Ç’po ndodh me PDIU dhe PBDNJ – MEGA në kampin e koalicionit të PS?

408
Amplitudat e tronditjes sizmike të koalicionit qeverisës kanë kohë që ndjehen, ndonëse kohë e shkurtër qeverisëse. Por ajo që duam të shënojmë është fakti i tre aleatëve të PS-së, partisë së çamëve dhe dy partive minoritare greke, ku vetëm njëra nga këto ka qenë aleate në fushatën zgjedhore të 23 qershorit 2013, në zgjedhjet e pushtetit qendror. Menjëherë, pas zgjedhjeve qendrore, pas dy vjetësh erdhën zgjedhjet vendore dhe në arenën politike ndodhën ndryshime: afrime dhe largime nga qeverisja dhe koalicioni qeverisës. PDIU-ja, në koalicion me PD-në dhe e shumëpërfolura se do të afrohej në koalicion me PS-në, që gjatë procesit zgjedhor të 2013-ës, çuditërisht e realizoi atë në prag të zgjedhjeve vendore të 2015-ës, duke sjellë reagime të reja dhe lëvizje politike brenda dy koalicioneve pozitë-opozitë. Nga njëra anë, vjen tek partia mëmë edhe si siguri për PS-në dhe presion ndaj liderit të LSI-së Ilir Meta për të heshtur para Ramës, por me sa duket, kjo lëvizje Ilir Metës vetëm sa i ka shtuar orekset për të mos toleruar Ramën, por për të thelluar kërkesat e tij. Berisha ka reaguar me tone të buta, a thua se nuk e ka problem largimin e çamëve për të bërë opozitën konstruktive. Afrimi i PDIU+ PS ka sjellë reagim të liderit të partisë më të madhe të minoritetit grek, PBDNJ, Vangjel Dule, i cili ka dhënë dorëheqjen, si shenjë proteste ndaj Ramës, nga posti i nënkryeparlamentarit, post si shpërblim i anëtarësisë së koalicionit parazgjedhor me PS-në dhe vendin e tij e ka zënë Shpëtim Idrizi, veçse i eklipsuar nga Valentina Leskaj, çka tregon (edhe) djallëzinë e Ramës për mos zënie bese ndaj Idrizit dhe lëvizjeve të tij. Ndërkohë, çamët nuk duken të kënaqur nga lëvizja e liderit të tyre, (Idrizit) kjo e argumentuar, sipas pjesës intelektuale, se, përveçse vet kryetarit dhe drejtuesve të degëve që kanë zënë nga një vend këshilltari, apo vende pune për familjarët, nuk kanë kërkuar rehabilitimin e qindra intelektualëve çamë të larguar nga administrata shtetërore, pas zgjedhjeve të 2013-ës, si shkak i aleancës me PD-në. Atëherë, pse u bë kjo lëvizje? Ndryshe ndodh me forcën e minoritetit grek, PBDNJ, se, përveç largimit të Vangjel Dules, asnjë punonjës nuk është larguar nga administrata publike(?!) Edhe forca tjetër e minoritetit grek, MEGA, përballet me mospërfilljen e PS-së , ndonëse ndërroi kah koalicioni në zgjedhjet lokale, por deri tani edhe në bashkinë e Finiqit, (sepse në Dropull fitoi PD-ja), që fitoi me aleancë të PS-së, deri tani janë punësuar anëtarët dhe kryetarët e seksioneve të PS-së. Pra, në këto lëvizje politike, kush ka humbur dhe kush ka fituar? Me sa shohim, Rama po tregohet i kujdesshëm tek koalicioni parazgjedhor 2013 për të mos bërë pazare me kontrabandistët politikë, që janë kthyer në tregtarë votash. PBDNJ është pjesë e fuqishme e administratës publike, PDIU dhe Mega në pritje. Ndërkohë, që Meta ndihet stoik dhe i sigurtë në politikat dhe strategjitë e tij.
Agron MEMA
Sigal