Zgjedhjet e 14 Majit/ Ambasadori britanik dënon patronazhistët: Kujdes me të dhënat personale e burimet shtetërore

121
Sigal

Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith është shprehur se Britania e Madhe është duke nisur një projekt për të mbështetur Parlamentin e Shqipërisë. I ftuar në ‘Opinion”, ambasadori dha tre mesazhe për zgjedhjet lokale të 14 majit. Ai tha se në Shqipëri ekziston një problem real për mënyrën se si duhet të mbrohet interesi i qytetarëve, përfshirë të dhënat e tyre personale. Me këtë fjali, ai nënkuptoi patronazhistët e Partisë Socialiste dhe rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.

Pjesë nga intervista:

Po ambasador, por ju flisni për zgjedhjet, flisni për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por problemi qëndron se njerëzit në Shqipëri nuk kanë besim te zgjedhjet. Kemi zgjedhjet lokale të 14 Majit që do të jenë një moment shumë i rëndësishëm. Dhe ne do të duhet të shohim zhvillimet pas kësaj. Çfarë mund të thoni në lidhje me zgjedhjet?

Përveç mbështetjes praktike që ne japim për institucionet në mënyre që të ndihmojmë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe për të mbështetur proceset më të gjera demokratike, unë kam 3 mesazhe që do të doja që njerëzit t’i konsideronin vërtet. E para është për partitë politike. Ato duhet të zgjedhin candidate, që janë me integritet. Së dyti, nuk duhet të shohim sjellje të papranueshme në zgjedhje, disa prej të cilave i kemi parë në të kaluarën. Nuk duhet të shohim keqpërdorim të burimeve shtetërore. Duam të shohim se financimet e partive politike përdoren në mënyrën e duhur. Ne duhet të shohim se si palët dhe aktorë të tjerë angazhohen në media tradicionale dhe rrjetet sociale efektivisht. Kjo është një mundësi për politikanët të bëjnë më të mirën. Së treti, ne e dimë se ekziston një problem real për mënyrën se si duhet të mbrohet interesi i qytetarëve, përfshirë të dhënat e tyre personale.