Vitore Leka:Si i ndihmoi im atë ushtarët amerikanë gjatë luftës

68

Intervistë me veprimtaren e njohur Vitore Stefa-Leka. Pse e thërrasin “Nana Loke”, kaluari familjar, pushkatimi i babait dhe aktiviteti sot si “ambasadore” shqiptare në botë

 Një intervistë e veçantë me një zonjë të veçantë, Vitore Stefa Leka. Një grua shqiptare që jetën e vet e ka vënë në shërbim të të tjerëve, e sidomos në shërbim të grave shqiptare kudo nëpër botë, ku me ndihmesën e sajë janë hapur edhe shumë fondacione ku si qëllim kanë vënien në pah të vlerave të grave intelektuale shqiptare, bashkimin e tyre dhe zhvillimin e mëtejshëm. Zonja Leka është qytetare nderi në shumë vende, është Presidente nderi e 36 shoqatave shqiptare dhe arbëreshe e përsëri është diçka e vështirë ta bësh të flasë për veten pasi e karakterizon thjeshtësia dhe si synim ka të flasë për miqtë dhe mikeshat që bëjnë po të njëjtën punë të nderuar si kjo…

Zonja Vitore, na flisni pak për veten tuaj, si e filluat jetën e bamirëses?

-Të flasësh për veten është gjithmonë diçka e vështirë, por përsëri unë do të mundohem të them diçka dhe do doja ta nisja nga fëmijëria, që për hir të së vërtetës nuk kam kujtime të bukura, por përsëri ky fakt nuk më bën që të mos e dua vendin tim, sepse toka jote është toka jote. Unë jam një shqiptare si qindra të tjera, që morën rrugën e emigracioni për të kërkuar të bukurën, por që u zhgënjeva, nuk e gjeta ashtu siç e mendoja. Unë shkova si emigrante në Itali, në fillim vitet 90-ë dhe kur mbërrita atje, provova të ndieja edhe dhimbjen e shumë shqiptarëve të tjerë, që vinin edhe ata për një jetë më të mirë, por që në ato fazat e fillimit po gjenin vetëm vuajtje pasi ishte shumë e vështirë të përshtateshe.

Familja juaj njihet si një familje me tradita. Çfarë mund të na thoni për të?

-Unë vij nga një familje me tradita dhe shumë intelektuale, që nga gjyshi im Gjergj Stefa që e ka akoma fotografinë e tij të varur në shtëpinë e lidhjes së Prizrenit, e deri tek prindërit e mi, duke filluar që nga babai që ka mbaruar institutin “Harry Fultz” në Shqipëri dhe ishte njohës i shtatë gjuhëve të huaja, njeri shumë punëtor dhe gjithmonë me pozita, gjithashtu edhe nëna ime ishte intelektuale dhe një mësuese e rrallë që bashkë me disa kolege të vetat e bënin me karvan rrugën nga Tomori i Beratit e deri në Korçë nga ku edhe jepnin mësim. Unë në fakt nga babai mbaj mënd vetëm ato që më ka treguar nëna ime, pasi ai u pushkatua në vitin 1948, dhe u pushkatua me 100 motive të ndryshme, por pa pasur avokat që ta mbronte. Ai u pushkatua si italianofil se mbaroi shkollën në Itali, dhe u pushkatua si spiun amerikan sepse ndihmoi amerikanët që ranë në Belsh të Elbasanit.

