Bashkia e Tiranës nderon me titullin “Qytetar Nderi” Adem Demaçi

58

Veliaj: Adhurim për sakrificën e bërë për çështjen shqiptare; Demaçi: Të
mos e harrojmë asnjëherë vendin tonë

 

Tirana ka nderuar sot politikanin dhe shkrimtarin e njohur kosovar, Adem
Demaçi, me titullin “Qytetar Nderi”. Në një ceremoni të posaçme, kryetari i
Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka dorëzuar Adem Demaçit titullin “Qytetar
Nderi” si dhe “Çelësin e Qytetit” me motivacionin e intelektualit
të shquar, simbol i rezistencës së gjithanëshme, për liri, pavarësi dhe
prosperitet, për kontributin dhe sakrificat e tij ekstreme, dhe popullit të
pavarur të Kosovës, si dhe për forcimin e lidhjeve tradicionale mes qytetarëve
të të njëjtit Komb.

 

Në fjalën e tij të rastit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh i lumtur që i
jepej mundësia që t’i dorëzonte këtë titull nderi një figure kaq të madhe të
çështjes shqiptare, aq më shumë kur një ditë e tillë përkoi edhe me festën e Pavarësisë
së Shqipërisë.

 

“Sot kemi një rast shumë të veçantë e nuk besoj se mund të kishte rastësi
më të bukur se sa Ditën tonë të Pavarësisë ta kujtojmë duke i dhënë titullin
“Qytetar Nderi”, mikut, vëllait e patriotit të madh, Adem Demaçi. Sot është një
ditë e shenjuar për të gjithë shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri ku jemi sot, por
kudo ku jetojnë ata në trevat tona në Ballkan apo në emigracion. Është shumë me
vend që në një ditë si kjo të kujtojmë, jo vetëm ato figura që luftuan e
shpallën pavarësinë tonë të parë, 104 vite më parë, por çdo shqiptar të mirë që
ka luftuar për çështjen shqiptare”, u shpreh Veliaj.

 

Duke vlerësuar figurën e Adem Demaçit, Veliaj theksoi se ai është patriot i
madh dhe një figurë qendrore në luftën për pavarësinë e Kosovës, dhe që tashmë,
e ka siguruar vendin e tij të lavdishëm në historinë e gjithë shqiptarëve. Kryebashkiaku
i Tiranës vlerësoi edhe sakrificën e madhe e të gjatë që Demaçi bëri gjatë regjimit
ish-jugosllav, duke vuajtur një pjesë të mirë të viteve të tij në burgjet
politike.

 

“Duke zbritur vitet e tmerrshme të burgut, pothuajse 28 vjet, e kupton
realisht se çfarë çmimi të lartë ka paguar patrioti Adem Demaçi për Kosovën dhe
çështjen shqiptare. Unë kam pak më shumë se 28 vjeç, por e di që 28 vite janë
shumë, janë tmerrësisht shumë, kur krimi i vetëm që ke bërë është të ngresh
zërin për të drejtat e popullit tënd dhe njerëzve të tu. Ishte ndoshta besimi
te drejtësia e kauzës për të cilën po sakrifikonte, që e bëri Adem Demaçin,
Mandelën e Ballkanit, të duronte aq shumë dhe pa u dorëzuar dhe pa asnjë kompromis.
Ne jetojmë sot në kohë krejt të ndryshme, lavdi Zotit! Nuk na kërkon kush të
bëjmë sakrifica të këtij kalibri, kaq të mëdha. Sot, shqiptarët s’i ndalon
askush që të bëjnë punë e vepra konkrete, të modernizojnë shtetet e tyre”,
theksoi Veliaj.

 

Ai shtoi se me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës, “duam në fakt t’i
shprehim atij mirënjohjen dhe adhurimin më të thellë të çdo qytetari të
kryeqytetit të Shqipërisë, për gjithçka ka bërë dhe gjithçka ka sakrifikuar për
çështjen shqiptare”.

 

Nga ana e tij, Adem Demaçi falenderoi Tiranën për këtë vlerësim, duke
theksuar se ka qenë një dëshirë e tij e përhershme që të gjithë shqiptarët të
festonin të lirë pavarësinë e tyre. “Ju falenderoj juve, vëllezërit e
pamvarshëm të Shqipërisë, të cilën e kemi dashur të gjithë, se jemi edhe ne
njësoj si ata. Prandaj, dhe kënaqësia është shumë e madhe, dëshira juaj ka qenë
shumë e madhe për ne, e fortë. Kemi dëshiruar që të vijmë gjithmonë, e të jemi
gjithmonë këtu me ju. Ne mendojmë se nuk jemi vetëm Shqipëri dhe shqiptarë, por
dëshirojmë që të jemi edhe më të plotë. Prandaj, e duam vendin tonë këtu, që të
mos ta harrojmë kurrë dhe të jemi aty ku kemi lindur”, tha Adem Demaçi.

 

Adem Demaçi ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare në kohën e
ish-Jugosllavisë, duke luftuar për liritë dhe të drejtat e Kosovës dhe barazinë
e saj me republikat e tjera. Për angazhimin e tij në lëvizjen politike në
shërbim të çështjes kombëtare, Adem Demaçi u dënua disa herë nga regjimi
jugosllav duke vuajtur 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë. Ai konsiderohet edhe
si “Nelson Mandela i Evropës”. Nga viti 1990 deri 1995 ai drejtoi Këshillin për
të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, ndërkohë për veprimtarinë e tij në vitin 1991
u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”.

 

Në vitet 1998-1999 ai ka qenë një nga përfaqësuesit më të lartë politikë të
UÇK-së. Ndërkohë që 2005-2007 ai mbajti edhe pozicionin e kryetarit të Lidhjes
së Shkrimtarëve të Kosovës. Gjithashtu, përveç veprimtarisë së tij të gjatë
politike në shërbim të çështjes kombëtare, Demaçi njihet edhe si shkrimtar i
disa tregimeve dhe romaneve, ku spikat “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga
regjimi ish-komunist për t’u botuar vetëm në vitet 90. Dhënia e “Çelësit të
Qytetit të Tiranës” vjen edhe në 80 vjetorin e lindjes së tij.