Imuniteti i Tahirit, mazhoranca rrëzon prokurorinë, opozita me parulla në sallë

516
Një seancë, përfundimi i së cilës ishte paralajmëruar. Ja çfarë ndodhi në 2 orë e 39 minuta. Debatet mes mazhorancës dhe opozitës dhe çfarë deklaroi Tahiri
Paraditja e së mërkurës nuk ishte ndryshe nga ditët e tjera. Ajo që ndryshonte ishte fakti, që deri tani jemi mësuar të ndjekim seancën parlamentare të hënën ose të enjten. Këtë javë ishte caktuar të mërkurën dhe kjo për një arsye të vetme. Kjo seancë kishte në rend dite vetëm një temë, imunitetin e ish-ministrit Saimir Tahiri, kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për dy akuza, atë të trafikut të drogës dhe korrupsionit pasiv. Rezultati i kësaj seance ishte i paracaktuar. Që të shtunën e javës së kaluar Këshilli i Mandateve vendosi të shkojë në këtë seancë me dy raporte. Një i përgatitur nga pesë anëtarët e opozitës dhe që binin dakord të jepnin “OK” për arrestimin e Saimir Tahirit dhe një tjetër përgatitur nga anëtarët e mazhorancës që ishin kundër arrestimit të kolegut të tyre. “Lufta” e ashpër dukej se kishte përfunduar jashtë dyerve të parlamentit dhe tashmë palët ishin përgatitur të flisnin jo më shumë se pesë minuta në mënyrë të përmbledhur. Kryefjala ishte po e njëjtë. Arrestimi i Tahirit nga njëra anë dhe mbrojtja e tij nga ana tjetër. Dy palë të kundërta. Tahiri u mbështet nga kolegët e tij deputetë. Ai arriti t’i shpëtojë, për momentin, arrestimit dhe të hetohet në gjendje të lirë për akuzat e ngritura. 75 deputetë votuan për të rrëzuar kërkesën e prokurorisë, e cila kërkoi arrestimin dhe 60 ishin pro saj. Seanca zgjati 2 orë e 39 minuta. Nisi në orën 10:04 dhe përfundoi në orën 12:43. 
Përgatitja e seancës
Pak para orës 10:00 kur ishte caktuar të niste seanca parlamentare, i vetëm u fut në sallë, ish-Ministri Saimir Tahiri, të cilin partia e tij e zhveshi nga të gjitha funksionet brenda saj, duke e lënë elektron të lirë. Pas tij të gjithë deputetët me radhë. 
Protesta e opozitës në Kuvend
Ndërsa dihej se cili do të ishte përfundimi i seancës së djeshme dhe çfarë qëndrimi do të mbante mazhoranca, opozita e bashkuar ishte përgatitur për të kundërtën. Sapo u ulën në vendet e tyre deputetët e opozitës, përfshi këtu edhe ata të LSI-së, vendosën mbi tavolinë nga një pankartë ku shkruhej “Kundër drogës”, “Jo drogës”, “Jo krimit”. Gjithçka dukej e fliste vetë. Deputetët herë pas herë i ngrinin pankartat duke lajmëruar kryeministrin dhe mazhorancën e tij, se “beteja” sapo ka nisur. Parullat ishin shkruar e bardha në të zezë. Pra, deputetët e opozitës kishin zgjedhur fletë të zeza për të shkruar, duke u dhënë kundërshtarëve të tyre edhe një mesazh të fortë që “Shqipëria është nxirë nga krimi”. 
Nisja e diskutimeve dhe ndërhyrjet
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi në çelje të punimeve të Kuvendit, njoftoi të gjithë deputetët për procedurën që do të ndiqej në këtë seancë. U tha se gjithçka ishte ezauruar dhe se deputetët duhet të flisnin shkurt për të mos dalë nga procedura. Fillimisht lajmëroi emrat e deputetëve që do të flisnin jashtë temës së ditës pra në 60 minutëshin e lirë. Ata ishin kryetarët e partive parlamentare dhe disa deputetë që kishin shënuar emrin. 
