Ministrat teknikë fusin në “sherr” të djathtën, ja çfarë thonë analistët

473
Do të japin dorëheqjen apo do të qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre me ministrat e rinj. Kjo është pikëpyetja e gjithë debatit për ministrat teknikë
Debati brenda opozitës së djathtë lidhur me qëndrimin ose jo të ministrave teknikë ende në detyrë, nuk është komentuar në asnjë rast nga lideri i PD-së Lulzim Basha. Ndërkohë që deputet të djathtë janë shprehur pro dhe kundër qëndrimit të tyre ende në qeveri. Zërat kundër kanë ardhur edhe nga ata që janë në opozitë dhe fituan të drejtën për të qenë pjesë e qeverisë falë futjes së emrit të tyre në lista nga Lulzim Basha. Fatmir Mediu ka folur hapur kundër qëndrimit të ministrave në detyrë. Madje ka arritur deri aty sa i ka kujtuar Bashës edhe dhjetë pikat kryesore ku duhet të mbështetet për të mos t’i lënë asnjë minutë më shumë ata në detyrë. Ndërsa ata që janë më afër liderit Basha kanë kundërshtuar me idenë se qëndrimi në detyrë i ministrave është i nevojshëm deri në momentin kur të përfundojë raporti për zgjedhjet. Në anë të deputetëve që flasin kundër qëndrimit të ministrave në detyrë janë rreshtuar edhe analist të shumtë. 
Shehi: Basha të tërheqë sa më parë ministrat
I pyetur lidhur me këtë situatë të krijuar me ministrat teknik ka dhënë mendimin e tij dhe kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi. Për Shehin, Basha duhet t’i largojë sa më parë ministrat teknikë për të dhënë një mesazh politik për opozitë të fortë, pasi në të kundërt qëndrimi i tyre do t’i bëjë qesharake aksionet e ardhshme. “Aksion opozitar me ministra brenda në qeveri nuk bëhet. Ministrat s’kanë çfarë bëjnë atje. Atje rrinë kot. Domethënë, në njëfarë mënyre, vënë në dyshim gjithë idenë e koalicioneve me PS-në. Paragjykojnë gjithashtu edhe rolin e opozitës”. Me mos largimin e ministrave, sipas Dashamir Shehit po i lihet terren i lirë Lëvizjes Socialiste për Integrim që, sipas tij, po vetëemërohet si opozita e re. Por ai e ka quajtur si absurd qëndrimin e LSI-së, duke thënë se s’mund të bëjë opozitën pa dhënë prova, pasi 4 vite ishte pjesë e pushtetit. “S’ka pse të ndodhë. Në cilin vend ndodh kjo? Është qesharake. Deri dje ishe në pushtet dhe nesër bëhesh opozitë, a thua se kjo është me vetëemërim apo me vetëdeklarim?! Kjo ndodh pikërisht për këtë punë, se zoti Basha mban ministrat në qeveri… Këto janë fenomene që paragjykojnë opozitën e ardhshme, prandaj një orë e më parë duhet të largohen”, ka thënë deputeti i PD-së.
Gerti Shella, drejtor i INFOÇIP: Ministrat teknikë në shërbim të Ramës
Ndërkohë drejtori i INFOÇIP Gerti Shella, bënë një analizë të gjerë. “Ministrat teknike janë mbetje rudimentare të periudhës parazgjedhore. Misioni i tyre për të garantuar mos-përdorimin e administratës dhe burimeve të tjera shtetërore në periudhën zgjedhore ka përfunduar që në datë 22 qershor. Ata po qëndrojnë në detyrë pa një mision konkret, duke shkaktuar konfuzion në publik dhe duke konfuzuar akoma më shumë perceptimin mbi opozitën zyrtare (PD) e cila edhe pa këto shfaqje atavike, ka shumë punë për të pastruar imazhin e saj. Z. Rama është duke e përdorur edhe njëherë tjetër mjeshtërisht konfuzionin opozitar duke i lënë ministrat teknikë të kavërdisen në vajin e vjetëruar të periudhës parazgjedhore. Ministrat teknik të PD janë një shprehje e pakuptimtë politike dhe mishërojnë shterpësinë e opozitës zyrtare. Ka pasur interpretime sipas të cilave Kushtetuta e ndalon largimin e tyre nga detyra. Kam parë se si eksponentë të PD e kanë kapur fort me dhëmbë këtë argument që ju është hedhur si një kockë, duke demaskuar vetveten para publikut shqiptar i cili ka filluar të dyshojë fort motivet e vërteta të opozitës. Është hera e parë që forca kryesore opozitare në vend futet në dyshime kaq të forta mbi agjendën e saj. Këto dyshime të krijuara janë një tjetër goditje për kredibilitetin e saj, duke mbajtur parasysh se opozita është një institucion moral i cili përfaqëson një interes publik shumë të madh se sa vetë PD. Humbja e besimit në opozitë është vdekje e sigurt për një forcë politike. Ministrat teknike janë simptoma të pagabueshme të asaj që pritet të ndodhë”, deklaron ai. Shella thotë se PD mund të tërheq ministrat e saj në çdo kohë. Edhe ata vetë mund t’ia kursejnë dremitjen lidershipit politik të kësaj partie dhe të japin dorëheqjen me vullnet të lirë. “Këtë nuk pengon as Kushtetuta dhe as pikat e marrëveshjes së fshehtë të 18 majit midis Ramës dhe Bashës. Ministrat teknikë janë për më tepër autoritete të cilat nuk kanë “ngjitur” as për stafet e tyre. Një shembull tipik është ministrja e arsimit e cila qysh tani ka përfunduar gjyqeve me stafin e saj për mosmarrëveshje të thella që kanë të me autoritetin e zyrtarit të lartë. Në këtë pikë, ministrat teknike ngjajnë si të zënë peng nga rrotat e mullirit politik që u vu në lëvizje nga marrveshja Rama-Basha e cila, për më tepër sot e kësaj dite nuk është zbardhur akoma. Ka shumë të ngjarë që vetë ministrat teknikë nuk e dinë as vet se çfarë bereqeti janë duke bluar këto rrota mulliri. Opozita praktikisht sot punon për qeverinë. Jep llogari sistematikisht para kryeministrit Rama, kafshon gjuhën sa herë që kjo i kërkohet apo i nënkuptohet. Ka një teori gjithsesi sipas së cilës ministrat teknike vijojnë të qëndrojnë si rezultat i marrëveshjes Rama – Basha e cila parashikon prekjen e Kodit Zgjedhor dhe më pas ndryshimin edhe njëherë të Kushtetutës. Kryeministri Rama me shumë gjasë do të rikonfigurojë sistemin zgjedhor duke i dhënë trajtat e plota te një sistemi të pastër bipolar”, përfundon ai. 
Sigal