APD MBRON TË PËRNDJEKURIT PRONARËT DHE QYTETARËT

517
Nga Albana Bejko, kandidate për deputete e Partisë Aleancës Popullore për Drejtësi
Në zgjedhjet e mëparshme unë shikoja vetëm PD dhe asgjë tjetër, por shokë e shoqe të mijat kanë parë PS ose LSI dhe në këto 26 vjet rezultatet ishin zhgënjyese. Kjo ishte shkaku pse në Janar 2017 mbështeta Partinë e re “Aleanca Popullore për Drejtësi” APD, me kryetar juristin Z. Bilal Kola që të gjithë e njohin për integritetin e tij moral dhe profesional. Kam bindjen e thellë se detyrimi im moral dhe atdhetar materjalizohet tek kauza e APD, ku unë kadidoj për faktin se të drejtat tona në këto 26 vjet pluralizëm janë nëpërkëmbur dhe nuk duhet të vazhdojmë të sakrifikojmë të drejtat tona për kryetarin e partisë. Unë dhe shumë të tjerë që mendojnë si unë, nuk e kemi tradhëtuar Partinë, por tani e kemi gjetur Partinë tonë. APD është partia që vlen për popullin, si nga programi edhe nga Kryetari dhe personat që kanë marrë përsipër detyrimin për realizimin e programit të saj.
Eshtë koha të zgjedhim nëse do vazhdojmë në kënetën postkomuniste të Katovicës që na serviret si aleanca kuq e blu ose të bashkojmë votat në partinë tonë Aleanca Popullore për Drejtësi dhe me njerëzit tanë në Kuvendin e Shqipërisë të guxojmë të mbrojmë të drejtat tona të shkelura për 26 vjet pluralizëm pseudodemokratik.
Aktualisht ne të përndjekurit jemi të ndarë dhe të përçarë në disa shoqata dhe po luftojmë me njëri tjetrin për probleme që duhet ti diskutojmë dhe së bashku ti japim zgjidhje. Gjërat nuk mund të ndryshojnë vetë dhe të gjithë ne duhet të reflektojmë se APD është partia e të përndjekurve, e pronarëve dhe e diasporës dhe kjo forcë politike është partia e vërtetë e të djathtës pas përmbysjes së monumentit të diktatorit.
Ju drejtohem ju të nderuar bashkëvuajtës të përndjekur dhe të shpronësuar por dhe gjithë elektoratit shqiptar që ka kuptuar se 26 vjet pluralizëm demokratik nuk sollën demokracinë për të cilën prindërit tanë vuajtën pa fund dhe u sakrifikuan por në shumë aspekte është bërë edhe më keq.
Çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim ne të përndjekurit dhe pronarët e ligjshëm, por dhe shtresat e tjera të popullit në këto zgjedhje parlamentare nëse ne bashkojmë votat tona dhe APD përfaqësohet në Kuvend me grupin e saj parlamentar. Kush fiton nëse ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të përçarë? Askush nga kryetarët e partive parlamentare që dalin në emisione dhe intervista nuk mund të përballen dhe nuk mund të kundërshtojnë argumentat e qarta të z. Bila Kola. Asnjë votues nuk mund të hedhi fije dyshimi për nivelin profesional dhe për angazhimin e tij për të realizuar programin e APD-së. Asnjë votues përveç atyre që ju ka mbetur fiksim “Partia” nuk mund të argumentojë se programi i APD nuk ju intereson atyre por dhe të gjithë njerëzve që mendojnë për Shqipërinë.
Të përndjekurit dhe pronarët së bashku duhet të jemi të bashkuar në këto votime sepse interesat tona janë demokracia dhe jo demagogjia e mashtrimi.
Po trajtoj me aq sa mundem një aspekt lidhur me kompensimin e pronave, pasi vlera e kompensimit ju interson të gjithë shqiptarëve.
