrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë e shqiptarëve me familjen europiane.