Dr. Ina K. Zhupa/ ISIS në Shqipëri quhet Qeveri

817
Fatkeqësisht për ne shqiptarët ka shumë ngjashmëri midis metodave dhe sjelljes së ISIS dhe metodave dhe sjelljes së qeverisë shqiptare. Mund ti gruposh në disa kategori:

1. Pasiguria për të jetuar në vend ku mund të gjesh vdekjen shumë lehtësisht.

Qeveria shqiptare ashtu si ISIS të ofron vdekjen në çdo rrethanë duke të krijuar pasigurinë dhe terrorin për të jetuar në vend. ISIS vret qytetarët, rrëmben dhe i ekzekuton ata, bën të tmerrshme ecjen në rrugët e vendit nga frika dhe pasiguria. Në Shqipërinë e Ramës kemi vrasje dhe e plagosje në burg që për nga emërtimi duhet të ishte institucion i sigurisë së lartë në vend. Rrëmbime në stilin ISIS me uniforma policie, siç ishte rasti i Enver Stafukës, u rrëmbye dhe u ekzekutua Gazmend Çollaku, po ashtu me uniforma policie u grabiten dhe u vodhën qytetarë dhe biznese, me uniforma policie u ekzekutuan 3 qytetarë dhe u plagosën 8 të tjerë. Vrasja e Arditit në landfillin e Sharrë si rezultat i një skeme mafioze shfrytëzimi dhe pasigurie krijuar nga pushteti lokal dhe qendror. Vrasjet e qytetarëve në rrugët e vendit nga mos marrja e masave dhe kontrolleve por edhe nga korrupsioni qeveritar, diku hiqen pengesat në rrugë për interes klientelist, diku u hoq mbikalimi, diku nuk vunë tabelat që të çojnë drejt një kantieri vdekje. Dhe kështu qeveria përditë ngre kurthe dhe nuk merr asnjë masë për sigurinë e jetës së shqiptarëve duke pasur viktima njëlloj si në luftën e përditshme që bën ISIS .
      

2. Shteti që të çon në vetëvrasje dhe vdekje

Të shumta janë rastet që nga ISIS qytetarët gjenin vdekjen nga pamundësia për tu shëruar, nga pamundësia për të jetuar me dinjitet dhe vetëvrasjet nga mos durimi i terrorit. As këtu nuk ka shumë ndryshime me qeverinë tonë. Nga futja në burg për mospagimin e energjisë elektrike, kemi viktimat e OSSHE që vranë veten: Qamil Zela, Llazi Nasi, Gjovalin Lazri dhe Arif Deda. Apo gratë si Brunilda Meka, Melita Çenka që humbën jetën si rezultat e pushimit nga puna, që janë viktima të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së humanizmit të kësaj qeverie. Apo vdekjet e përditshme nga shëndetësia e shkatërruar e Beqes, ku mungojnë barnat, ku nuk punojnë aparaturat ,ku nuk bëhen dot ekzaminimet. Ku 4 të vdekur me HIV ishin vetëm nga mungesa e preparateve e kështu vazhdojnë tek spitali onkologjik, tek trauma e me radhë në spitale bashkiakë e rajonale në të gjithë Shqipërinë. Bilance tragjike vdekjesh të sponsorizuara nga shteti, nga qeveria jonë që sillet njëlloj si ISIS, me të njëjtën qasje ndaj jetës së qytetarëve. 



3. Krimi kulturor, shkatërrimi i monumenteve të kulturës.

Disa kohësh bëri lajm në të gjitha mediat botërore shkatërrimi i Palmirës, i monumenteve që ndodheshin në të nga ISIS. Lajm i kobshëm sepse krimet kulturore godasin thellë historinë dhe përkatësinë e një vendi por edhe të njerëzimit. Krimet sigurisht bëhen në përmasat që ka për të dëmtuar dhe të interesave që ke mbrapa veprimit që po bën. Të njëjtën strategji kriminale ndaj kulturës dhe historisë së një vendi po e përdor Rama dhe qeveria e tij duke shkatërruar në mënyrë brutale monumentin e kulturës fasadën e Qemal Stafës në mes të ditës në kryeqytetin tonë. Rama aq mundësi ka për të shkatërruar dhe aq interesa ka, për nga veprimi dhe metodat është i njëjtë me ISIS. Për nga interesat sigurisht që jo. Pasurimi në kurriz të shqiptarëve është i vetmi interes i Ramës. Pikërisht për këtë arsye ai veç abuzimeve të tjera me aferën e stadiumit, ka shkatërruar edhe monumentin e kulturës duke shkelur mbi rregullat dhe ligjet e këtij vendi. Rama pas daljeve publike nga PD ka shkruar në facebook me 27.04.2016: “Për qorrat qe s’duan te hapin syte, po hapin vetem gojën për te baltosur çdo ide, projekt, pune dhe tani i janë turrur Shtëpisë se Re te Kombëtares, s’ka asnjë ilaç! Por për te gjithë ata qe duan te shohin se si do te ruhet fasada e “Qemal Stafes” (e vetmja gjë me vlere ne atë gërmadhe), ja projekt-ideja e integrimit te saj ne zemrën e Arenës Kombëtare, ku do te jete edhe Muzeu i KUQEZINJVE. Ndërkohë që siç njihet tashmë nuk mban asnjë fjalë që thotë dhe asnjë premtim që bën. Ai shkruante po në facebook që basorelievet nuk kanë asnjë vlerë dhe ne të gjithë jemi tutkun përveç atij. Rama me statusin në facebook, tashmë merr përsipër të bëhet vlerësuesi se kush vepër e trashegiminisë kulturore ja vlen dhe kush nuk ja vlen. Ka ngelur vetëm të shembin kalatë se ndoshta si pëlqejnë lartgjatësisë së tij dhe ti ndërtojnë nga Carapuli, Eftimi, Casamonti sipas shijeve te Rames me lekët e shqiptareve. Sigurisht kjo pronë ti kaloj privatit përjetësisht. 