Mund të thoni diçka më shumë në lidhje me historinë e babait tuaj dhe të amerikanëve të rrëzuar?
Historia është e thjeshtë, pasi një trupë ushtarësh amerikanë që po fluturonin për ti shkuar në ndihmë Italisë në luftë, ranë në fshatin Belsh të Elbasanit dhe babai im, i njoftuar nga një shok i tiji, shkoi në ndihmë të tyre, pasi siç edhe e thashë ishte njohës i shtatë gjuhëve të huaja dhe e kishte shumë të lehtë të merrej vesh me ata dhe nuk ngurroi tu jepte ndihmën e tyre, madje edhe ti strehonte për aq kohë sa ata patën nevojë, deri sa u larguan. Në lidhje me këtë babai im edhe u pushkatua, por përsëri amerikanët nuk e harruan ndihmesën që morën dhe kanë shkruar edhe dy libra, ku tregohet edhe më qartë çdo gjë që përjetuan dhe ndihma që morën nga babai. Gjatë kohës që qëndruan në Shqipëri, ata i lanë shumë dhurata babit tim, ku ndër to ishte edhe një dylbi, vëllait i falën një kapele e të tjera gjëra si këto. Vëllai im, i ndjeri Prof. Alfred Stefa, u përpoq pas shumë vitesh ti gjente amerikanët dhe të krijonte përsëri lidhje me ata por nuk ja doli, si pasojë edhe e sëmundjes që e kapi. Vite më vonë, erdhën disa nga amerikanët dhe kërkuan që të takoheshin me anëtarët e familjes së personit që i kishte ndihmuar, por erdhën në një periudhë të keqe, pasi vëllai im ishte shumë i sëmurë dhe gjithashtu edhe nëna ime nuk ishte shumë në gjendje tu gjendej siç duhej pasi i qëndronte gjithmonë pranë vëllait. Janë bërë shumë dokumentarë në lidhje me këtë, siç ishte edhe ai i Top-Channel, që erdhi në Berat, ndërkohë që edhe unë isha aty, dhe pa të gjitha dhomat që kishin ndenjur amerikanët. Unë në fakt i thashë që duhej të ishte vëllai im, i ndjeri Prof. Alfred Stefa që të tregonte më së miri në lidhje me këtë situatë pasi ai e mbante mënd pak a shumë atë ngjarje pasi ishte edhe më i rritur.

Së fundmi edhe ambasadori amerikan Arvizu i kushtoi një vizitë shtëpisë tuaj në Berat, për të nderuar babanë tuaj në lidhje me këtë histori që sapo na treguat. Ju a ishit prezent?

-Po e vërtetë është, edhe ambasadori Arvizu erdhi para pak kohësh që ti bënte një vizitë vendit dhe shtëpisë tonë në Berat, aty ku edhe babai im ndihmoi të gjithë ata ushtarë amerikan. Në fakt unë nuk isha e pranishme, pasi isha e angazhuar në një mision, por do të më pëlqente të kisha qenë edhe unë, pasi ai ishte një vlerësim që na u bë si familje. Por përsëri e them, unë, apo motrat e mia nuk është se mbajmë mend diçka nga ajo kohë, pasi ishim shumë të vogla dhe i vetmi që mbante mend ishte vëllai im, që gjithmonë na tregonte se si një nga ushtarët i kishte falur një kapele, diçka që atij i kishte bërë shumë përshtypje.

Diçka për jetën tuaj në Shqipëri?
-Dua të them  diçka tjetër në lidhje me vëllain tim dhe babin tim. Kur erdhi demokracia, vëllai im u vu në kërkim të varrit të babait, pasi ne nuk e dinim se ku prehej dhe pas shumë kërkimesh të vëllait tim, ai e gjeti vendi ku ishte varrosur babai, Në Uznovë të Beratit, për rreth 40 vite me radhë. U gjet në një varr të përbashkët, edhe me tre persona të tjerë, dy avokatë dhe me gjyshin e Vera Grabockës. Ai eskavator që vëllai gjeti për të bërë këto gërmime, po shikonte të gjente jo zbulime arkeologjike, por varre njerëzish të pushkatuar nga sistemi, dhe kjo është diçka e rëndë por që sigurisht në atë kohë ishte e nevojshme.

