Bardhyl Berberi/ A ja vlen t’u bësh thirrje këtyre politikanëve!?

580
Një nënë, për të shpëtuar fëmijët përfundoi poshtë rrotave të makinës. Ajo la dy fëmijë jetimë… Personi e kishte përsëritur këtë gjest makaber dhe gjykata e kishte lënë të lirë. Po nëse gjykata do ta kishte përdorur çekiçin me ndershmëri ky person do të ishte në burg dhe nëna e dy fëmijëve do të ishte gjallë. Ja pra ngado na del gjyqësori me bëmat e tij para një grushti me para edhe një kriminel e nxjerr nga burgu, sikur të jetë një grindavec i thjeshtë… Kjo ndodh vetëm tek ne, është korrupsioni në drejtësi që para qeses me para të gjithë faktet i bën hi… dhe kriminelët lenë qelitë… Atdheu im i shqyer nga lakmitarë të pangopur, politikanë të pandershëm që ju bëjnë bisht reformave se e dinë një takëm prej tyre, se çfarë i pret për zullumet që kanë bërë këtij populli. Atdheu ynë është një vend i varfër, i vuajtur, me njerëz të ndershëm dhe punëtorë që kërkojnë të largohen. Shqipëria ime mbase je i vetmi vend ku politikanët dhe zyrtarët vënë dhjamë në kurrizin e këtij populli fukara…

 O ju politikanë, o djem të këqij, pa karakter dhe dinjitet që vetëquheni liderë! Karakteri është një element shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në procesin e mbijetesës njerëzore, por në rastin tuaj paraqet shumë vështirësi, rrezik dhe tragjedi. Në masën me të cilën ju jeni implikuar, karakteri juaj, ju motivon të zhyteni edhe më tepër në ligësi pa i bërë thirrje arsyes, pa i parashikuar pasojat. Por një ditë do të jepni patjetër llogari. Rinia, inxhinierët, mjekët dhe mësuesit ikin nga kjo anije që fundoset, sepse ata nuk kanë asgjë për të jetuar. Atdheu im sundohet nga pushtetarë me nivel të ulët, të liq, të veshur me pushtet, të cilin e shfrytëzojnë egërsisht. Shqipëria ime me pushtetarë të paskrupull që mendojnë vetëm për xhepat e tyre… Ata kanë shkelur rregullat, moralin, burrërinë, krenarinë kombëtare dhe Kushtetutën. Vidhen bankat e shtetit, vidhen paratë në aeroport, një pasiguri skandaloze dhe të duket vetja jo sikur jeton në mes të Europës, por sikur jeton në xhungël. Është momenti i fundit, t`i bëjmë thirrje këtyre politikanëve, që të mos lejojnë atdheun e tyre të bjerë në greminë atje ku ata e kanë çuar. 

Apel/Një takëm deputetësh që kanë arsye të shëndoshë të mos i lenë ata “kalamajtë “ të godasin tavolinat e parlamentit, por t’i thërrasin arsyes së tyre të shëndoshë. Por kam njëfarë dyshimi nëse e kanë një arsye të tillë të shëndoshë apo jo, pasi ata që mund të kenë arsye të shëndoshë dhe formim janë të pakët dhe numërohen me gishtat e dorës. O Atdheu im, ne vuajmë, për fatin tënd të keq në dorë të kujt ke rënë! Të jetosh tek ty, ose të braktisësh ty o atdheu im, të ikësh në vendet e huaja ku përgjithmonë do të mbeteshe i huaj, duke tradhtuar fatin dhe kuptimin e qenies tënde në dhe të huaj! Ne na ka kapluar një dëshpërim i madh, jemi në një gjendje ndërmjet të mirës dhe të keqes, ndërmjet amullisë dhe mediokritetit që është përhapur si epidemi, – ngado të mbytin të paaftët. Çdo ditë dëgjojmë një skandal të binomit korrupsion dhe vjedhje. Atdheu im, me diellin mbi ballë mbi ujërat e kristalta të Adriatikut dhe Jonit që lëkundin pasuri të pafund dhurata të natyrës, por shpesh mbi ty atdheu im bien hijet e zeza dhe mbulojnë ballin tënd të rrudhosur dhe djersitur. Pa dashur më erdhi në mend një sentencë e të madhit Viktor Hygo: “Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat”.
Sigal