Samiti B-40/ Kryebashkiaku Veliaj: Tirana merr Presidencën e Qyteteve të Ballkanit, do rrisë bashkëpunimin mes qyteteve

95
Sigal

Në 2024-ën Tirana do të marrë Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, e njohur ndryshe si B40. Nga Athina, ku merr pjesë në Samitin e Rrjetit B40, kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi marrjen e Presidencës si një mundësi të madhe për Tiranën.“Është kënaqësi e jashtëzakonshme që sot, nga Athina, Tirana merr Presidencën e Rrjetit më të madh të qyteteve ballkanike, B-40 për vitin 2024. Pas vitit 2022, ku ne ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë, këtë vit jemi Qyteti Europian i Sportit 2023, ndërsa vitin tjetër do të kemi Presidencën e Rrjetit më të madh të Qyteteve të Ballkanit. Rrjeti B-40 filloi vitin e kaluar në Stamboll, u themelua aty, nga 40 qytetet më të mëdha të Ballkanit. Janë qytete me mbi 50 mijë banorë. Këtë vit, rrjeti ka shkuar në 70 qytete. Presidenca këtë vit është këtu në Athinë dhe jam shumë i lumtur që lajmi se Tirana do të jetë shtëpia e re e Rrjetit më të madh të Qyteteve Ballkanike për 2024, u dha sot”,- tha Veliaj. Sipas tij, kjo është një mundësi që të tregojmë mikpritjen shqiptare.“E mezi pres këtë mundësi të jashtëzakonshme! Si çdo vit, kur kemi pasur një titull të rëndësishëm Europian dhe e kemi kthyer në një mundësi të shtuar për Tiranën, në më shumë turizëm, në më shumë aktivitet ekonomik, në më shumë reputacion për qytetin tonë. Edhe viti 2024, kur Tirana do të jetë Presidentja e B-40, do të ofrojë një mundësi të tillë. Mezi pres që deri në fund të vitit të shkojmë në rreth 100 bashki, si pjesë e këtij rrjeti, dhe t’u tregojmë mikpritjen shqiptare, t’u tregojmë se si qyteti ynë nuk është perfekt, por ka shumë zhvillime të jashtëzakonshme vitet e fundit. Është rritur si në popullsi dhe ekonomi, ashtu edhe në reputacion. Presidenca e B-40 për vitin 2024 besoj se do të jetë kartolina më e bukur e Shqipërisë që vjen nga Tirana”,- u shpreh Veliaj.