Ish-ministri i Brendshëm flet vetëm një minutë
Të parit iu dha fjala deputetit Saimir Tahiri. Ishte ulur në fundin e sallës kur dëgjoi emrin e tij. U ngrit me shpejtësi dhe iu drejtua foltores. Në duar nuk mbante asnjë letër. Dukej se e kishte vendosur që të mos përsëriste edhe një herë ato që ka thënë këto ditë. Mbrojtjen e tij e bëri të martën nga selia e kryeministrisë, ndërsa dje foli shkurt. U ngrit në foltore në orën 10:07 dhe u largua prej aty në 10:08. Në një minutë tha ,se nuk kishte kohë për të humbur, të drejtën e tij nuk kishte ndërmend ta gjente në sallën e parlamentit, por do t’ia linte në dorë drejtësisë. U tha kolegëve të tij se hiqte dorë nga e drejta në Kuvend dhe se këtë do të gjente në gjykatë dhe para qytetarëve. Më pas Tahiri u ul në ndenjësen e tij. Teksa fjalën e mori Enkelejd Alibeaj, Tahiri që sapo kishte përfunduar, u pa duke biseduar me Taulant Ballën dhe Bashkim Finon. Nuk qëndroi gjatë në Kuvend. Nuk dëgjoi asgjë nga ato që folën kundërshtarët e tij. U largua i shoqëruar nga deputeti Bashkim Fino. Ky i fundit u rikthye disa minuta më pas. 
Raporti i opozitës lexuar nga Alibeaj
Menjëherë sapo përfundoi Saimir Tahiri fjalën e tij të shkurtër, Gramoz Ruçi kërkoi të lexoheshin raportet e përgatitura nga palët përfaqësuese në Këshillin e Mandateve. Enkelejd Alibeaj, mori 41 minuta kohë parlamentare për të lexuar raportin e përgatitur në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Mandateve. Pesë anëtarët e opozitës sipas raportit kishin rënë dakord për të pranuar kërkesën e prokurorisë e cila kërkonte imunitetin e Saimir Tahirit për t’i hapur rrugë arrestimit. Sipas opozitës Tahiri, kërkesa e prokurorisë ishte e shoqëruar me relacionin përkatës dhe provat konkrete. U thanë edhe një herë ato çfarë kemi dëgjuar për një javë me radhë kundër Saimir Tahirit. U ritha edhe fakti se Tahiri ka përfituar vlera monetare dhe dhurata të shumta nga familja Habilaj. U kujtua fakti se ish-ministri u shiti makinën Habilajve duke u dhënë garanci për të lëvizur pa u shqetësuar drejt Italisë dhe Greqisë dhe për të përfunduar aksionet e drogës. Po kështu për opozitën, Tahiri duhej të ishte tashmë në pranga, pasi vuri në dispozicion të trafikantëve gjithë zinxhirin e policisë në Vlorë. Gjithçka është bërë për të lehtësuar trafikun e drogës dhe për të përfituar miliona euro. Opozita deklaroi se Kuvendi nuk ka për detyrë verifikojë provat dhe të jap vendim nëse janë apo jo të vërteta. Kjo punë është kompetencë e gjykatës. Tonet e Alibeajt gjatë leximit të raportit, ndonëse dukeshin të qeta, tregonin se opozita nuk pajtohet në asnjë mënyrë me rrugën e ndjekur nga mazhoranca dhe standardet e saj. Për opozitën e bashkuar tashmë, Rama qëndron në qeveri si sundimtar i krimit. 
Berisha kërkon fjalën për procedurë
Menjëherë pas përfundimit të fjalës së deputetit Enkelejd Alibeaj, ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi fjalën për procedurë. Duke qenë se seanca e djeshme ishte me objekt të përcaktuar qartë, Berisha shfrytëzoi procedurën për të thënë akuzën e re ndaj Edi Ramës. Ai tha se Edvin Kristaq Habilaj, urdhëroi nxjerrjen e emrit të dëshmitares së mbrojtur. Sipas Berishës, Rama kishte ngarkuar me këtë detyrë Bledi Çuçin, të cilin ai e quajti Bledi Habilaj. Menjëherë pas kësaj deklarate, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i kujtoi Berishës se ishte jashtë procedurës dhe në këtë mënyrë duhej të ndërpriste fjalën. 
