Erion Veliaj: Të mbjellim një pemë për njeriun tonë

588
Sigal

Kryebashkiaku Veliaj: “Mënyra më dinjitoze për të përkujtuar një të afërm është mbjellja e një peme”

Për të përkujtuar të afërmit e tyre, qytetarët e Tiranës zgjedhin që të mbjellin një pemë, për të cilën do të kujdesen në vazhdimësi. “Jam sot me vëllain tim, Genc Dukën, që është jo vetëm qytetar shembullor, por edhe një nga këshilltarët më të devotshëm të Këshillit Bashkiak. Ka disa njerëz që mendojnë se detyra mbaron kur pjesa formale dhe burokratike është kryer, pra kur mbarojnë vendimet e Këshillit Bashkiak. Por, një këshilltar i mirë dhe një qytetar i mirë është kur vepron si Genci, që e sheh detyrën e një këshilltari bashkiak në çdo cep të jetës së tij. Kështu, jemi sot me të për të kujtuar babain e tij të shtrenjtë; më vjen shumë mirë që ka gjetur një mënyrë shumë dinjitoze për ta kujtuar”, deklaroi Veliaj. Mbjellja e një peme për të përkujtuar të afërmit është kthyer në tendencë vitet e fundit. “Ka njerëz që investohen në varre milionëshe, në mermer, në llaç, në tulla, në gardhe, në shtesa qoftë edhe në Tufinë, edhe në Sharrë. Ka disa njerëz të tjerë që e bëjnë me dinjitet, e kujtojnë të dashurin e tyre, të afërmin e tyre duke mbjellë një pemë, që do të jetojë në përjetësi, një pemë që do të jetë këtu për nipër dhe për mbesa, që do ju kujtojë gjyshin e tyre, por mbi të gjitha do t’u kujtojë atyre që të gjithë kemi hedhur rrënjë në këtë qytet”, u shpreh Veliaj. Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Genc Duka, vlerësoi nismën e ndërmarrë nga kryebashkiaku për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në kryeqytet. Ai ftoi edhe qytetarët e tjerë që të nderojnë njerëzit e tyre të dashur që nuk jetojnë më duke mbjellë një pemë.