Zonja Vitore, diçka për aktivitetin tuaj shoqëror?
Unë në fillime bëja pjesë tek ai brezi intelektual i te ikurve që shkova në Itali me një fëmijë të sëmurë sepse nuk do e kisha lënë kurrë atdheun dhe pata fatin të jetoj në Trieste, në një vend ku vinte trageti dhe më takonte të shikoja turma me shqiptar që zbarkonin aty, të pa ngrënë, të pa veshur, të vuajtur, të frikësuar dhe të pa adaptuar me vendin atje. E nga kjo lindi nevoja që të bëheshim të gjithë bashkë dhe të jepnim ndihmesën tonë për të gjithë ata që vinin aty. E ndienim shumë mallin për Atdheun dhe kjo ishte një mundësi e mirë për të ndihmuar, për të bërë atë punën e fisme ku të gjithë ishim të bashkuar në mbështetje të njëri-tjetrit. E kështu filloi nisma jonë, dikush dërgonte rroba, dikush ushqim, dikush çaj, e kështu u pa e nevojshme të ngriheshin shoqatat e para, pasi ishte diçka logjike. Në të njëjtën kohë u hapen edhe shoqatat e internetit dhe ne krijuam një faqe “Teutat shqiptare”, ku mblidheshin të gjitha femrat shqiptare nëpër botë. Këtë faqe e hapën Merita Bajraktari dhe Mardena Kelmendi. Ne takoheshim, shkëmbenim mendime dhe mbysnim madhin për Atdheun. Këtu kemi bërë dy libra, një me poezi, mozaik i një portreti ku gra nga e gjithë bota që shkruanin në këtu, njëkohësisht edhe “Teutat shqiptare nëpër botë”, ku tregon se si u larguan gratë shqiptare Shqipëria, si ikën, si mbërritën e më në fund, si u integruan atje, në vendet ku shkuan. Në Itali u pa e domosdoshme formimi i këtyre shoqatave, dhe një nga nxitëset për këtë nismë ishte ambasadorja e Kombit, zonja e nderuar Nermin Vlora Falaski, e mbesa e Ismail Qemalit , e martuar me Renzo Falaskin. Shkonte qytet me qytet, ndihmonte shqiptarët kudo ku shkonte dhe në çdo qytet, ne na ngriti moralisht dhe na ndihmoi të ngrinim shoqata të ndryshme, ndër të cilat edhe kjo në Trieste Nermini ishte kudo, mblidheshim kudo e kjo na stimulonte. Pastaj filluan fazat e tjera të integrimit. Nermini erdhi në Vlorë ku takon Zenepe Lukën, flasin dhe interesohen për të formuara një shoqatë në Shqipëri për rolin dhe vlerat e gruas intelektuale shqiptare e kësaj nisme menjëherë iu bashkëngjitën artistet e popullit, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, politikania Magbule Çecon, gazetaret Silvana Braçe, Tefta Radi, kineaste Vllasova Musta. Nermini me Zenepen krijuan një miqësi bashkë, nga ku Nermini i kërkoi Zenepes që kur të vdiste ta sillnin në Vlorë dhe në fakt Zenepja e mbajti fjalën dhe emri i ballkonit të Vlorës mori emrin e saj, Nermin Vlora. Edhe pas vdekjes së Nerminit, Zenepja e vazhdoi aktivitetin, dhe e kujton çdo përvjetor. Në fakt Zenepja është personi që me iniciativën e sajë solli në Shqipëri Albanon dhe Rominën, duke e dërguar këngëtarin e famshëm italian edhe tek shtëpia dhe familja ku ka qëndruar babai i Albanos, don Kamilo, gjatë luftës. Nisur nga kjo, Zenepja është edhe qytetare nderi e Puglias, në Itali

Ju çfarë roli keni në këto shoqata?

