Arben Ahmetaj: Sllovakia, një dritare e re investimesh për Shqipërinë

547
Sigal

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Arben Ahmetaj zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Sllovaki. Gjatë takimit me homologun e tij sllovak, ministri Ahmetaj konfirmoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Ai bëri një prezantim të të gjitha projekteve strategjikë të Shqipërisë në fushën e transporteve, energjisë, turizmit dhe infrastrukturës. Projekte të rëndësishme investimesh si, Rruga e Arbrit, Autostrada e Kaltër, Porti i Shëngjinit u konsideruan me interes të përbashkët,. Ministri ftoi investimet sllovake në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti dhe nismat, reformat dhe vullnetin e Qeverisë shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Sektori i fasonëve ishte një tjetër pikë e rëndësishme diskutimi mes palëve. Ministri Ahmetaj u shpreh se, interesi i investitorëve të huaj në këtë sektor po rritet gjithnjë e më shumë, nisur nga avantazhet që Shqipëria ka në koston e ulët të punës, konkurrueshmërisë së vendit dhe afërsisë më pothuaj të gjithë tregjet e mëdhenj. Ministri sllovak Tomáš Malatinský, shprehu mbështetjen e vendit të tij për integrimin europian të Shqipërisë. Fushat e investimeve potenciale të sugjeruara nga Ministri Ahmetaj, u vlerësuan me interes nga pala sllovake. Ai gjithashtu propozoi organizimin e një Forumi të përbashkët biznesi që do të krijonte hapësira të reja komunikimi dhe bashkëpunimi mes bizneseve dhe sipërmarrjeve në të dy vendet. Ministri Ahmetaj i cili i ftoi bizneset sllovake të marrin pjesë gjithashtu në Forumin e Investimeve që do të organizohet më 12 Maj në Vjenë. Në mbyllje të takimit, të dy Ministrat firmosën” Memorandumin e  Mirëkuptimit mbi Bashkëpunimin Ekonomik” i cili parashikon angazhimin e palëve në drejtim të:

a) lehtësimit dhe mbështetjes së shkëmbimit dhe kontakteve midis operatorëve të tyre ekonomikë;

b) krijimit të mjedisit të favorshëm për investimet e huaja direkte;

c) lehtësimit të shkëmbimit të informacionit të biznesit dhe atij ekonomik;

d) nxitjes së biznesit nëpërmjet organizimit të panaireve, ekspozitave, simpoziumeve etj.;

e) lehtësimit të shkëmbimit të informacionit mbi aktivitetet brenda tregjeve të brendshme duke përfshirë masat lidhur me mbrojtjen e konsumatorit dhe ndihmën shtetërore;

f) krijimit të klimës së favorshme për bashkëpunim në fushën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimit të tyre;

g) përkrahjes së bashkëpunimit dhe aktiviteteve brenda fushës së përgjegjësive të tyre.