30 Qershori/Degët e PD Kamëz dhe Paskuqan padisin në prokurori komisionerët e PS

664
Sigal

Degët e PD në Kamëz dhe Paskuqan padisin në Prokurori Komisionerët e PS në votimet monopartiake të 30 qershorit.

Degët në fjalë akuzojnë komisionarët për shpërdorim detyre.

DEKLARATË E PËRBASHKËT E DEGËVE TË PD KAMËZ DHE PASKUQAN

Me datë 16 korrik 2019, Partia Demokratike Dega-Kamëz dhe Paskuqan kanë paraqitur pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në ngarkim të Anëtarëve të Komisioneve të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) nr.27 në Kamëz dhe nr.28 në Paskuqan, Komisionerëve të 87 Qendrave të Votimit (Q.V), në Kamëz dhe 40 në Paskuqan si dhe Komisonerëve në Grupet e Numërimit.

Procesi i organizimit dhe administrimit të votimit të datës 30 qershor, në kundërshtim me Dekretin e Presidentit të Republikës nr.11199, datë 10.6.2019 “Për shfuqizimin e Dekretit të Presidentit nr.10928, datë 5.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, përbën shkelje të rëndë të rendit kushtetues.

Partia Demokratike Dega-Kamëz dhe Paskuqan, ndaj subjekteve të mësipërme ka paraqitur një sërë faktesh të grumbulluara për kallëzimin e bërë për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve zgjedhore”.

Të dyja degët politike Kamëz dhe Paskuqan para datës 30 qershor kanë bërë ankeseëpranë Komisionit Qendror Zgjedhor për parregullsitë e konstatuara përpara fillimit të procesit të votimit dhe më pas grumbullimit të fakteve reale realizoi kallëzimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga ana e tyre Partia Demokratike Dega-Kamëz dhe Paskuqan shprehin besimin e plotë për veprimin në kohë dhe me profesionalizëm të Prokurorisë, me paanshmëri dhe korrektësi në hetimin e plotë të kësaj çështjeje për zbardhjen e të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve, të cilat kanë sjellë si rezultat mbajtjen e një procesi votimesh monopartiake me qëllimin e vetëm të dokumentit të një rezultati “Farsë”.

Partia Demokratike Kamëz dhe Paskuqan deklaron se nga 99700 votues kanë marrë pjesë në këto votime vetëm 6% e zgjedhësve, ndërsa rezultati i falsifikuar i nxjerrë nga KQZ-ja është mbi 10%.

Prandaj duke deklaruar se në kutitë e votimit ka më shumë fleta votimi se votues, i gjithë procesi është i manipuluar dhe për rrjedhojë rezultati në Bashkinë Kamëz mbetet “Nul”.