-Çdo gjë nisi nga një kërkesë e Zenepes, që më kërkoi ndihmën time në mënyrë që unë të shpërndaja lajmin në Diasporë, ngaqë në fakt jam edhe Presidente nderi e 36 shoqatave shqiptare dhe arbëreshe, diçka që më krijonte mundësinë që të shpërndaja fjalën  ngaqë kisha shumë njohje. Lajmi u zgjerua, me degën e parë që u hap në Belgjikë dhe deri më tani janë hapur 20 shoqata, degë fondacionesh quhen. E fundit degë është hapur në Greqi, ndërsa edhe në Shqipëri janë hapur shumë të tilla, diçka që sigurisht ndihmon shumë në rolin vlerësues që duhet të marrë çdo femër. Do doja të thosha edhe diçka tjetër, se shoqatat tona nuk kanë aspak ndihmesë nga shteti por vetëm financohen te gjitha.

Cili është kujtimi më i bukur që ruani nga të gjitha këto organizime që keni bërë?

Në Trevizo kemi një të njohurën  tonë që është e martuar me një italian dhe ky ka një firmë të veten kanoesh. Vit për vit në Venecia bëhet një eveniment ku marrin pjesë vende nga e gjithë bota, rreth 100 vende ishin atë vit, për të garuar në mënyrë miqësisht. Ne na kishin bërë dhuratë organizatoret shqiptare një anije piratësh shumë të bukur dhe filluam të lundronim, kur andej nga fundi i vargut shfaqet një anije e vogël që i parakalon të gjitha të tjerat pa rregull, në atë varkë të vogël ishin disa shqiptar që po valëvisnin flamurin e si me magji u shfaqen edhe shumë flamurë të tjerë, e këtë herë nga rrugët anësore ku siç duket ishin organizuar të gjithë shqiptarët për të bërë diçka të tillë. Ngado jehuan thirrjet “Albania, Albania”! O Zot, çfarë krenarie ishte! Unë nuk qëndroja më në këmbë dhe u ula të qaja, aq shumë u emocionova. Këtë kujtim e ruaj gjithmonë me shumë dashuri.

Me çfarë rasti erdhët tani së fundmi në Shqipëri?
Erdha për një konferencë shkencore me rastin e 10 vjetori të vdekjes së Nermin Falaskit, ku folën shumë akademikë për rolin e gruas në shoqëri, për fuqizimin e këtij roli dhe vlerat që mbart vetë fondacioni që edhe mban ermin e Nermin Vlora Falaskit

Po punoni në ndonjë gjë të veçantë tani për tani?

Po në fakt! Zenepe Luka, aktualisht po mundohet që të sjellë në tokën mëmë kockat e mbretëreshës së madhe shqiptare, Donika Kastrioti, që me anë të fondacionit tonë më në krye Zenepe Lukën, është zbuluar se emri i sajë i vërtetë është Andronika Kastrioti. Pati një problem të vogël në lidhje me sjelljen e kockave në Shqipëri, pasi ajo është varrosur si mbretëreshë dhe duhej një leje e posaçme nga Papa, diçka që në fakt nuk është më një problem. Nga ana tjetër, po nga ky fondacion kërkohet që të sillen edhe kockat e Miro Tërbaçit, vajzës trime që e njeh gjithë Shqipëria, ajo vajzë që vrau në shesh Bim Bashin dhe heroizmi i sajë do të përmendet gjithmonë.

Ju keni shumë epitete,por a mund ta dimë se pse ju thërrasin “Nana Loke”?

-Oh, këtë emër e kam marrë gjatë luftës së Kosovës, kur shërbeja atje në ndihmesë të njerëzve. Një ushtar i quajtur Xhaferr Shala, ma vuri këtë nofkë, ku pastaj nga të gjithë u njoha me këtë epitet. Në fakt unë nuk  e kam ditur, por po këta ushtarë të UÇK-së më kishin hapur edhe një faqe në internet ku emërtohej si “nana-loke.com”, ishte diçka shumë e bukur dhe ndihesh mirë kur merr vlerësim.

Intervistoi: Besara IBRAJ