Bashkia e Elbasanit jep tenderë pa garë. Nga 97 kontrata publike, në 54 ka përdorur procedurën e negocimit

128

Bashkia e Elbasanit, tenderë pa garë dhe hije të konfliktit të interesit

Ja cilat janë 3 kompanitë që përfitojnë tenderët në Bashkinë e Elbasanit

Sistemimi i rrugëve dhe kanalizimeve, pastrimi i qytetit, blerja e frutave dhe perimeve për kopshtet dhe konviktet kanë një emërues të përbashkët në Bashkinë e Elbasanit: kompanitë, të cilat marrin të drejtën t`i ofrojnë këto shërbime dhe mallra, kryesisht nuk i nënshtrohen garës së hapur, por lidhin marrëveshje përmes negocimit me përfaqësues të bashkisë. Një investigim i Qendrës për Gazetari Cilësore zbulon se më shumë se gjysma e procedurave të prokurimit në bashki, e cila ofron shërbime për rreth 210 mijë qytetarë, kryhet përmes procesit të negocimit të drejtpërdrejtë, pa njoftuar publikisht mbi nevojën për mall apo shërbim. Investigimi i praktikave të prokurimit në këtë bashki gjithashtu hedh dritë edhe mbi konfliktin e mundshëm të interesit mes ish-drejtuesve të saj të lartë dhe operatorëve, të cilët kanë përfituar dhe përfitojnë tenderët publikë. Qendra ka marrë në analizë procedurat e prokurimit të tri kompanive, të cilat janë të vetmet që kanë përfituar shumat më të mëdha nga kontratat publike gjatë një periudhe katërvjeçare në vitet 2012-2016.

3 kompanitë që përfitojnë tenderët në Bashkinë e Elbasanit

Tri kompanitë që kanë përfituar më shumë nga ofrimi i shërbimeve, punëve dhe mallrave në Bashkinë e Elbasanit janë Victoria Invest sh. p. k., Bajrami N. sh. p. k. dhe Bikade sh. p. k. Në 56% të rasteve këto kompani i kanë përfituar kontratat pa garë të hapur. Përgjatë katër viteve të tre operatorët kanë nënshkruar të vetëm 97 kontrata me Bashkinë e Elbasanit, nga të cilat në 54 procesi i tenderimit është zhvilluar me procedurë me negocim, pa shpallje paraprake.

Ky proces konsiderohet si me gjasa të larta favorizimi dhe korrupsioni.

Po kështu, buxhetet publike nuk përfitojnë financiarisht, pasi kontratat negociohen në vlerat limit të fondeve në dispozicion. Në kushtet e garës së hapur, operatorët ekonomikë tentojnë ta ofrojnë shërbimin apo mallin e kërkuar nën fondin limit për shkak të konkurrencës. Ndërkaq, konflikti i interesit duket se ka qenë prezent në këtë njësi të pushtetit vendor gjatë katër viteve të marra në shqyrtim.

Konflikti i interesit në dhënien e tenderëve në Bashkinë e Elbasanit

Ish-nënkryetarja e Bashkisë së Elbasanit nga viti 2013 deri në vitin 2016, Anduena Prifti Bajrami, është bashkëshortja e Nazif Bajramit, administratorit të vetëm të kompanisë Bajrami N. Përpara se të merrte këtë detyrë, ajo ka shërbyer edhe si menaxhere e kompanisë, e cila drejtohet nga bashkëshorti i saj. Kjo kompani gjatë periudhës katërvjeçare të marrë në shqyrtim ka përfituar e vetme 24 tenderë nga Bashkia e Elbasanit me vlerë 372,006,014.00 lekë ose rreth 3 milionë euro. Një pjesë e këtyre kontratave publike janë lidhur pikërisht në kohën kur Anduena Prifti Bajrami ishte zëvendëskryetare e bashkisë. Bashkisë së Elbasanit iu kërkua ta komentonte këtë rast dhe të shpjegonte, nëse ishte vepruar në kushtet e konfliktit të interesit, por nuk u mor asnjë përgjigje. Kompania gjatë kësaj kohe sipas të dhënave të Regjistrit Tregtar ka raportuar veprime jo të zakonta. Në Shtator 2013 aksioneri i vetëm i saj Nazif Barjami ka shitur 100% të aksioneve të saj tek shtetasi Astrit Muzhaqi. Kapitali i kompanisë në atë kohë është vlerësuar 30,064,231 lekë ose rreth 240 mijë euro. Ndërkaq një muaj më vonë në Tetor Nazif Barjami merr përsëri në zotërim 100% të aksioneve të kompanisë dhe po kështu riemërohet administrator i përgjithshëm i saj. Një vit më vonë në Dhjetor të vitit 2014 kompania deklaroi një kapital prej 264,111,831 lekësh ose 2,1 milionë euro, një rritje shtatë herë më e madhe se vit më parë.

