Hahn mbledh sot në Durrës Kryeministrat e Ballkanit

553
Sigal

Integrimi ekonomik do të jetë në fokus të takimit informal që do të zhvillohet sot në Durrës mes komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn dhe Kryeministrave të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në njoftimin e lëshuar nga zyra për shtyp e Kryeministrisë bëhet e ditur se temë e diskutimit do të jetë vizioni i përbashkët mbi Strategjinë e Integrimit në Bashkimin Evropian, zbatimi dhe fuqizimi i zonës ekonomike rajonale1, marrëveshja roaming dhe fillimi i negociatave për marrëveshjet e njohjes reciproke të kualifikimet akademike dhe profesionale. Takimi do të mbahet në ambientet e vilave qeveritare dhe do të nisë në orën 09:40. Në takim do të marrë pjesë dhe Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërkohë që kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen në takimin e së hënës. Në mesditë, Hahn dhe Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor do të bëjnë të ditura vendimet në një konferencë për shtyp. Takimi mbahet në kohën kur mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur faza finale e dialogut dhe tema më e nxehtë është ajo e korrigjimit të kufijve që presupozon edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi.