OST tender 130 mijë euro për trajtim kozmetik. Skerdi Drenova shpërdoron paratë publike

249
Sigal

OST tender 130 mijë euro për trajtim kozmetik. Skerdi Drenova shpërdoron paratë publike

Një tender marramendës me vlerë 130 mijë euro është hapur nga Operatori i Sistemit të Transmetimit për trajtimin kozmetik të punonjëseve femra të këtij institucioni. Kreu i OST, Skerdi Drenova, i shpërdoron paratë publike për trajtime ekstra tek punonjëset femra, teksa në dokumente sqarohet qartë se bëhet fjalë për trajtime mjekësore që kryhen për të ndryshuar pamjen e jashtme dhe jo me qëllim trajtimi apo shërimi të një gjendje shëndetësore. Operatori i Sistemit të Transmetimit ka hapur një tender me vlerë 130 mijë euro, për trajtimin kozmetik të punonjëseve femra. Teksa të gjithë punonjësit e administratës shtetërore marrin ndihmë mjekësore në shtet kur e kanë të nevojshme, punonjësit e OST-së marrin shërbime mjekësore ekstra edhe në privat. Madje, kanë benefite më të mëdha, pavarësisht se paguhen me para publike. Sipas dokumenteve, rezulton se OST-ja ka hapur një tender me objekt sigurimin e punonjësve, madje edhe trajtimin e tyre shëndetësor. Skerdi Drenova, kreu i OST-së, i cili drejton një nga institucionet që menaxhon miliona euro, i shpërdoron këto të fundit për trajtime estetike për punonjëset femra. OST-ja u paguan edhe sigurimet shëndetësore punonjësve për në spitalet shtetërore, ndërkohë që një tender i tillë bëhet edhe pse janë të siguruar në shtet. Sipas dokumentit Drenova ka firmosur tenderin me objekt ‘sigurimi i jetës dhe shëndetit për punonjësit e mirëmbajtjes së linjave dhe punonjësve femra’. Pra, një trajtim të veçantë, sipas objektit të tenderit, e kanë femrat. Fondi për këtë tender është rreth 130 mijë euro, të cilat janë nga të ardhurat e OST. Ndërsa kohëzgjatja e kontratës ose afati për zbatimin e saj është 12 muaj nga hyrja në fuqi e kontratës. Nga dokumentet rezulton se do të jenë qindra punonjës të rrjetit të shpërndarjes që do të përfitojnë trajtim shëndetësor, ndërkohë që Skerdi Drenova ka menduar edhe për zonjat dhe zonjushat e OST-së, ku mbi 100 punonjëse do të kenë edhe trajtime kozmetike, përveç atyre shëndetësore. Në dokumente është shkruar mjaft qartë se bëhet fjalë për: ‘çdo trajtim mjekësor që kryhet vetëm për të ndryshuar pamjen e jashtme dhe jo me qëllim trajtimi dhe shërimi të një gjendje shëndetësore’. Pra, bëhet fjalë për një trajtim ekstra. Mesa duket Skerdi Drenova, kreu i OST-së, i kërkon punonjëset tepër të kuruara.