Dako inauguron rrugën e re tek ish-këneta: Investim modest

159
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka përurar rrugën Polumbari në lagjen 17 në zonën e ish kënetës të quajtur Durrësi i Ri. Kjo rrugë që është rikonstruktuar sipas standarteve maksimale ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së banorëve të zonës. Djetëra qytetarë të lagjes që kanë takuar kryebashkiakun i kanë shprehur atij falenderimet për punën e bërë në këtë zonë ku tashmë është zhdukur balta dhe është krijuar një infrastrukturë moderne. Kryebashkiaku Dako deklaroi se kjo rrugë është një pjesë e vogël e 4 milionë dollarëve që ka investuar Bashkia në zonën e ish kënetës: “Kjo rrugë ka qenë një problem për banorët e zonës ndaj ne këmi ndërhyrë për të hequr baltën dhe për të rikonstruktuar rrugën në funksion të lehtësimi të jetës së qytetarëve të Durrësit. Ne do të vazhdojmë me vrull të punojmë në të gjithë zonën e ish kënetës apo të Durrësit të ri. Kjo është një rrugë modeste në krahasim me investimet e mëdha që kemi bërë në këtë zonë të cilat deri tani kapin shifrën e 4 milionë dollarëve për të përmirësuar infrastrukturën e të gjithë zonës. Po investojmë fuqishëm në këtë zonë pasi për ne të gjithë qytetarët si në qendër ashtu edhje në periferi janë të barabartë dhe ne do të punojmë sa më shumë për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre kudo ku ata banojnë. Investime të tilla madhore do të bëjmë në të gjitha zonat e territorit të ri të Bashkisë së Durrësit, në Ishëm, Manzë, Sukth, Rrashbull e Katund i Ri dhe këto zona në vitet në vijim do të ketë një infrastrukturë tërësisht ndryshe nga ajo e tanishmja.” “Këtu ka qenë baltë nuk ka patur rrugë fare kurse tani e shikoni vetë si është shtruar rruga ndaj urimet më të mira i shkojnë kryetarit të Bashkisë që na zgjidhi këtë problem të madh.” – u shpreh një nga banorët. Një banor tjetër delaroi se transformimi i kësaj zone është total: “Kjo zona këtu ka qenë vetëm me baltë e kallama por kryetari na premtoi dhe realizoi gjithçka, para tre vitesh na mbylli kanalin e na e ktheu në lulishte kurse tani na shtroi edhe rrugën me asfalt dhe këtu edhe pse periferi nuk ka dallim nga qendra e Durrësit sepse kemi rrugën e shtruar dhe lulishte, e falenderojmë nga zemra kryetarin që ka punuar shumë edhe për ne banorët në periferi.” Rruga Polumbari është rikonstruktuar me një fond prej rreth 5.2 milion lekësh dhe janë kryer punime në kanalizime, trotuare prej 735 m2 dhe një sipërfaqe e asfaltuar prej 1660 m2 dhe gjerësi 5.5 metra.