Ulsi Manja lexon raportin e mazhorancës 
Për të majtët raportin e dalë nga mbledhja e Këshillit të Mandateve e lexoi Ulsi Manja. Ripërsëriti edhe një herë ato që vet ai dhe kolegët e tij kanë deklaruar gjatë mbledhjes si dhe në studiot televizive. U tha shqiptarëve se Saimir Tahiri nuk mund të arrestohej lehtë, pasi prokuroria nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme dhe se drejtësia duhet të flasë sipas gjuhës së tyre. Teksa analizonte provat e prokurorisë në sallën e Kuvendit, kryetari Gramoz Ruçi i kujtoi Manjës t’i përmbahej raportit fjalë për fjalë dhe të mos dilte nga tema. Premtoi se do të bënte një gjë të tillë, por sërish, Manja vazhdoi të fliste kundër prokurorisë duke thënë se ajo më parë duhet të paraqiste provat në Kuvend. Për të majtët Tahiri nuk ka qenë pjesë e trafikut, nuk ka lidhje me Habilajt dhe se gjithçka që thuhet është shpifje. Anëtarët e të majtës i dhanë të drejtë akuzës të kontrollojnë banesën e Saimir Tahirit dhe të vazhdojnë hetimet, ndërsa këtij të fundit i bllokohet pasaporta dhe detyrohet të paraqitet pranë organit të akuzës sa herë t’i kërkohet. Ulsi Manjës iu desh 46 minuta të përfundonte raportin e përgatitur në mbrojtje të ish-ministrit Tahiri. 
Dokumenti i Tahirit pa numër protokolli
Deputeti demokrat, Flamur Noka nga salla e Kuvendit tha se, dokumenti i paraqitur nga deputeti Saimir Tahiri, i mbërritur nga Prokuroria e Katanias, është i falsifikuar. Sipas Nokës, ky dokument nuk është me numër protokolli, e për pasojë sipas tij është fals. Të martën, në një konferencë për shtyp, ish – Ministri i Brendshëm publikoi një përgjigje të Prokurorisë së Katanias, në të cilën shkruhej se ai nuk është nën hetim në Itali, si pjesë e dosjes Habilaj.
Punimet në seancën e djeshme parlamentare minutë pas minute
Ora 10:00 Deputetet futen me radhë në sallë
10:04 Nis seanca parlamentare. Gramoz Ruçi flet për rendin e ditës 
Ora 10:07 Saimir Tahiri merr të drejtën e fjalës. Flet vetëm 1 minutë
Ora 10: 08 Gramoz Ruçi u kujton deputetëve se do të dëgjojnë vetëm raportet. Pati një koment nga Edmond Spaho, i cili i kërkoi Ruçit që të zbatohet procedura e rregullt dhe të mos ketë asnjë lëvizje prej saj. Gjatë kësaj kohe në sallë deputetët janë duke folur. 
Ora 10:13 Saimir Tahiri largohet nga Parlamenti nën shoqërinë e deputetit Bashkim Fino
Ora 10:21 Enkelejd Alibeaj merr fjalën për të lexuar raportin përfundimtar dalë nga Këshilli i Mandateve. 
Ora 10:51 Alibeaj mbyll fjalën
Ora 10:52 Berisha reagon dhe akuzon kryeministrin Edi Rama
Ora 10:53 Ulsi Manja merr fjalën dhe lexon raportin e mazhorancës
Ora 10:56 Sali Berisha dhe Eduard Halimi largohen nga salla e Kuvendit dhe 1 minutë më vonë jep deklaratë për mediat në oborrin e parlamentit. 
Ora 11:06 Gramoz Ruçi i tërheq vëmendjen deputetit Ulsi Manja për t’iu përmbajtur procedurës së përcaktuar në fillim të seancës
Ora 11:39 Pas përfundimit të leximit të raportit nga Manja, reagon Flamur Noka. Ai tha se dokumenti i publikuar nga Saimir Tahiri është fals pasi nuk ka të shënuar numër protokolli
Ora 11:40 hapet votimi 
Ora 11:45 nisin diskutimet e lira. E para që mori fjalën ishte Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi
Ora 11:50 Flet Edmond Spaho dhe i kujton sërish Ruçit të respektoj procedurën
Ora 11:52 flet shkurt Enkelejd Alibeaj dhe i drejtohet shqiptarëve të cilët sipas tij kuptojnë mirë se çfarë po ndodh
Ora 12:31 fjalën e merr Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha
Ora 12: 43 Flet kryeministri Edi Rama në Kuvend
Kryemadhi: Treguat se nuk shkëputeni dot nga droga dhe krimi
