“Bledi Çuçi nxori sekretin për dëshmitaren e prokurorisë”

430
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi deputetin socialist Bledi Çuçi për nxjerrje të sekretit dhe zbulim të identitetit të një dëshmitareje kyç në hetimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. “Informoj Kuvendin dhe shqiptarët, se njeriu që ka shitur dëshmitarin e mbrojtur të Prokurorisë, oficeren e policisë, ka vetëm një emër dhe ai është Edvin Kristaq Habili, i cili, pasi mori foton nga Bledi Habili (Çuçi), pasi mori foton e dokumenteve, shkoi me vrap në zyrën e Fatmir Xhafës dhe atje identifikuan personin, tradhtuan duke shkelur sekretin më të rëndë shtetëror”, u shpreh dje Berisha në Kuvend. Më parë, ish-kryeministri publikoi një mesazh nga ai që e cilëson si “qytetari digjital”, duke u shprehur se “Edi Rama ka shitur dhe tradhtuar dëshmitaren e mbrojtur kundër Saimir Tahirit”. “Është Edi Rama vetë ai që ka dekonspiruar dhe shitur dëshmitaren e mbrojtur, oficere e policisë, kundër Saimir Tahirit. Ai është informuar vetëm pak minuta pasi prokurorët në seancën e mbyllur dorëzuan në Komisionin e Mandateve provat sekrete. Pavarësisht se të gjithë deputetët ishin nën përgjim dhe nën hetim, Bledi Çuçi filmoi dokumentet dhe ia nisi menjëherë Ramës. Rama, së bashku me Agaçin, shkoi në zyrë tek Xhafa ku kanë qëndruar rreth një orë, natyrisht ka bërë identifikimin e personit dhe ua kanë dhënë mediave”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Berisha. Ish-kryeministri Berisha kërkoi hetimin e pasardhësit të tij në krye të qeverisë. “I bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të nisë me urgjencë hetimin për Edi Ramën, që tradhtoi dhe shiti dëshmitaren e mbrojtur dhe të gjithë ata që janë të implikuar në këtë krim të shëmtuar”, deklaroi Berisha. Ndërkohë, mësohet se organi i akuzës ka komunikuar me Kuvendin e Shqipërisë në kuadër të hetimeve për nxjerrjen e sekretit.
Sigal