Prof. Zamira Çavo: Minoriteti grek dhe Shqipëria

566

Ngjarjet e fundit në Bularat dëshmuan më së pari tre problem madhore:

– Së pari, dëshmuan se ekstremizmi nacionalist grek me Agimin e Artë, është në ofensivë në Greqi dhe se Athina zyrtare është gati e nënshtruar ndaj kësaj ofensive. Kjo frymë rrezikon seriozisht jo vetëm Greqinë dhe popullin mik grek por rrezikon edhe Rajonin. Duket se në Greqi radikalët nacionalistë ndahen në nacionalistë dhe antinacionalistët zyrtarë. Shihet se persona zyrtarë në kabinetin Tcipras kërkojnë autonominë e Vorioepirit dhe nga ana tjetër kërkojnë të drejtat e minoritetit duke kërcënuar me kushtëzim për anëtarësim në BE! Kjo politikë nuk është e re, por marrëdhëniet mes dy vendeve kanë mbijetuar ndaj këtij radikalizmi falë miqësisë së popujve por edhe urtësisë së politikës së Tiranës. Minoriteti grek në Shqipëri është ndër ato pak minoritete në botë që kanë gëzuar dhe gëzojnë të gjitha të drejtat, madje me një përkushtim maksimal të politikës. Kështu ishte në kohën e diktaturës, kështu edhe në këto 28 vjet! Por hunda e politikës shoviniste greke gjithnjë ka qenë shumë e gjatë dhe ka arritur të futet tinëzisht deri në parlamentin tonë. Deputetë të minoritetit janë bërë falë këtyre të drejtave, por askush, pra ASKUSH nuk u jep të drejtën që të vjellin vrer kundër shqiptarëve, Shqipërisë apo politikës zyrtare të Tiranës!

 

– Së dyti, nga politika e Tiranës u tha se “Urtësia nuk duhet të merret si nënshtrim” Shumë e gjetur si diksurs politik. Por nga ana tjetër flirtimet e zyrtarëve tanë me politikanë grekë, mbështetja e tyre morale apo dhe financiare, duket kanë krijuar terrenin për një ndërhyrje gati të frikshme të qarqeve nacionaliste greke në Shqipëri. Në 28 vjet shteti shqiptar ka qenë gati inekzistent si ndaj ndërhyrjeve të forta të politikës greke në Shqipëri ashtu dhe ndaj problemeve të mëdha që shqiptarët emigrant kanë pasur në shtetin fqinj. Ka ardhur koha kur të dëshmojmë se kemi një shtet, një flamur dhe një komb me histori, me tradita e mbi të gjitha me një durim që, nëse i kalon kufijtë bëhet barot!

– Së treti, ngjarja në Bularat dhe transmetimi nga disa media që gati qanë me lot për vrasjen e një individi që merr armën dhe qëllon mbi policinë e vendit të tyre, dëshmuan, se fjalët për pagesa nga ana e Greqisë ndaj disa mediave apo gazetarëve, nuk qenkan pa baza. Këto media dëshmuan se janë të shitura kokë e këmbë kundër interesave të shtetit të tyre. Nëse do kishin gjurmuar lajmin si do bënte çdo media serioze në botë do e kishin gjetur të vërtetën mbi veprimin e atij djali! ABC News përgatiti një emision të tërë profesional dhe mjaft të plotë rreth këtij personi. Sikur ta kishin bërë këtë edhe mediat e tjera! Gjithsesi, situatat në Ballkan nuk janë të qeta. Politika e çdo vendi synon të kthejë sytë nga brenda vendit, ndaj interesave të popullit të vet, këtë duhet të bëjë edhe politika e Tiranës. Ndryshe situate si ajo e Bularatit mund të përsëritej në forma të tjera që mund të cenojnë “durimin popullor”.