Ndryshimet kushtetuese, që parashikohen, cënojnë pavarësinë e Gjyqësorit

468
Sado që reforma në drejtësi, është kushti i parë ( ndër 5 prioritetet) që BE i ka kushtëzuar Shqipërisë të realizojë, për të filluar negociatat për pranimin e Shqipërisë si anëtare e BE, PS, PD, LSI ende nuk kanë arritur që të kenë një platformë të përbashkët për reformën. Madje, edhe PS dhe LSI, kanë divergjenca të mëdha, edhe pse mundohen që të mos ketë përplasje. Madje, PS, për të shmangur institucionin e ministrisë së Drejtësisë, nga hartimi ligjbërës, ngriti alibinë e Komisionit Parlamentar të Reformës së Drejtësisë, kur kryetar u caktua deputeti i PS. Edhe metodika e punës së këtij komisioni parlamentar, (duke marrë specialistët vendas dhe të huaj, sipas influencës së PS), u ndërtua dhe veproi, për të pasur PS kontrollin e plotë të produktit të këtij komisioni, dhe qëllimi ishte që të gjithë të tjerët ( edhe LSI, edhe PD) të detyrohen të pranojnë atë çfarë do të servisë ky komision, duke servirur se produkti i Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi është i specialistëve, jo i politikës, se ky komision ka asistencën edhe të ndërkombëtarëve, ndaj palët politike (PD dhe LSI) detyrimisht duhet ta japin konsensusin, pa prekur brendinë e draftit. Mirëpo, kjo strategji politike e PS çaloi, pasi PD kundërshtoi në thelb të gjitha propozimet e Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi (kur më para kishte denoncuar për njëanshmëri) dhe paralelisht prezantoi draftin e saj. Edhe LSI publikisht paraqiti rekomandimet e saj, për çdo nen të draftit të specialistëve, kështu që zgjidhja drejt konsensusit, nuk ishte gjetja e një të mesme politike, por përcjellja nga secila parti e draftit të tyre në Komisionin e Venecias, për të dhënë vlerësimet profesionale përfundimtare. Akoma nuk dihet, nëse edhe vlerësimi i Komisionit të Venecias, do të mundësojë që PD, PS, LSI të gjejnë konsensusin dhe të miratojnë draftin e ndryshimeve kushtetuese për Gjyqësorin. 
Drafti i Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi
Drafti i shumicës parlamentare dhe ekspertëve të huaj për reformën në drejtësi, mendim parashikon ngritjen e disa organeve të reja për sistemin e drejtësisë. Të gjitha emërimet në drejtësi do të kalojnë nëpërmjet Këshillit të Emërimeve. Ky organ, i cili me ligj u ngrit nga maxhoranca disa muaj më parë vetëm për Gjykatën e Lartë, tashmë futet në Kushtetutë dhe do të filtrojë çdo kandidaturë për sistemin e drejtësisë. Drafti i shumicës parashikon ngritjen e një strukture të posaçme antikorrupsion për drejtësinë e varur nga Prokuroria e Përgjithshme. Pjesë e kësaj strukture do të jetë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. “Struktura e Posaçme Anti-korrupsion e prokurorisë është përgjegjëse për ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës kundër gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë të përcaktuar me ligj pranë Gjykatës së shkallës së parë dhe Gjykatë së Apelit Anti-korrupsion”. Gjithashtu ekspertët e nivelit të lartë për reformën në drejtësi kërkojnë ngritjen e një organi i cili do të monitorojë dhe do të kontrollojë punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe punën e Këshillit të Prokurorisë. Tribunali Disiplinor do të shqyrtojë edhe ankimimet disiplinore ndaj anëtarë të organeve kushtetuese në sistemin e drejtësisë. Propozimet për ndryshimet kushtetuese ndërhyjnë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i cili nga organ këshillues kthehet në organ vendimmarrës. Këshilli emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët si dhe i propozon Kuvendit kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm.
Fatmir Xhafa: Ja ndryshimet kushtetuese në Gjyqësor
Është koha që të bëjmë një operacion të thellë në Gjyqësor. Pa ndryshime të Kushtetutë, nuk mund të ketë reformë në drejtësi. Së pari, do të bëhet testimi në Gjyqësor. Të gjithë punonjësit në sistemin e Gjyqësorit do të testohen, duke filluar që nga pasuria e tyre dhe pastaj do të shikohet çdo dosje për këdo gjyqtar. Nuk do flasim më në shumës, por do flasim konkretisht, me emra, për këdo gjyqtar. Do ndryshojë mandati i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, që do jetë 12 vjet. Do të ketë kusht, që çdo kandidat të ketë përvojë, të paktën 15 vjet. Anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, që do miratojë Parlamenti, do të bëhet me votë të cilësuar, detyrimisht. Nëse Parlamenti nuk do të arrijë të votojë me votë të cilësuar kandidatin për anëtarë në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, atëherë, parlamenti humbet këtë kompetencë dhe i kalon Këshillit ë Emërimeve të Gjyqësorit. Prokurori i Përgjithshëm nuk do emërohet me formulën e tanishme, por në Parlament do të vinë disa kandidatura nga Këshilli i Prokurorëve dhe kandidati do të votohet me votë të cilësuar. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, do të jetë 9 vjet, pa të drejtë rinovimi. Pas miratimit të kësaj reforme, mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, do të ndërpritet. Nëse prokurori i Përgjithshëm aktual nuk zgjidhet, atëherë, do të emërohet në një punë tjetër. 
