Dje u votua për kryetarin e ri të PD-së. Sot u shpall fitues Lulzim Basha

451
Sigal

Demokratët me kartë anëtarësie votuan dje  në mbarë Shqipërinë pasuesin e Sali Berishës në krye të PD-së. Rreth 105 mijë anëtarë të kësaj force politike janë thirrur për të zgjedhur liderin e ri për herë të parë përmes parimit “një anëtar-një votë”. Votimi nisi  në orën 8:00,  por nuk u mbyll në orën 19:00 ashtu siç parashikon orari zyrtar. Për shkak të radhëve të gjata deri në orën 20:00 nuk janë mbyllur shumë qendra votimi në rrethe. Anëtarët e partisë demokratike votuan në 39 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin, ndërsa votat do të numërohen në kryeqytet. Por gjatë procesit zgjedhor, shumë anëtarë të PD-së, edhe pse kanë shumë vite që militojnë, edhe pse janë nga më aktivët, nuk e gjetën emrat në listat zgjedhore. Ndokush për këtë mangësi fajësoi PD-në, por harrojnë, njëkohësisht, se edhe vetë kanë kohë që nuk kanë treguar interesimin e duhur, që të bëjnë jetë partie dhe të ripërtërijnë teserat e anëtarësisë në PD. Me 10 grupe numërimi te ngritura, besohet se të martën gjatë mesditës, do të mësohet edhe emri i kryetarit të ri të Partisë Demokratike në opozitë.

Sokol Olldashi: “Ndjesë demokratëve që nuk kishin emrat në listë”
Ora 18:40-
Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka votuar në limitet e kohës për kreun e ri të kësaj partie në qendrën e votimit të ngritur në selinë e Partisë Demokratike. Pas votimit, Olldashi falënderoi gjithë demokratët që votuan, ndërsa kërkoi ndjesë për ata që nuk mundën të gjejnë emrin në listë. “Falenderoj gjithë demokratët, ndjesë atyre që nuk kishin emrat në listë. Nuk kam qenë në dijeni për këtë problem. Gjithsesi këto janë problematika që nuk kanë të bëjmë me rezultatin që do dalë nga kutitë”, tha ai.

Basha:  Dëshmojmë vlerat e Demokracisë
Ora: 12:00 –
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha votoi rreth orës 12:00 në qendrën e votimit të ngritur në selinë e Partisë Demokratike. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Basha e cilësoi procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri si dëshmi të vlerave të demokracisë dhe procesin e parë të vërtetë në zgjedhjet brenda një partie. Basha falënderoi anëtarësinë e PD-së, ndërsa foli me tone të ashpra për maxhorancën e re dhe kreun e saj, duke i akuzuar për deformim të vullnetit të shqiptarëve në zgjedhjet e 23 qershorit.
Berisha: “Gara e hapur për një fillim të fuqishëm të PD-së”
Gjatë fushatës brenda partisë, që zgjati rreth tre jave, kryetari në detyrë, Sali Berisha, shmangu ndërhyrjet në favor të ndonjërit prej kandidatëve, sepse, siç pohoi edhe pas votimit të fshehtë, zoti Berisha beson se vetëm një garë reale do të rikthejë më të fortë Partinë Demokratike.  “Është një rast i shkëlqyer për t’u përcjellë përshëndetjet më të përzemërta të gjithë anëtarëve dhe anëtareve të Partisë Demokratike, për mënyrën e civilizuar me të cilën ata ndoqën, respektuan garën e hapur për Kryetar partie. Për pjesëmarrjen e tyre sot në votime, dua  t’i siguroj përsëri se do të jem njëri prej tyre për të bërë gjithçka që në një fillim të ri të fuqishëm të Partisë Demokratike ajo ta shndërrojë garën e parë të saj në një fitore të thellë”, tha Berisha.

