Rama: Krimi, bllokim makinave luksoze dhe llogarive bankare

500
Kryeministri i kërkon policisë, prokurorisë e shërbimit sekret koordinim për të goditur paratë e trafikut të drogës
Kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e policisë për goditjen e mbjelljes e trafikimit të kanabisit, ndërsa kërkoi shtrirjen e kontrolleve edhe në llogaritë bankare dhe automjetet e shtrenjta të zotëruara nga grupet kriminale. Shefi i qeverisë foli për një ulje me 25 herë të kultivimit të kanabisit, krahasuar me një vit, ndërsa tha se edhe largimi nga sytë e publikut i skenave të shfaqjes së policisë me drapër në dorë e me luftëra në mes të tymit e në mes të vapës është një arritje në vetvete. “Fakti që policët nuk merren më me prerje bimësh, por me imponimin me vendosmëri, me profesionalizëm të ligjit në të gjithë territorin, është një arritje domethënëse dhe është fryt i bashkëpunimit e ndërveprimit mes të gjitha agjencive dhe institucioneve”, vlerësoi kryeministri.

Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit këmbënguli te goditja e burimeve të konsiderueshme financiare të krijuara, tek lidhjet e krijuara brenda dhe jashtë vendit nga grupet dhe rrjetet kriminale. “Goditja e shkatërrimi i këtyre grupeve, i këtyre rrjeteve, nuk mund të kuptohet pa goditjen dhe shkatërrimin e aseteve të tyre materiale dhe financiare që përbën dhe objektivin e radhës. Një objektiv pa plotësimin e të cilit, pjesa e parë, natyrisht shumë e rëndësishme e operacionit që është çrrënjosja e kësaj fare të keqe nga territori i vendit, nuk mund të konsiderohet i plotësuar tërësisht”, tha Rama. Sipas kryeministrit, në fazën e re do të ketë një tregues edhe më të fortë për të matur suksesin, jo thjesht me numrin e personave të konstatuar, por me numrin e rrjeteve të shkatërruar, atë të grupeve kriminale të vëna para përgjegjësisë ligjore dhe veçanërisht me sasinë e aseteve kriminale të sekuestruara. “Individë me një imunitet të marrë dhe të imponuar përmes rrugës së veprimtarisë kriminale si një imunitet në komunitet, nuk duhet të gjejnë vrimë të futen në këtë vend dhe jo më të shfaqen si faktorë shoqëror me influencë në komunitetet tona”, tha Rama. Sipas tij, “askush nuk duhet të guxojë t’i bëjë karshillëk këtij populli, t’i bëjë karshillëk familjeve të zakonshme të këtij vendi, t’i bëjë karshillëk vajzave dhe djemve të rinj në qytete, në shkolla, në lagje me shfaqjet më spektakolare të brutalitetit përmes shkeljeve të gjithë normave të bashkëjetesës, me mjete që kushtojnë qimet e kokës dhe me forma që çojnë deri në marrjen e jetës së të rinjve të pafajshëm nëpër klube dhe nëpër mjedise ku të rinjtë mblidhen për t’u argëtuar”. “Makinat luksoze që sfidojnë ligjin, sfidojnë sigurinë publike, pasuritë e paluajtshme të këtyre shoferëve që zotërohen prej tyre, që janë të papunë luksi në këtë vend, llogari bankare të pajustifikueshme, biznese të palidhura me një historik rritjeje financiare, duhet t’i nënshtrohen një procesi kapilar dhe rigoroz verifikimi ligjor”, vlerësoi kryeministri në mbledhjen e grupit të posaçëm për luftën ndaj kanabisit. Për Ramën, “çdo makinë luksoze që sfidon ligjin, sigurinë publike dhe që sfidon me prezencën e vet perceptimin e opinionit publik dhe perceptimin e komunitetit për çfarë duhet të bëjë dhe si mund të jetojë një qytetar në këtë vend, me punë të ndershme, duhet të kalojë në skanerin e forcave ligjzbatuese”. Gjithashtu, çdo llogari bankare e dyshimtë, apo qoftë edhe në pamje të parë e pajustifikueshme, duhet të kalojë në skaner. “E kushdo që zotëron asete të tilla duhet që të provojë dhe justifikojë origjinën e tyre ose këto asete duhen konfiskuar, duhen sekuestruar dhe zotëruesit e tyre duhet të përgjigjen përpara ligjit”, tha Rama.

Kryeministri Rama ka premtuar se në nisjen e mandatit të tij të dytë qeverisës, Shqipëria do të jetë një vend i lirë nga kanabisi, ndërsa ai shpeshherë është akuzuar nga opozita si mbrojtës i trafikantëve të drogës. 
Sigal