Kleçka Xhafaj për mosekstradimin, Ligji Antimafia dhe koha për vetingun e qeveritarëve të përfolur

482
Ligji Antimafia nuk vepron mbi Agron Xhafajn dhe mbi ministrin Xhafaj
Ja kleçka e germës (f) në nenin 491 për mosekstradimin e shqiptarëve të dënuar në mungesë 
Vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është i dënuar në Itali me vendim të formës së prerë për trafikim lëndësh narkotike. Mirëpo ndaj tij dhe ndaj familjarëve të tij, ende nuk ka vepruar ligji i Antimafies, sikurse ligji vepron ndaj të gjithë të dënuarve të tjerë. Ky fakt erdhi dje si provë e re e akuzave të PD-së që implikojnë lidhjet e ministrit Xhafaj me krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës përmes aktivitetit të vëllait të tij Agron Xhafaj dhe, se ministri Xhafaj është bërë mburojë dhe ndihmesë e të vëllait trafikant, fakt që, sipas tyre, e ka pranuar vetë publikisht në seancën plenare të datës 7 tetor 2010. Sipas PD ministri Xhafaj ka gënjyer më 7 tetor 2010, kur tha se vëllai i tij, Agron Xhafaj e ka vuajtur dënimin, deklaroi deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj. Fatmir Xhafaj e pranoi publikisht, se kishte dijeni për dënimin e vëllait, por gënjeu publikisht, kur tha se i vëllai ka vuajtur pasojat ligjore. “Një gabim dhe faj, për të cilin i vuajti pasojat ligjore. historia e tij vetjake ishte dhe mbetet rekordi i vetëm negativ i tij përballë ligjit.” Kjo deklaratë e Fatmir Xhafaj gjendet në faqen 53 të procesverbalit – Seanca Plenare e Kuvendit e datës 07.10.2010. E vërteta është që Ministri Fatmir Xhafaj ka gënjyer. Agron Xhafaj nuk ka bërë asnjë ditë burg nga dënimi i dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë, me 7 vjet e 2 muaj burgim, për trafik ndërkombëtar droge. Ai nuk ka vuajtur asnjë pasojë ligjore, ndryshe nga sa deklaron Fatmir Xhafaj.
PD-ja nxjerr prova të reja të imunitetit ligjor që ministri i dha vëllait të vet 
Këshilltari i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, tha se “Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është arsyeja pse Agron Xhafaj i ka shpëtuar dënimit, pse Ligji Antimafia nuk vepron mbi Agron Xhafajn dhe atë vetë”.
“Së pari, Fatmir Xhafaj nga pozicioni i Ministrit të Brendshëm ka shkelur ligjin për të ndihmuar vëllain e tij t’i shpëtojë vuajtjes së dënimit duke penguar çdo veprim për ekstradimin e tij:
(i) për të verifikuar dhe identifikuar identitetin e ri të Agron Xhafajt;
(ii) për të njoftuar autoritetet italiane për vendndodhjen e tij në Shqipëri;
(iii) për arrestimin dhe burgosjen e tij.
Fatmir Xhafaj këtë e ka për detyrë ta bëjë për çdo qytetar shqiptar që ka një dënim të pa ekzekutuar. Policia e Shtetit nuk vepron. Policia e Shtetit është nën urdhrat dhe shërbimin e Familjes Xhafaj. Ajo është shndërruar nga Policia “Habilaj” në Policia “Xhafaj”.
Së dyti, Fatmir Xhafaj, nga pozicioni i tij si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, falsifikoi dokumentet zyrtare, dhe trafikoi në mënyrë të paligjshme në Kodin e Procedurës Penale një dispozitë ligjore:
(i) Për të pamundësuar ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit, dhe
(ii) Për të pamundësuar njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëjë asnjë ditë burg, as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge.
Fatmir Xhafa e bëri këtë në kundërshtim me Konventën Evropiane të Ekstradimeve, fakt të cilin e pohoi edhe Ministri Italian i Drejtësisë, jo më larg se 6 muaj më parë.
Së treti, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton Ligjin Antimafia. Nga pozicioni i tij si Ministër i Brendshëm Fatmir Xhafaj pengon Ligjin Antimafia të veprojë ndaj Agron Xhafajt dhe Fatmir Xhafajt.

Policia e Shtetit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të zbatuar masa parandaluese ndaj Agron Xhafajt dhe rrethit të tij familjar, nëpërmjet sekuestrimit të pasurive, veprimtarive ekonomike apo tregtare, siç e kërkon Ligji Antimafia. Kjo sepse aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm, automatikisht e bën subjekt të ligjit, vetë Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku Ministri i Brendshëm, përgjegjës për zbatimin e Ligjit Antimafia, është vetë subjekt i Ligjit Antimafia. Të tre këto prova tregojnë qartë, sesi Fatmir Xhafaj është drejtpërdrejt i përfshirë nga pozicioni i Ministrit të Brendshëm dhe më parë i Kryetarit të Komisionit të Ligjeve për të mbrojtur të vëllain e dënuar për trafik ndërkombëtar droge”, tha Bardhi.
Kleçka e nenit 491, e mosekstradimit e bërë nga Fatmir Xhafaj 
PD-ja akuzon ministrin Xhafaj, se me detyrën e Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore ka falsifikuar nenin 491, të Kodit të Procedurës Penale, i ndryshuar në gusht 2017, me qëllim që të pengonte ekstradimin e vëllait të tij të dënuar në Itali. Kodi i Procedurës Penale të Italisë, përcakton që një i pandehur, kur lajmërohet për datën e gjykimit të tij, edhe sikur të mos jetë i pranishëm në sallën e gjyqit, nuk mund të quhet gjykim në mungesë, pasi është njoftuar, ka dijeni, por me dashjen e tij nuk merr pjesë në gjykim. 

Së dyti, kur një i pandehur merr pjesë në gjykimin e vet nëpërmjet avokatit të tij, atëherë nuk mund të pretendojë, se është gjykim në mungesë. Në rastin konkret, vëllai i Fatmir Xhafës ka pasur dijeni të plotë për datën e gjyqit, ka marrë pjesë në të gjitha seancat avokati i tij, i cili ka apeluar çdo vendim të gjykatave deri në Gjykatën e Kasicionit të Italisë, pra, rrëzohet pretendimi se gjykimi i tij është bërë në mungesë. Pikërisht, këtu qëndron kleçka ligjore që, sipas akuzës së PD-së, kryetari i Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore Fatmir Xhafaj i bëri nenit 491 të mosekstradimit. Në germën “f” të nenit 491 u formulua, që “Kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë nuk ekstradohet”. Pra, ligjbërësi Xhafaj e ka formuluar kështu këtë germë të nenit 491, në mënyrë të papërcaktuar, “në mungesë” dhe kupton vetëm mungesën fizike të të dënuarit nga salla e gjyqit. Pikërisht, kjo kleçkë, mungesa fizike e të pandehurit nga salla e gjyqit, i jep ligjërisht mundësinë të quhet “gjyq në mungesë”, pavarësisht se ai është lajmëruar, pavarësisht se ka qenë i pranishëm avokati i tij, kushte ligjore që parashikon Kodi i Procedurës Penale të Italisë, për të rrëzuar pretendimin se “gjykimi është bërë në mungesë”. 
Neni i ndryshuar nga Xhafaj, sipas akuzës së PD-së
Neni 272
Neni 491 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 491
Nuk mund të jepet ekstradimi:
f) kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti
kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit.”.
Projekt-neni i miratuar 
f)” kur i personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar.”
Sigal