Gazetat publikojnë çdo ditë listat e pronarëve që ATP do ti kompensojë. Në pamje të parë kjo duket sukses i Qeverisë Rama. Ja argumentat e qarta juridike që tregojnë se Qeveria Edi Rama abuzon me qytetarët, pasi shumat me të cilat ATP kompenson pronarët janë në kundërshtim me të drejtën. Këta pronarë mund ta fitojnë të drejtën e tyre përmes një proçesi gjyqësor ku në bazë të nenit 41/4 dhe 122/2 të Kushtetutës të kundërshtojnë shumën që cakton Sonila Qato dhe të kërkojnë vlerën e vitit 2008 të miratuar nga GJEDNJ. Kjo Gjykatë nuk mund të marri vendime me dy standarde por do vendosi njëlloj me vendimin unifikues dhe vendimet e mëvonëshme deri në ato të marra në vitin 2016. Për këtë problem e ftojmë drejtoreshën e ATP znj. Sonila Qato dhe Kryeministrin Edi Rama ti kundërshtojë këto mendime në gazetë.
Dihet se kur Gjykata e Strasburgut gjen një shkelje të Konventës në një gjykim, shteti ka detyrim ligjor për t’i dhënë fund kësaj shkelje dhe të bëjë dëmshpërblim për pasojat e saj në mënyrë të tillë që të rivendoset sa më shumë të jetë e mundur situata ekzistuese para shkeljes. Vendimi pilot i Manushaqe Puto-s etj kundër Shqipërisë në vitin 2012 e dënoi shtetin Shqiptar për zgjatje të kohës së ekzekutimit të vendimeve për kompensim të dhëna pas viteve 1995 nga KKKP. Drejtoresha e Agjensisë Trajtimit të Pronave znj. Sonila Qato e shkel Nenin 41/4 dhe nenin 122/2 të Kushtetutës në fuqi që thotë: “Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të”, pra Shteti Shqiptar ndonëse e ka nënshkruar vazhdon të shkeli të drejtat e njeriut dhe Konventën Europiane të të drejtave të Njeriut. Edhe pas vendimit unifikues Manushaqe Puto gjykata e Strasburgut e ka dënuar shtetin Shqiptar me disa raste të tjera dhe ndërmjet tyre është rasti Halimi, aplikimi nr. 33839/11, datë 6 04.2016. Ky rast trajton një vendim të KKKP Vlorë të datës 30 Maj 1995 për një pronë që komisioni i pronave Vlorë kishte vendosur për kompensim, por deri në kohën e ankimit dhe shqyrtimit në Strasburg nga Agjensia nuk ishte kryer asnjë veprim. GJEDNJ konkludon se shpërblimi duhet bërë sipas vlerës së hartës të vitit 2008, por Shteti Shqiptar vazhdon të mos e njohë Strasburgun.
Për këtë shkelje sistematike për vlerën e kompensimit në përputhje me çmimin e miratuar me VKM të vitit 2008, që prek çdo familje shqiptare është mundësia e zgjdhjes që të interesuarit të fillojnë proçesin gjyqësor dhe vendimin e jep Strasburgu. Kjo është shkatërrimtare për piramidën e gabuar të Kryeministrit Edi Rama, por dhe zgjidhja tjetër që është në dorën tonë që të sqarojmë sa më shumë votues që akoma nuk e kanë të qartë se nëse APD do mbështetet sa më fuqishëm prej tyre ata nuk do kenë nevojë ti drejtohen gjykatave tona dhe pastaj Strasburgut për këtë do ta zgjidhi grupi i deputetëve të APD .
Zonja Sonila Qato që e njeh shumë mirë të drejtën që po i shkel pronarëve e ka shumë të qartë se ata që do shkojnë në gjykatë do fitojnë jo vetëm vlerën e vitit 2008 por për ngjashmëri me gjykimet e tjera që ka bërë Strasnurgu, kësaj vlere do ti shtohet përqindja sipas interesit bankar të Bankës Qëndrore të Shqipërisë, për gjithë këto vite vonese të shkaktuara gjatë periudhës së mospagimit nga dhënia e vendimit të kompensimit dhe po ashtu dhe dëmi jo pasuror që e vlerëson vetë Gjykata e Strasburgut.
Kompensimi që përmenda më sipër është vetëm një detaj i vogël që më jep besim se po të bashkojmë votën tonë për të mbrojtur interesat tona të ligjshme, me përjashtim të një grushti politikanësh abuzive, të gjithë do të dalim të fituar. Prandaj ju drejtohem të gjithëve ju bashkëatdhetarëve të mi kudo ku jeni bashkim, bashkim, bashkim për të mbrojtur të drejtat tona që ligjërisht na i garantojnë detyrimet Kushtetuese.
Sigal