VIDEO/ PD Korçë: Rama mashtroi sërish, shtëpitë e dëmtuara nuk ndërtohen brenda verës

450
Sigal

Partia Demokratike dega Korçë në një deklaratë për mediat është shprehur se Edi Rama i mashtroi banorët e Floqit, duke u premtuar se shtëpitë e tyre do të ndërtohen brenda verës.

Në një deklaratë për media, PD e Korçës shprehet se ende nuk ka nisur ndërtimi i shtëpive dhe nuk ka asnjë shans që këto ndërtime të përfundojnë brenda verës.

PD lokale i bën thirrje edhe kryebashkiakut Sotiraq Filo që të tërhiqet nga mashtrimet.

Deklarata e plotë e PD-së, dega Korçë:

Dega lokale e PD të Korçës, po ndjek me shqetësim situatën dhe problematikën e dhjetëra familjeve në fshatin Floq, të cilat mbetën të pastreha nga tërmetet e qershorit.

Edhe sot, pas 6- të javësh, banorët e prekur nga tërmeti, janë në mëshirë të fatit, sepse kanë fatin e keq, të qeverisen nga ata që zhvatin pa turp dhe limite sidomos më të dobëtit, më të pamundurit.

Sot, banorëve të Floqit, nuk u mungon vetëm shtëpia. Me shumë se kaq, u mungon dëshpërimisht shpresa, se një ditë të afërt, do të kthehen në rrjedhën normale të jetës.

Më të dëshpëruarit, mes tyre janë ata që fatkeqësia i çoi të besonin për pak, përrallën kryeministrore, se deri në shtator, do të përfundonte rindërtimi i të gjitha shtëpive.

Dhe në fakt, e gjitha nuk ishte asgjë më shumë se propagandë cinike dhe ç’njerëzore, që bashkia e Korçës po përpiqet ta mbulojë me llaçin, që po hedh mbi ca oxhakë nëpër lagjet e qytetit.

Se për një kryetar bashkie, si Sotiraq Filo, i refuzuar masivisht në monovotimet e 30 qershorit, që shpërdoron miliona euro për kulla, qytete imagjinarë fëmijësh, qendra të kulturës dhe artit ndërplanetar, është normale që ndërtimin e shtëpive nuk e nis nga themeli, por nga oxhaku.

E vërteta është se në Floq nuk ka filluar dhe as ka gjasa të fillojë rindërtimi i shtëpive. Dhe po të fillojë, vetëm nëse shtëpitë janë prej kartoni, ndërtimi i tyre, mund të përfundojë deri në shtator.

Siç thuhet, pritet që një fondacion i huaj, do të nisë ndërtimin e njërës nga 67 shtëpitë plotësisht të shkatërruara në Floq. Por vetëm kaq! Shteti dhe bashkia nuk duken askund!

E vërteta është, se nuk po bëhet asnjë lloj transparence, se ku dhe si do të gjenden fondet për faturën prej 2.1 miliard lek, që është më e kripur se gjiza e baxhove, që Filo dhe Rama provuan gjatë fundjavës.

Dega lokale e PD të Korçës i bën thirrje kreut te bashkisë, të ushtrojë përgjegjësinë që ligji i ngarkon, deri në përfundim të mandatit aktual, për përshpejtimin e procesit të rindërtimit të shtëpive në Floq dhe fshatra të tjerë të kësaj bashkie, pa ardhur vjeshta!

Zoti Filo! Ndërsa ti i kalon ditët e nxehta në tavolina relaksi me deputetët, të promovuar dje nga hiçi dhe sot, të rënë nga vakti, në shkollën e Floqit, mbi 80 burra, gra, të moshuar, invalidë dhe foshnja të sapolindura, mbijetojnë mes bashkëjetesës kolektive,mungesës së ujit dhe kushteve më minimale të higjienës.