Pjerin Ndreu: Duhet bërë harta e krimit dhe strategjia parandaluese

717
Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu, njëkohësisht ish-zyrtar i lartë i policisë, u shpreh se politika shqiptare duhet t’i qaset në një mënyrë tjetër krimit. “Duhet strategji parandaluese. Duhet bërë harta e krimit dhe të përcaktojmë realisht pëllëmbë për pëllëmbë se cili krim është më dominues dhe më pas duhet të planifikojmë se si. Për sa kohë do të jemi një vend i varfër ne do të presim flukse kriminaliteti që nuk varet nga qeveria dhe as nga policia. Dhe jemi në grackën e turbulencave të kriminalitetit në çdo kohë”, tha Ndreu në emisionin “Arena”. Ai shtoi se nuk do të ketë asnjë pengesë për hetimin e Tahirit. “Nuk do të ketë asnjë pengesë, nëse prokuroria do të ketë prova, madje ne e inkurajomë ta thellojë. Të bashkëpunojë edhe me Prokurorinë italiane, e të bëhen gjithë hetimet e nevojshme, jo vetëm për Saimir Tahiri, por për të gjithë. Ne kemi krijuar gjithë kushtet e nevojshme, përveç arrestit, sepse nuk jemi të bindur në provat që janë paraqitur. Është përmendur emri Saimir dhe bosi, e duhet të aludojmë se është Saimir Tahiri vetëm se është kushëriri, kjo është aludim. Duhet të dilet nga kjo, por me prova”, tha Pjerin Ndreu. Ndërsa deputeti i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, tha se janë 10-15 deputetë socialistë që merren me drogë. “Nuk po themi që e ka bërë Edi Rama Vlorën me drogë. Vlora është porti më i afërt me Italinë, se po ia çojmë drogën kalamajve të tyre. Vlora kështu ka qenë me kohë, edhe në kohën tonë. Ky fenomen është agravuar gjatë kësaj qeverie, sepse shumë komponentë politike kanë mbyllur sytë. Dhe Habilajt kanë marrë përsipër në njëfarë mënyrë, të bëjnë këtë shpërndarje”, u shpreh Shehi. Sipas tij, Vlora ka qenë e majtë dhe shumë komponentë nga PS vijnë nga Vlora. “Këto deputetë e ministra, rrënjët i kanë nga Vlora dhe Habilajt domosdoshmërish që andej do të dalin”, u shpreh Shehi.
Sigal