Meta – Bartolone: Forcojmë më tej marrëdhëniet Francë-Shqipëri

464
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta mori pjesë në Konferencën Parlamentare të Nivelit të Lartë për Ndryshimet Klimaterike dhe Sfidat Mjedisore të Zonës Euro-Mesdhetare në Paris, e cila organizohet në kuadër të Presidencës franceze të Konferencës se ardhshme botërore COP21.
Përfaqësuesit parlamentarë të vendeve të zonës euro-mesdhetare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vende të ndryshme diskutuan mbi sfidat mjedisore të rajonit, të cilat po sjellin pasoja ekonomike, demografike, sociale dhe çrregullime klimaterike. 
Gjate diskutimit, pjesëmarrësit ndanë bindjen se duhen gjetur pistat e një aksioni të përbashkët për t’u përballur më mirë me këto sfida dhe ranë dakord se bashkëpunimi ndërparlamentar duhet intensifikuar në mbështetje të përpjekjeve të qeverive respektive për hartimin e një plani konkret masash të rrepta dhe me qëllim implementimin e angazhimeve të secilit vend në këtë drejtim. 
Gjate kësaj konference Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta u shpreh: 
“Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë iniciativë domethënëse në vigjilje të Konferencës globale COP21 dhe dua t’ju siguroj se Shqipëria i mbështet fort qëllimet tona të përbashkëta që duam të arrijmë gjatë punimeve të COP21 gjatë dhjetorit të ardhshëm në Paris. 
Kontributi Kombëtar i Synuar (INDC) i Shqipërisë përcakton një reduktim të dioksidit të karbonit (CO2) me 11.5% deri në vitin 2030, duke e konsideruar këtë si një synim kombëtar. 
Paketa e masave që synon reduktimin e gazrave me efekt serrë lidhet me investimet në fushën e ndërtimit, atë të industrisë dhe transportit, me një kosto të përafërt totale prej rreth 700 milionë eurosh deri në vitin 2030. 
Shumica e këtyre masave të identifikuara për përcaktimin e INDC janë masa që lidhen ngushtë me përdorimin efikas të burimeve energjetike dhe me aplikimin e energjive të rinovueshme dhe biokarburantet. 
Ndryshimet klimaterike janë duke ushtruar presion mbi gjithë pellgun euro-mesdhetar dhe si pjesë integrale e këtij makro-rajoni, Shqipëria mbështet fort objektivat ambicioze të Francës gjatë konferencës COP21 që pritet të mbahet në Paris. 
Jam dakord me përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët ngritën çështjen e ujit. Është e vërtetë që çështja e ujit në shumë vende nuk pret, ashtu siç edhe vetë koha nuk pret për aksionin tonë, sepse e ardhmja e mirëqenies së qytetareve tanë varet totalisht prej angazhimeve që ne do të marrim në kuadër të kësaj konference”. 
Gjate punimeve të kësaj konference, Kryetari i Kuvendit Meta u takua edhe me Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Francës, z. Claude Bartolone, me të cilin vlerësuan intensifikimin e marrëdhënieve ndërparlamentare mes Francës dhe Shqipërisë dhe ndanë bindjen se duhen me tepër përpjekje për të rritur bashkëpunimin ekonomik.
Z. Meta vuri në dukje se Franca përfaqëson një partner shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në BE dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme franceze ndaj procesit të integrimit evropian. 
Kryetari Meta u takua gjithashtu edhe me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Marokut, z. Rachid Talbi el Alami, Zv. Presidentin e Parlamentit Evropian, z. David Sassoli, Kryetarin e Parlamentit të Qipros, z. Yiannakis Omirou, Kryetaren e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit francez, znj. Elisabeth Gigou, si dhe përfaqësues të tjerë pjesëmarrës në konferencë.
Sigal