Ngjarja ne fshatin Shëndëlli në operacionin antidrogë e antitrafik. 200 forca speciale zbarkojnë në Sarandë
Sulmi me breshëri automatiku i automjetit të shefit të Antidrogës të Policisë së Sarandës gjatë një veprimi policor, ka sjellë reagimin e menjëhershëm RENEA-s, ku vetëm brenda pak orëve rreth 200 forca Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, mësynë në fshatin Shëndëlli duke ushtruar kontrolle thuajse shtëpi më shtëpi. Mësohet se, ngjarja ka ndodhur pas mesnate, ndërsa në orët e mëngjesit të ditës së enjte janë shoqëruar 30 persona, janë sekuestruar armë të shumta, si dhe është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i sulmit me armë ndaj policisë, Taulant Gjini.
OPERACIONI
Konfirmohet se shefi i Antitrafiqeve dhe drogës, Ogert Mezinit, nuk është goditur nga breshëria e automatikut që u zbraz në drejtim të automjetit të tij. Makina është qëlluar në pjesën anësore, ndërsa mësohet se makina ka qenë në lëvizje. Efektivët e policisë i janë përgjigjur me zjarr agresionit, por autorët kanë mundur të largohet, ndërsa nuk pati të lënduar nga të shtënat. Sipas burimeve pas ngjarjes janë ushtruar kontrolle në të paktën 90 banesa në fshatin Shëndëlli. Policia ka sekuestruar një armë zjarri mitraloz si dhe një armë automatik që mendohet se është i autorit të sulmit Gjini. Operacioni për ndalimin e Taulant Gjinit vijon në fshatrat përreth Shëndëlli, teksa në të janë përfshirë efektivë të policisë dhe special.
HETIMET
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar të shkakut të terrorit me armë mbi automjetin e policisë, por nga hetimet e para rezulton se shkak ka qenë presioni ndaj bluve për të mos vazhduar kontrollin për drogë dhe armë në fshat. Konfirmohet gjithashtu se, dyshohet që bashkë me Gjinin, në sulmin ndaj policisë, të kenë qenë dhe persona të tjerë. “Kundërshtimi i policisë dhe gjuajtja me armë ndaj automjetit të shefit të antitrafikut, mbështetur në provat paraprake, është bërë nga më shumë se një person”- shtojnë burimet për gazetën “Telegraf”. Shoqërimi i shumë personave në policinë e Sarandës për të dhënë dëshmi lidhur me ngjarjen, ka sjellë irritim tek banorët e fshatit, të cilët janë grumbulluar para komisariatit të policisë. Ata kanë kërkuar lënien të lirë të bashkëfshatarëve, por oficerët e Policisë Gjyqësore dhe prokuroria ka vazhduar procedurat ligjore. Kjo situatë që ka vazhduar disa orë, ka çuar deri në irritim, por situata është normalizuar. Po punohet për zbardhjen e ngjarjes.

















