Engjëll Musai: “Ministrat teknikë” delegojnë kompetenca, kur sipas marrëveshjes Basha-Rama nuk kanë kompetenca!

Këto ditë, “ministrat teknikë” të PD, që janë në bashkëqeverisje me PS, kanë publikuar në “Fletore Zyrtare”, vendimet e tyre për delegimin e kompetencave tek vartësit. Procesi i delegimit është ky: Ministri autorizon një prej vartësve të tij të afërt në hierarki, të marrë e të firmos vendime, gjatë kohës që ministri nuk është prezent brenda vendit, ose kur për arsye shëndetësore nuk është në krye të detyrës. Sipas informacioneve që kemi, rezulton se “ministrat teknikë” të PD në qeverisjen ”Rama”, janë “top” nga shëndeti. Por kanë deleguar kompetencat tek vartësit, mbasi kanë shkuar me pushime verore, paçka se sipas Kodit të Punës, nuk e gëzojnë të drejtën e pushimit të plotë vjetor të paguar, për shkak se kanë vetëm 2 muaj e gjysmë në detyrë! Por ka edhe një problem tjetër. Sipas Vendimit kalimtar, me “Nr. Extra”, datë 22 maj 2017, të kryeministrit Edi Rama, për afatin 30 ditor që do të ishin në detyrë sipas marrëveshjes Basha-Rama të mesnatës së 18 majit 2017, përveç mbarimit të “mandatit” 30 ditor në detyrë, “ministrat teknikë” nuk kanë asnjë kompetencë, as për t’i hequr vërejtje pastrueseve! Por, ata po delegojnë kompetenca, siç edhe kanë shkarkuar e emëruar shoferë, këshilltar, ekspertë e drejtorë, sic kanë shfuqizuar urdhra e vendime të paraardhësve, siç kanë shpallur e zhvilluar tenderë të shumtë!