Kompanitë e “privilegjuara” të Elbasanit

Sipas të dhënave në buletinet e Agjencisë së Prokurimeve Publike, kompania që ka përfituar shumën më të lartë përmes kontratave publike me Bashkinë e Elbasanit gjatë periudhës 2012-2016 është Victoria Invest sh. p. k. Kjo kompani ka përfituar 14 tenderë me një shumë prej 704,776,545.60 lekësh ose pak më shumë 5,6 milionë euro. Kjo kompani me administratorë Fatmir Kuçi dhe Vanina Latifi, sipas dokumenteve të depozituara në Qendër, ka kryer shërbime si pastrimi i qytetit të Elbasanit, rikonstruksion, sistemim dhe asfaltim rrugësh dhe nëntë nga tenderët janë fituar përmes procedurës me negocim. Ndërkaq, kompania e dytë shfaqet Bajrami N. sh. p. k., me kontrata, të cilat për katër vite kapin vlerën e 372,006,014.00 lekëve ose rreth 3 milionë eurove. Kjo kompani, me administrator të vetëm Nazif Bajramin, ka kryer shërbime si rikonstruksion, asfaltim, sistemim, ndriçim rrugësh dhe sheshesh, kanalizime për ujërat e zeza dhe deri blerjen e materialeve të ndërtimit për Bashkinë e Elbasanit. Bajrami N. ka përfituar gjithsej në këtë periudhë 24 tenderë, ku shtatë janë dhënë përmes procedurës me negocim dhe tetë përmes procedurës “kërkesë për propozim”, sipas së cilës autoriteti kontraktor kërkon oferta nga një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë. Vetëm në nëntë raste të lidhjes së kontratës procedura ka qenë e hapur duke nënkuptuar shpalljen që fton çdo operator të interesuar të aplikojë. Kompania e tretë është Bikade sh. p. k., me aksionar të vetëm Alket Kasën dhe me një shumë prej 138,938,662.00 lekësh ose 1,1 milionë eurosh të përfituara në katër vite. Kjo kompani rezulton si e specializuar në blerjen e produkteve ushqimore për çerdhet, kopshtet dhe konviktet e qytetit, duke përfituar një numër tepër të lartë të kontratave me negocim. Bikade sh. p. k. ka përfituar 59 tenderë, nga të cilët 38 me anë të procedurës “me negocim, pa botimin paraprak”. Nga kjo analizë dilet në konkluzionin se nga 97 kontrata publike të lidhura me këto kompani, autoriteti i njësisë së prokurimit të Bashkisë së Elbasanit ka përdorur në 54 raste procedurën me negocim. Thënë ndryshe, rreth 56% e këtyre tenderëve janë dhënë pa garë. E pyetur përmes një kërkese për të drejtën e informimit në lidhje me arsyet se pse kishte përdorur negocimin shumë shpesh për të lidhur kontrata me vlerë të lartë, Bashkia e Elbasanit theksoi se kjo kishte ardhur pjesërisht edhe për shkak të bllokimeve që haste buxheti i bashkisë si pasojë e debateve politike në Këshillin Bashkiak. Duke iu referuar ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor në Shqipëri, kjo bashki thekson se në rast bllokimi kryetari i njësisë vendore autorizon të kryhen çdo muaj shpenzime deri në 1/12 e shpenzimeve faktike të buxhetit vendor në vitin buxhetor paraardhës për të siguruar vazhdimin e ofrimit të të mirave dhe të shërbimeve. “Të vendosur përpara një situatë të tillë… është përdorur lloji i procedurës me negocim pa shpallje”, – theksohet në përgjigjen e bashkisë. Por, pavarësisht këtij pretendimi, kjo bashki nuk ka dhënë asnjë informacion se sa herë në vitet e fundit Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka bllokuar buxhetin e këtij institucioni vendor dhe sa muaj ka zgjatur ky bllokim. Po kështu, shërbime të parashikuara dhe afatgjata, si pastrimi i qytetit apo furnizimi me ushqim i çerdheve dhe kopshteve, janë dhënë në mënyrë të pandërprerë përmes negocimit për vite me radhë dhe u akorduar kryesisht mbi baza mujore. Në këtë mënyrë Bashkia ka dështuar të gjejë mënyra për të bërë të mundur garën e hapur dhe prokurimin afatgjatë për shërbime të detyrueshme publike.

KLSH: Parregullsi në procesin e prokurimit nga Bashkia e Elbasanit

Në fakt, parregullsi për sa i përket procesit të prokurimit nga Bashkia e Elbasanit ka hasur dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH gjatë një raporti auditimi të vitit 2016. Në këtë raport kërkohet masë disiplinore ndaj 13 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe specialistëve të Njësisë së Prokurimit për shkelje të ndryshme të rregullave të tenderëve duke shkaktuar dëm financiar në Bashkinë e Elbasanit. Në raport theksohet se gjatë viteve 2014-2015 autoriteti kontraktor në këtë bashki ka përdorur 55 herë procedurën e negocimit pa shpallje, duke përdorur më shumë fonde për punë publike dhe shërbime sesa do të duheshin nëse gara do të kishte qenë e hapur. “Autoriteti kontraktor ka paguar më tepër fonde se në procedurat e hapura ose kërkesë për propozim, për rrjedhojë procedurat e prokurimit me negocim janë jo-efektive”, – theksohet në raport, ku bashkia rekomandohet ta përdorë këtë procedurë “vetëm për raste të veçanta”. (Nga: Albanian center for quality journalisem &boldnews.al)