Ylli Manjani, nënkryetar i LSI: Ndryshimet kushtetuese të propozuara, cenojnë pavarësinë e Gjyqësorit
Ylli Manjani nënkryetari i LSI e çmon si të domosdoshëm miratimin me konsensus të reformës në drejtësi, por apelon që politika të tregohet e kujdesshme me ndërhyrjet në Kushtetutë. Ylli Manjani, kundërshton draftin, sepse specialistët duhet të jepnin shumë alternative, dhe ata kurrsesi nuk mund të jepnin vetëm një alternativë. “Kushtetuta aktuale që kemi ka aplikuar standardet më të larta të pavarësimit të sistemit gjyqësor. Kushtetuta e sotme në letër siç është garanton pavarësi absolute të sistemit gjyqësor nga politika. Nga kjo pikëpamje çfarëdolloj ndërhyrje që mund ti bësh Kushtetutës, (kjo është parimore) nuk do ta përmirësojë pavarësimin por do të ketë vetëm hapa prapa. Nga kjo pikëpamje duhet të themi disa amendamente, për fat të keq, shkojnë drejt reduktimit të pavarësisë së gjyqësorit”. Manjani, u shpreh kritik edhe për prekjes së kompetencave të Presidentit të Republikës. Ylli Manjani: “Ndryshimet thonë se gjithçka do të nisë nga parlamenti jo më nga Presidenti. Pra, presidenti del jashtë loje në të gjithë funksionin e tij që ka pasur deri më sot. Mund të jetë një formulë që funksionon por pyetja shtrohet nga bashkëpunimi President- Kuvend, tani shkojnë direkt tek kuvendi?! Qoftë dhe me shumicë të cilësuar, 3/5. Kjo do të thotë se parlamenti patjetër që do të jetë i orientuar drejt qasjeve politike”. Manjani shprehu rezerva edhe për KLD, sepse formula e propozuar, 5 anëtarë jo nga gjyqësori, përballë 6 anëtarëve nga gjyqësori nuk sjell asgjë të mirë, nga struktura e tanishme, ku janë 10 anëtarë nga gjyqësori dhe 5 anëtarë jo nga gjyqësori. Manjani prek edhe rolin e Gjykatës së Lartë, së cilës nuk i është dhënë (nga politika) deri tani kompetencat që i ka dhënë Kushtetuta, dhe drafti i propozuar nuk sjell cilësinë e dëshiruar, për rritjen e rolit të kësaj gjykate. 
Opozita kundër formulës së Prokurorit dhe Gjykatës së Lartë 
PD i bashkëngjit draftit të ekspertëve vendas dhe të huaj për reformën në drejtësi një analizë të hollësishme voluminoze, përmes të cilës i bën oponencë ligjore disa kapitujve të rëndësishëm që lidhen me funksionimin e institucioneve kushtetuese. Në dokumentin që i është përcjellë komisionit të Venecias demokratët kundërshtojnë formulën e zgjedhjes së prokurorit, atë të e funksionimit të Gjykatës së Lartë, nenin që ndalon ndryshimet kushtetuese, në ato pjesë që prek reforma aktuale si dhe mjaft çështje të tjera. Opozita flet hapur për një përpjekje të shumicës për kapjen e sistemit të drejtësisë. PD kundërshton nenin mbi formulën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit, duke theksuar se kriteret e vendosura, të çojnë drejt kapjes politike të këtij institucioni. Ekspertët e demokrat kundërshtojnë dhe formulën për krijimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, duke kërkuar që institucioni të kthehet në Gjykatë karriere.. Emërimi si anëtar i Gjykatës së Lartë të individëve jashtë sistemit gjyqësor, krijon mundësi të lartë për politizimin e Gjykatës së Lartë”. Demokratët nuk bien dakord edhe me nenin 12 të draftit, ku sanksionohet se Gjykata Kushtetuese nuk mund të rrëzojë një ligj të miratuar nga Kuvendi, për rishikimin e Kushtetutës dhe që e bën të paprekshëm draftin themeltar të funksionimit të shtetit në kapituj që ndryshojnë aktualisht përmes reformës. Kundërshti ekspertët demokratë shfaqin dhe për ristrukturimin e KLD, dhe ngritjen e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Në kapitullin ku listohen 130 pyetje për Komisionin e Venecias demokratët ngrenë këtë shqetësim. “Përjashtimi i Presidentit të Republikës nga Pjesëmarrja dhe kryesimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, edhe pse ai nuk ka kompetenca ekzekutive, ndërkohë që ruhet pjesëmarrja e Ministrit të Drejtësisë, a është një masë që përforcon influencën politike në KLGJ? Demokratët mbështesin ngritjen në Kushtetutë të strukturës së posaçme anti-korrupsion. Gjithashtu ekspertët e selisë blu, mbështesin krijimin dhe forcimin e rolit të Këshillit të Prokurorisë.. 
Sigal