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi pas votimit ku mazhoranca refuzoi arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, u shpreh se me këtë votim mazhoranca tregoi edhe njëherë se nuk mund t’i shkëpusë dot lidhjet nga krimi dhe trafiku i drogës. “Sot mazhoranca humbi një shans të tregonte hapur se është e sinqertë ndaj luftës së krimit, drogës, por vërtetoi se është e kapur nga krimi dhe e blerë nga paratë e drogës dhe krimit”, u shpreh Kryemadhi. Më tej Kryemadhi tha se me këtë vendim që mori Kuvendi i hapet rrugë bandave dhe krimit. Ndërsa theksoi se qeveria tregoi se nuk do reformën në drejtësi. “Votimi i sotëm vërtetoi që thënien e Habilajve që 74 mandatet e PS janë të blera me paratë e drogës e krimit, pas këtij votimi ky parlament më ngjan si korporata e latifondistëve të hashashit ku secili mban një parcelë. Jeni peng i krimit dhe trafikut të drogës. Nuk na mbetet më gjë tjetër vetëm t’i themi, punë të mbarë të gjitha bandave që vetëm në 2017 në brigjet e Italisë janë kapur 13 ton drogë…”
Basha: Kuvendi u kthye në vulën e narkotrafikantëve, qeveria ka vdekur
“Të gjitha legjislaturat e mëparshme kanë respektuar faktin se pushtetet janë të ndara dhe detyra e parlamentit është t’i hapë rrugë drejtësisë. 28 deputetëve Kuvendi i Shqipërisë u ka hequr mandatin. Detyra e parlamentit është vetëm t’i hapë rrugë drejtësisë, deri më sot. Rama e Tahiri kanë dy standarde për drejtësinë, një për vete e një për qytetarët e thjeshtë. Zaganin e mbajtën tre ditë për shpërdorim detyre. Zagani ndodhet sot jashtë Shqipërisë, për shkak të persekutimit politik nga njerëzit e pushtetit.”, tha Basha. Më tej Basha deklaroi se “kjo qeveri ka rënë, de fakto dhe është e vdekur dhe orët e narkoshtetit kanë filluar të trokasin mbrapsht. Sot me këtë votë mbrojtët veten tuaj, keni ndërruar trëndafilin me lulen e hashashit”. Kreu i demokratëve duke i numëruar më pas me radhë emrat e të ndjerëve që bënë vetëvrasje pasi përfunduan në gjykata e burgje nga masat drastike të shtetit të Ramës, ka denoncuar atë që i kanë thënë dy miqtë e tij të huaj teksa darkonin në një nga lokalet me luksoze të Tiranës. “Atë ditë kur deputetët socialistë votuan për mbrojtjen e Tahirit, dy miqtë e mi të huaj darkuan në një nga lokalet më luksoze të Tiranës. Për çudinë e tyre, por jo të timen, dy tavolina të vetme të zëna të lokalit kishin në krye socialistë, njëri pinte puro të shtrenjta kubane dhe konjak të shtrenjtë, dhe tjetri me verë që kushton me shtrenjtë se rroga minimale. Dy deputetë rrogëtarë që nuk e kishin parë këtë luks, sot jetojnë si sheikë, kjo është e vërteta e shtetit tënd” tha ai, duke iu drejtuar Ramës.
Rama fjalë ironizuese në seancën e boshatisur nga opozita
Qysh në nisje të fjalës së tij, deputetët opozitarë braktisën sallën e seancave. Ai e nisi fjalën duke ironizuar kryedemokratin Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, duke thënë “O Selman i vëllait, kë të qaj më parë, ty a motrën tonë që u zuri i njëjti hall”. Por ai shtoi se, as ka kë të qaj, as ka si t’i qaj, përveçse duke ju thënë në sy, se kush i bën shqiptarët për budallenj, në fund e ha”. Rama ironizoi duke thënë “vazhdoni t’i bëni shqiptarët për budallenj, se keq e më keq do shkoni, e keq e më keq do e paguani”. Në këtë linjë shtoi, se kush kujton se e bën për budalla shqiptarin më të pashkollë, gabon dhe në fund fare paguan. Ai tha se kanë gabuar më parë dhe kanë gabuar edhe më vonë, por keq e më keq e kanë paguar dhe kjo derexhe është sipas tij, fatura që kanë marrë nga shqiptarët, “pasi i keni bërë për budallenj jo një herë, por herë pas here me radhë, prapë do paguani dhe do paguani edhe më keq, me kamatëvonesë shumë më të lartë për Shqipërinë, për njerëzit, për drejtësinë”. Rama deklaroi më tej, se le të çirren, le të bërtasin dhe ulërijnë me emrin e Shqipërisë në gojë, por nënvizoi se duhet ta harrojnë që do e bëjnë për budalla këtë popull. Sipas tij, opozita mund të gjejë sa të dojë tellallë në “kazanin e medias”, por kot e kanë, sepse ky popull e di mirë, edhe kush janë, edhe çfarë duan, edhe kujt i tremben.
Sigal