Shtyhen me një vit punimet për TAP-in, shkak bllokimi në parlamentin italian

457
Sigal

Puna në ndërtimin e gazsjellësit TAP pritet të fillojë në vitin 2015 dhe jo gjatë këtij viti siç ishte parashikuar. Shkak i kësaj shtyrje është bërë parlamenti italian, pasi dhoma e deputetëve nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen, e cila i jep dritë jeshile projektit të madh të gazit në Europë. Kjo u bë e ditur nga zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja, i cili shtoi se, rreth ¼ e projektit shtrihet në territorin shqiptar. “Fillimi i ndërtimit të projektit për shkak edhe të disa burokracirave është shtyrë deri në fillim të 2015-s, pasi ishte parashikuar të fillonte në 6 mujorin e dytë të 2014-s. Për shkak të ratifikimit që ju desh të bënte dhoma e deputetëve në Itali dhe disa paqartësive që vetë Italia kishte, po ashtu edhe për saktësimet që i është dashur t’i bënte projektit, fillimi i tij do të jetë viti 2015”,-tha ai. Më tej Bejtja ka thënë se, po diskutohet edhe me Bankën Botërore për të marrë financime mbi gazifikimin e vendit tonë. Ky projekt është parë si një mundësi e mirë punësimi në vendin tonë, ku në prezantimin e tij janë premtuar 2 mijë vende pune. Por me shtyrjen e projektit për në vitin 2015 do të shtyhen dhe vendet e punës që janë premtuar. Për shkak se ky projekt do të kalojë në zona të largëta, do të ndërtoheshin dhe shumë akse rrugore. Gazsjellësi TAP do të sjellë gaz nga Azerbajxhani në Europë, duke kaluar në Shqipëri. 200 km do të jetë në Shqipëri dhe 60 km në seksionin shqiptar të detit Adriatik. Ky projekt kap vlerën e 45 miliardë dollarëve amerikanë dhe përfshin disa shtete dhe 10 kompani. Gjurma e gazsjellësit nis në Komotini të Greqisë, vazhdon në Shqipëri dhe përfundon në Itali. Projekti zotërohet nga tre kompani zvicerane ‘AKSPO’ norvegjezja “Shtatoil” dhe gjermania “Rurgas”, të treja me një kapital tregu prej 100 miliardë eurosh. Shpejt pritet që projektit t’i bashkohet dhe gjiganti tjetër “British Petroleum”.