  Berisha: “Për herë të parë  zgjedhim Kryetarin e PD-së, me parimin “Një anëtar, një votë”

Kryetari historik i PD-së, Sali Berisha e ka komentuar edhe në rrjetin e vet social, ngjarjen e votimit të sotëm të kryetarit të PD-së, duke e cilësuar historike, për faktin, që për herë të parë, kryetari i PD-së zgjidhet me parimin “Një anëtar, një votë”. “ Të dashur miq, – shkruan Sali Berisha- sot ditë vërtet historike për PD! Ne, anëtarët e saj, do zgjedhim për herë të parë në historinë tonë, por dhe të vendit, me një garë të vërtet me parimin “një anëtar një votë”, Kryetarin e ri të PD. Rroftë Partia Demokratike dhe anëtarësia e saj! SB”

  Basha:Demokratët po bëjnë sot  historinë, me procesin e parë të vërtetë të zgjedhjes së kryetarit, me parimin një anëtar – një votë”

 Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë anëtarët dhe militantët e PD, që u angazhuan në një proces të vërtetë dhe historik për zgjedhjen e kryetarit, me parimin një anëtar – një votë. “Dua të shpreh një falënderim të thellë për anëtarët dhe militantët e PD, për pjesëmarrjen gjatë gjithë këtyre ditëve dhe javëve të kaluara, në këtë proces të pashoq në historinë e pluralizmit, procesi i parë i vërtetë, jo fals i zgjedhjes së kryetarit të një partie politike dhe në këtë rast i partisë më të madhe në vend, me parimin një anëtar-një votë. Dua t’i falënderoj për shpirtin demokrat, vlerat pozitive të këtij shpirti që lartësohet nga idealet dhe aspiratat e themeluesve tanë, që mori vlera gjatë qëndresës sonë, që merr vlera edhe sot dhe i përçon këto vlera, anembanë shoqërisë shqiptare. Këto vlera i përçon edhe në politikën shqiptare, duke u treguar kundërshtarëve tanë politikë, duke demonstruar para çdo qytetari shqiptar atë që ne dimë të mbrojmë më mirë se kushdo tjetër, vlerat e demokracisë, vlerat e gjithëpjesëmarrjes, gjithëpërfshirjes, vlerat e votës dhe të shprehjes me votë nëpërmjet këtij procesi për një çështje kaq të rëndësishme” – theksoi z. Basha.  “Unë personalisht, si anëtar i PD sot, si demokrat, i bëj thirrje PD, anëtarësisë sonë, mbështetësve tanë, të gjithë qytetarëve shqiptarë të qëndrojnë fort në këtë çështje. Kjo nuk është vetëm një çështje e PD, është çështje e identitetit tonë si shqiptarë, si qytetarë të lirë, është çështje e identitetit tonë si evropianë. Ne nuk mund të shkelmojmë asnjë nga këto identitete, për të favorizuar apo fshehur zullumqarët e krimit, për të fshehur apo favorizuar aktet banditeske dhe kriminale të cilat qëndrojnë në themel të veprimtarisë së PS dhe kryesocialistit Rama, në raport me një numër jo të vogël qendrash votimi, më datë 23 qershor  dhe në themel të ngurrimit të pafalshëm të PS, të dënojë një orë e më parë këtë barbari mbi vullnetin e qytetarëve shqiptarë” – përfundoi z. Basha.

 Sokol Olldashi “U shpreh mirënjohjen time të gjithë demokratëve që morën pjesë në votim”

Kandidati për kryetar i PD-së, Sokol Olldashi bën me dije, se nuk kishte dijeni për mangësitë në listën zgjedhore, pasi, sipas tij, asnjëherë nuk ka patur në dispozicion listën e votuesve. Megjithëse, pohon Olldashi, këto probleme nuk kanë lidhje me rezultatin, prapëseprapë, ato mbeten probleme. Sokol Olldashi shkruan në rrjetin e vet social: “Procesi i votimit në PD u mbyll. Votova me fletën nr 040213.
U shpreh mirënjohjen time të gjithë demokratëve që morën pjesë në votim.
U kërkoj ndjesë atyre mijëra demokratëve që nuk votuan dot, sepse nuk gjetën emrin në listë.
Ky është një problem, përmasën e të cilit e kam patur të panjohur, pasi, për asnjë moment nuk pata në dispozicion listën e votuesve. Duke ditur që në Tiranë kishte një shtesë prej rreth 2500 personash, mendova se ishte pikërisht ky kontigjent. Mesa duket paska qenë një kontigjent tjetër, që mbetet për t’u parë ç’është. Këto janë probleme që nuk kanë lidhje me rezultatin, por mbeten probleme edhe nëse nga kutitë raporti i votave del 90 me 10 për Sokol Olldashin. U uroj suksese të gjithë kandidatëve rivalë”, përfundon Sokol Olldashi shënimin e tij, disa orë më vonë, pasi votoi.