4. Numri i azilkërkuesve në Europë.

Në këtë pikë shifrat flasin vetë jemi gjithmonë të dytët pas Sirisë për nga shifrat e azilkërkuesve. Ata ikin nga lufta dhe pamundësia për të jetuar nga ISIS, shqiptarët ikin nga lufta e rilindjes dhe pamundësia për të jetuar. Faktet e ekonomisë janë kokëfortë, Dhoma Amerikane e Tregtisë është shprehur se besimi ka rënë me 4.83 pikë, dhe 65 përqind e të anketuarve janë shprehur se klima për biznes është e pafavorshme ose shumë e pafavorshme. Dhoma Gjermane e Tregtisë denoncoi korrupsionin e taksat e larta. Konsumi ka pësuar rënie në rekorde historike. Eksportet dhe investimet janë në rënie, dhe këto tregues janë ekonomia e vendit. Asnjë investitor i huaj nuk ka shkelur në këto tre vite, madje investitorët po largohen. Më mirë se çdo e dhënë janë qytetarët që e ndjejnë në kurriz dhe duan të ikin në çdo formë, njëlloj si sirianët nga ISIS.



5. Ideja se kanë e monopolit të së vërtetës dhe dinë se çfarë është e mira, e drejta.

ISIS shpall islamin jo ashtu siç është por siç e kanë ata në mendje si ideali se si duhet të jetë bota dhe çdo mjet përdoret për të arritur të zhdukin të keqes sipas tyre. Qeveria Rama shpalli rilindjen ashtu siç e mendonte jo ashtu se çfarë kishte përfaqësuar rilindja kombëtare. Ai, kryeministri ynë, do bëj shtet se ai e ka vendosur se kush është më e mira, me taksa të larta, gjoba dhe burg për qytetarët, terror policor, hashashizimi i vendit. Ligji shkruhet pas faktit të kryer, vendimet e Ramës shpallur në facebook duhen bërë vendime qeverie më pas duke shpallur festa e ditë pushim sipas oreksit të tij. Termat aleat, partner strategjik, miq ngatërrohen e përdoren vend e pa vend duke dështuar në mënyrë të suksesshme në politikën e jashtme. Por për Ramën kjo është e mira për Shqipërinë, qytetarët që nuk mendojnë si ai janë qen që lehin. Për ISIS kjo është e mira për Sirinë, qytetarët që nuk mendojnë ashtu duhen shtypur si krimba.

6. Roli i fortë i propagandës.

Investimi më i madh pas armatimeve që bën ISIS është propaganda, që i duhet për rekrutimet e reja. Investimi më i madh pas vjedhjeve të pasurisë të shqiptarëve që bën qeveria Rama është propaganda, që i duhet për të votat e ardhshme. Me shumicën e mediave në kontroll, arrin që nga mëngjesi deri në darkë të na tregojnë sukseset imagjinare të një qeverie që ska asnjë bilanc e vjeçar. Numri i videove në rrjetet sociale dhe i mesazheve propagandistike ka shumë mundësi tja unë kaloj dhe atyre që shpërndan ISIS. Letra të dërguara në adresat e gjimnazistëve ekselent që ende skanë mbushur as 18 vjeç për ti rekrutuar, për ti mbushur mendjen që të bëhen pjesë e Shqipërisë së gjeneratës tjetër. Qeveria Rama do mbahet mend edhe si qeveria që ka prodhuar më shumë slogane sesa punë. Propaganda është krahu më i fortë për të fshehur shkatërrimin dhe mjerimin që realisht po i sjell vendit.
Të gjitha këto ngjashmëri më trembin dhe më bëjnë të besoj ashtu si çdo qytetar sot se Shqipëria do jetë më mirë pa Edi Ramën ashtu si bota pa ISIS.
Sigal